Ambasada e SHBA ka shpërndarë në rrjetet sociale një pjesë nga emisioni “31 minuta” që transmetohet nga Televizioni Publik Shqiptar, ku flitet për dhunimin në vendin tonë të biznesmenit amerikano-libanez Faadi Mitri, i cili planifikonte të ndërtonte një kompleks multi milionësh në Gjirin e Lalzit.
Emisioni gjithashtu përmend edhe veprimet korruptive të gruas së gjyqtarit Gjin Gjoni që nxorri jashtë loje nga gara për ambientet e dyqaneve Duty Free në aeroportin e Rinasit një kompani amerikane.
"A është e lehtë të bësh biznes dhe të investosh në Shqipëri? Ky biznesmen amerikan, për fat të keq, do të thoshte “jo”, thotë deklarata e fortë e Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Në video flitet për Faadi Mitrin një biznesmen nga Libani, që erdhi në Shqipëri për të investuar në një projekt ambicioz në fushën e turizmit. Por ai iku pasi një vendim i kontestuar i Gjykatës së Durrësit, tokën publike ku ai kishte marrë lejen e ndërtimit, ia njohu si pronë dikujt tjetër. Fundi i betejës gjyqësore dhe administrative ishte keqtrajtimi brutal i biznesmenit libanez. Poashtu në video rrëfehet gjerësisht edhe historia e International Cruise Duty Free, që edhe pse ka fituar tenderin për dyqanet Duty Free në Aeroportin e Rinasit, përsëri nuk mund ta ushtrojë këtë biznes, pasi dyqanet vazhdojnë të shfrytëzohen në kundërshtim me ligjin nga Albania Duty Free Distribution, një kompani e drejtuar nga Elona Çaushi, bashkëshorte e gjyqtarit Gjin Gjoni.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.