Politike

Hajdari akuzon Bashën: Puç ndaj meje, duan të sabotojnë reformën zgjedhore

Demokratja Rudina Hajdari akuzon tre deputetët e grupit, Korab Lita, Alban Zeneli dhe Arben Elezin se po kërkojnë ta heqim duke i ndikuar nga forca politike që janë jashtë Parlamentit, por njëherësh shtoi se kjo gjë bëhet për sabotimin e reformës zgjedhore, duke shtuar se kjo përplasje brenda opozitës ndihmon dhe kryeministrin Edi Rama.
“Kjo është një histori që ndihmon dy persona Edi Ramën e Lulzim Bashën. Shmang vëmendjen nga një situatë e rëndësishme për Shqipërinë. Në vend të merreshim sot me negociatat, merremi me një incident nga tre persona që po mundohen të sabotojnë reformën zgjedhore dhe këtu dalim të Lulzim Basha. Është një tentativë për të spostuar rolin tim, por jo nuk do të ndodhë. Opozita në parlament ka një mbështetje të fortë të ndërkombëtarëve. Ne na intereson të hapen negociatat dhe nëse nuk hapen ju i dini shumë mirë fajtorët: Edi Rama e Lulzim Basha. Ata që kërkojnë spostimin tim, janë tre persona që s’kanë dhënë asnjë kontribut në Parlament. Ishte një tentativë e programuar shumë mirë nga këta tre persona: Lita, Zeneli dhe Elezi. Janë duke vënë në presion të jashtëzakonshëm ndaj opozitës, por nuk kanë për ta shkatërruar opozitën, është një tentativë që po ndodh nga jashtë”, deklaroi Hajdari.
Demokratja gjithashtu ka bërë edhe një version të asaj mbledhjeje për të cilën Lita thekson se vetë Hajdari ka pranuar që të lëshojë postin e kryetares së grupit. “Këta persona që kërkojnë spostimin tim, nuk kanë dhënë asnjë kontribut në parlament. Mbledhja ishte për një arsye tjetër, kemi pasur takim me dy ambasadorë, ishim për të diskutuar mbi reformën zgjedhore, dhe kërkesën tonë për ndryshim sistemi. Më pas shkuam për një mbledhje të grupit parlamentar. Mbledhja duhet të ishte parashikuar për këtë gjë, pra grupi të mblidhet se ka kërkesë për dorëheqje, por nuk ndodhi kështu, ne u mblodhëm për reformën zgjedhore më pas u ngrit kjo çështje. Dhe meqë doja të trajtoja në mënyrë demokratike, u thash më lini një javë kohë, ta mendojmë dhe të kthjellohemi, por pretenduesi e bëri fakt të kryer. Ishte ky plan i paramenduar që shtyu z.Lita të bënte atë deklaratë”, theksoi Hajdari.
Ndërsa theksoi se nuk i ka asnjë borxh Bashës, sepse e ka futur në listën për deputetë, edhe pse është mirënjohëse. “Unë jam mirënjohëse që jam në listën e PD-se dhe e mbaj atë me krenari. Por këtë lloj mentaliteti që ia më ka bërë ndër mua që më futi në listë apo që me hoqi nga lista, kjo është përpjekja ime që ne ta ndalojmë këtë lloj përpjekje që ti ndalojmë që t’u jemi në borxh kryetarëve tanë se na vunë në listë. Pikërisht ne po kërkojmë listat e hapura që kryetarët e partive mos i shohim se ua kem borxh një gjë të tillë, ne po luftojmë për ndryshimin e sistemit”, theksoi Hajdari.
Deputetja demokrate nuk e mohoi faktin se është takuar disa ditë më parë edhe me ish-kryeministrin Sali Berisha, duke theksuar se ajo ka takuar edhe ish-deputetët të tjerë të PD-së. Sipas saj janë të shumtë ata që e mbështesin betejën e opozitës së re në Parlament. Duke shprehur keqardhjen për qëndrimin e mbajtur nga deputetja Fatjona Dhimitri, Hajdari bëri të ditur se ishin pikërisht këta deputetë që i kërkon që të drejtonte grupin e opozitës së re dhe jo se ajo kishte shprehur dëshirën për drejtimin e saj. Hajdari theksoi se për këtë situatë në grupin “Demokrat” ia ka dërguar një letër sqaruese edhe kryeparlamentarit Gramoz Ruçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë