Shqipëria nuk është më konfuze si në kohën e Panuçit. Reja i ka vënë pikat mbi “i”, i ka idetë të qartë dhe zgjedhjet e tij janë të sakta. Kombëtarja shqiptare tani ofron siguri, ekipi është i konsoliduar dhe i bashkuar, prodhon lojë dhe raste për shënim, por edhe rezultat. Mëkat që na iku ajo pikë e merituar në Turqi. Trajneri Edi Reja ka punuar njëkohësisht në tri linja, lojë-rezultat-perspektivë, dhe ia ka dalë të bindë drejtuesit e FSHF-së për vazhdimin e bashkëpunimit, por edhe tifozët kuqezi. Po revolucionarizon Kombëtaren me lojëra të mira dhe fitore të thella. Në ekipin e tij janë 8 lojtarët e sigurt.
“Ishte një ndeshje e vështirë, ku duhet përqendrim maksimal, edhe pse kundërshtari ishte modest. Kur rezultati shkoi 0-3, e menaxhuam mirë lojën. Ishte një paraqitje e mirë si skuadër”, - ka theksuar pas fitores në Moldavi trajneri i Shqipërisë, Edi Reja, duke mos veçuar individë. Sigurisht, është mjaft i kënaqur për lojën dhe rezultatin. Mekanizimi që italiani ka ndërtuar po funksionon më së miri. Kuqezinjtë po shfaqen një skuadër kompakte, që të jep besim. Dora e trajnerit Reja është e dukshme. Lëvizjet e tij kanë rezultuar të goditura. Që pas ndeshjes me Islandën, ku po ashtu Shqipëria ka shënuar 4 gola, trajneri ka siguritë e tij në çdo repart sa i takon formacionit dhe i duhet të ndryshojë vetëm pak gjëra, në varësi të kundërshtarit.
Reja e ka ndarë mendjen për portën, duke ia besuar kuadratin Strakoshës, pavarësisht asaj gafe fatale në Turqi, që u hoqi kuqezinjve një pikë plotësisht të merituar. Nuk ka më dy portierë njësoj, por Strakosha portier i parë dhe Berisha i dytë, ndërsa i tretë tani vlerësohet Selmani që ka parakaluar Hoxhën e Partizanit. Siguritë e trajnerit Reja vazhdojnë në mbrojtje me dy nga tre lojtarët e këtij reparti. Ismajli dhe Gjimshiti janë të palëvizshëm. Ofrojnë garanci dhe janë ende në rritje si lojtarë. Për vendin e mbrojtësit të tretë janë Mavraj, Dermaku dhe Kumbulla kandidatë kryesorë, me këtë të fundit që debutoi në Moldavi dhe që gradualisht do t‘u bashkohet Gjimshitit dhe Ismajlit.
Në mesfushë Reja ka ndryshuar gjithçka, jo vetëm se aplikon skemën me 5 lojtarë në këtë repart. Ai ka ndryshuar qendrën, duke ua besuar “çelësat” e lojës Gjasulës dhe Bares, të cilët janë siguria kryesore e kuqezinjve. Janë të dy titullarë fiks, për të cilët trajneri italian ka guxuar dhe koha i ka dhënë të drejtë. Janë ata të dy “motorët” e Kombëtares, mjaft të disiplinuar taktikisht, agresivë dhe të saktë në pasime. Memushaj dhe Abrashi janë alternuar për mesfushorin e tretë të qendrës, ndërsa në krahë titullarë konsiderohen Hysaj dhe Lenjani. Një mesfushë që ka bërë të mos ndihet aspak mungesa e Bashës së tërhequr nga Kombëtarja dhe Xhakës që është lënë jashtë liste nga trajneri Reja. Befasuese ka qenë vendosja e Veselit në mesfushë, ku mbrojtësi ka bërë një paraqitje shumë të mirë në të dyja ndeshjet e fundit. E ka bërë më së miri Hysajn dhe Reja e ka të qartë se çfarë mund të bëjë ky lojtar. Nuk është aspak çudi që me rikthimin e Hysajt ta shohim në të majtë, të bëjë Lenjanin. Mbështetja që i ka dhënë Reja duket se e ka rilindur lojtarin e Empolit.
Edhe në sulm trajneri ka siguri të plotë. Cikalleshi-Manaj është një dyshe që funksionon. Ata e ndihmojnë shumë skuadrën, duke bërë presing te mbrojtja kundërshtare, kombinojnë mirë me njëri-tjetrin, krijojnë raste dhe mbi të gjitha shënojnë. Jo më kot trajneri Reja nuk i ka lëvizur më që nga ndeshja me Islandën. Kështu, në total trajneri italian është shumë i qartë për potencialin që skuadra që drejton, e di shumë mirë kush duhet të luajë dhe si duhet të luajë. “Orkestra” e dirigjuar prej tij bën “muzikë” të mirë për tifozët e Kombëtares dhe nuk ka më dyshim se është trajneri i duhur për Shqipërinë. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka lënë të kuptohet se bashkëpunimi do të vazhdojë. “Nuk ka shumë gjëra për të diskutuar”, - ka thënë ai pas fitores me Moldavinë. Shqipëria e Rejës është ndër skuadrat më të mira që kemi parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.