Policia njofton se ka proceduar penalisht menaxhuesit e faqes online Jeta Osh Qef për përhapjen e lajmeve të rreme që kanë shkaktuar panik. Drejtori per Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit, Lutfi Minxhozi në konferencën për shtyp bëri të ditur se ka proceduar penalisht shtetasit Erland Dalliu, 29 vjeç banues në Tiranë dhe Gentian Çengeli, 39 vjeç banues në Tiranë, administratorë të faqes së internetit Jeta Osht Qejf.
“Këta shtetas, nëpërmjet faqes nën administrim të tyre, kanë lejuar publikimin e njoftimeve të rreme, të cilat mbjellin panik tek qytetarët. Konkretisht, kjo faqe në datën 28.11.2019 ka shpërndarë një lajmërim, në të cilin aludohet për një numër të madh viktimash të gjendur në morgun e Tiranës. Menjëherë pas publikimit të njoftimit, nga strukturat e specializuara të hetimit të krimit kibernetik, krimit ekonomik e financiar dhe strukturat e hetimit Antiterror janë kryer veprimet procedurale për të dokumentuar publikimin e këtij njoftimi dhe njoftimeve të tjera të kësaj natyre”, deklaroi zyrtari i policisë.
Nga verifikimet e kryera nga policia rezultoi se ky njoftim ishte tërësisht i rremë dhe dashakeq duke synuar përhapjen e panikut e frikës tek qytetarët
“Policia e Shtetit po monitoron çdo minutë dhe do të procedojë penalisht çdo person që do të publikojë lajme të rreme, të cilat përhapin panik tek qytetarët. Në të njëjtën kohë, njoftojmë të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, Komisariatin Dixhital dhe në faqet zyrtare të Policisë së Shtetit në rrjetet sociale, për çdo njoftim të rremë që publikohet në rrjetet sociale i cili synon destabilizimin e qytetarëve”, theksoi Minxhozi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.