Politike

Korab Lita nuk tërhiqet: Jam unë kryetar i grupit, Ruçi të mos përzihet

Përplasjet brenda grupit të opozitës së re vazhdojnë në Parlament për faktin se kush do të jetë kryetar i saj. Korab Lita deputeti që u shpall kryetar i këtij grupi, e më pas tre deputetë u tërhoqën nga firmat e dhëna, doli sërish në konferencën për shtyp duke theksuar se do të shqyrtojë kërkesën e paraqitur nga deputetët që iu bashkangjitën këtij grupi. Deputeti i opozitës së re, Korab Lita insiston në faktin se është ai kryetari i grupit parlamentar “Demokrat” dhe se i kërkon kryetarit të Parlamentit të mos përzihet dhe të mos mbrojë deputeten Rudina Hajdari.
“Bazuar në njoftimet në media dhe informacionet nga Kuvendi, disa deputetë kanë shprehur dëshirën të na bashkohen, jam në pritje të shkresave të tyre. Shpreh mirënjohjen deputetëve që duan të na bashkohen. Grupi jonë ka pasur edhe raste pranimi edhe raste si ai i Andi Përmetit, që është rrëzuar kërkesa për pranimin e tij në grupin parlamentar. Asnjë deputet nuk mund ti bashkohet grupit, se do Gramoz Ruçi të mbajë Rudina Hajdarin në krye të grupit, i bëjmë thirrje të mos fusë hundët, atë nuk e vendos ai, por rregullorja jonë dhe deputetët. Grupi dhe unë si kryetar i shprehim mbështetjen për Rudina Hajdarin si bashkëkryetare e reformës zgjedhore, pasi është kauza jonë kryesore. I tërheqim vëmendjen se aty është si përfaqësuese e opozitës parlamentare dhe jo përfaqësuese ‘ad hoc’ e Gramoz Ruçit”, deklaroi Lita.


Më 11 tetor, Lita do të bënte publik disa dokumente të firmosura ku ai zgjidhej kryetar i grupit parlamentar “Demokrat”, e kjo sipas tij, ishte ndërmarrë edhe me konsensusin e Rudina Hajdarit, që kishte pranuar të largohej nga grupi. Për postin e kryetarit ishin tre emra të mundëshëm, deputetët Korab Lita, Halit Valteri dhe Alban Zeneli. Ky i fundit u tërhoq nga kandidimi, e beteja u la në mes Valterit dhe Litën. Edhe Valteri u tërhoq nga gara dhe se me votë të fshehtë u zgjodh Lita. Pas paraqitjes së shkresës në zyrën e Ruçit, ku Lita figuronte si kryetar, nisën të deklaroheshin tërheqjet si ajo e Halit Valterit dhe Fotjona Dhimitrit. Ndërsa Rudina Hajdari do të deklaronte se nuk është tërhequr nga gara dhe se do të akuzonte Litën për ushtrim presionesh.


I vendosur përballë kësaj situate me disa shkresa përballë, kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi u shpreh në seancën e kaluar se grupi “Demokrat” duhet të unifikonte qëndrimin, pasi kanë shprehur dëshirën për t’u bashkuar me këtë grup edhe pesë deputetë të rinj. Vendimi i Ruçit u prit me duartrokitje nga Rudina Hajdari dhe disa prej deputetëve. Me pjesëmarrjen e 5 deputetëve të rinj në këtë grup dhe tërheqjen e atyre që firmosën duket se Hajdari që akuzoi Lulzim Bashën për puç, tashmë forcoi pozitat për të blinduar postin e kryetares së grupit, por Korab Lita u shpreh sot se është ai kryetari duke akuzuar Ruçin. Ndërsa pesë deputetët e rinj Vasil Stejovski, Ligoraq Karamelo, Majlinda Halili, Krenar Rryçi dhe Elda Hoti kanë shprehur me deklarata që t’i bashkohen grupit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë