Financa Personale

“Paradoksi”, Vlora me papunësinë më të madhe, rrit më shumë shpenzimet për konsum

Megjithë papunësinë më të madhe ndër qarqet e vendit me 547 vmijë të papunë, ose 12,3 % të forcës totale të punës, Vlora rezulton qarku që ka rritur më shumë shpenzimet mesatare për konsum mes 2016-2018-ës.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se rritja më e lartë e shpenzimeve për konsum nga viti 2016 është regjistruar në qarkun e Gjirokastrës dhe Vlorës, përkatësisht 16,1 dhe 15,9 përqind.
Ndërsa ulja më e theksuar e shpenzimeve të konsumit është regjistruar në qarkun e Dibrës, me 7,5 përqind edhe pse trendi i konsumit për këtë qark shënon rritje në vite.

Kurse, shpenzimet mesatare mujore për konsum të grupeve “Ushqime, pije jo-alkoolike, pije alkoolike dhe duhan” kanë ndryshuar gjatë periudhës 2016-2018 duke shprehur në përgjithësi sjellje të ndryshme konsumatore. Rritja më e lartë e shpenzimeve për këto grupe nga viti 2016 është regjistruar në qarkun e Shkodrës me 2,6 pikë përqindje ndërkohë ulje më të theksuar për grupet “Ushqime, pije jo-alkoolike, pije alkoolike dhe duhan” është regjistruar në qarkun Kukës me 12,9 pikë përqindje.

Shpenzimet mesatare mujore për konsum sipas qarqeve dhe arsimit të kryefamiljarit, 2016-2018 tregojnë që shpenzimet më të larta i kanë kryefamiljarët me arsim të lartë apo pas universitar ndjekur nga kategoria e të arsimuarve në shkolla të mesme të përgjithshme ose profesionale. Vlerat më të larta të shpenzimeve për vitin 2018 në kategorinë e arsimit të lartë/pas universitar janë regjistruar në qarqet Fier dhe Tiranë, ndërsa vlerat më të larta për kategorinë e të arsimuarve në shkolla të mesme të përgjithshme ose profesionale janë regjistruar në qarqet Tiranë dhe Korçë.

Qarqet Berat, Elbasan, Gjirokastër dhe Vlorë kanë regjistruar rritje të shpenzimeve për konsum në vitin 2018 për të tre kategoritë e arsimit të përfunduar të kryefamiljarit, ndërkohë për të njëjtat kategori në qarqet Dibër dhe Durrës shpenzimet kanë shënuar ulje, krahasuar me vitin 2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë