Lajme

Rama u drejtohet mediave: Mos përhapni panik

Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar mediave që të jenë të kujdesshme në raportimin e tyre në lidhje me situatën e shkaktuar nga tërmetet në vend, në të kundër thotë se do të zbatojë masat që përcakton nga gjendja e jashtëzakonshme.

“Paralajmëroj për herë të fundit portalet e kanalet e informimit se në kushtet dhe kuadrin ligjor të Gjendjes së Jashtëzakonshme, do jem i detyruar të ndërhyj forcërisht për mbylljen e tyre deri në fund të kësaj faze dramatike, nëse vazhdojnë me lajme të rreme që hapin panik!”, shkroi kreu i Qeverisë në Twitter.

Kryeministri bën thirrje që në këtë situatë të jashtëzakonshme të matet çdo fjalë.

“Është e patolerueshme që të publikohen sharlatanizma delirantësh vendas a të huaj apo të shtrembërohen, sipas avazit të zakonshëm, prononcimet e shpjegimet e arsyeshme të ekspertëve! STOP DHE STOP TANI! MENJËHERË!!!”, mbyll paralajmërimin e tij Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë