Politike

As mish, as peshk!

Mentor Kasa - Mes 12 viteve burg që kërkoi prokuroria dhe këmbënguljes së pafajësisë së kërkuar nga Saimir Tahiri, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda gjeti një rrugë të mesme, që në gjuhën popullore mund të përkthehet “as mish, as peshk” dhe që nuk kënaq asnjërën palë në këtë proces.

Kështu e lexoi edhe vetë ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri verdiktin e dhënë nga treshja e gjyqtarëve të Krimeve të Rënda. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai paralajmëron gjithashtu se nuk do të pajtohet as me këtë vendim dhe do të vazhdojë betejën për pafajësinë.

“Nuk të themi dot që je i pafajshëm, kështu që po të dënojmë pak fare. Kështu e kuptova sot. Beteja ime sapo ka filluar. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen”, shkruan ish-ministri i Brendshëm në shënimin e tij, duke paralajmëruar apelimin e këtij vendimi.

Apelimi është paralajmëruar edhe nga ana e Prokurorisë, të cilës iu rrëzuan të tre akuzat e rënda që kishte ngritur kundër Saimir Tahirit. Organi i akuzës nuk bindi gjykatën për akuzën e “trafikimi i narkotikëve në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerja e veprave penale në kuadër të një organizata kriminale dhe grupi të strukturuar kriminal”.

Në vend të kësaj, gjykata vendosi të rikualifikojë akuzën, duke e akuzuar Saimir Tahirin vetëm për shpërdorim detyre. Për t’u njohur me arsyetimin e plotë në detaje se ku e bazoi gjykata këtë ndryshim të akuzës, duhet pritur zbardhja e vendimit të plotë të arsyetuar të saj. Kjo zbardhje do të bëjë publike edhe faktin nëse vendimi i trupës së tre gjyqtarëve ka qenë unanim, apo është marrë 2 me 1.

Megjithatë, në arsyetimin e përmbledhur shkurtimisht e të lexuar nga kryesuesi i treshes së gjyqtarëve, Ardit Mustafaj, Saimir Tahiri shpallet fajtor për shpërdorimin e detyrës nisur nga të dhënat e monitorimit ajror të italianëve, që për vitin 2016 gjeti një shtim të ndjeshëm të sipërfaqeve të mbjella me kanabis në rrethin e Vlorës. Gjykata vëren se ka një lidhje mes grupit të Habilajve me disa zyrtarë të policisë vendore të Vlorës. Por, sipas gjykatës, nuk provohet se lidhja e Saimir Tahirit dhe e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Jaeld Çela me grupin e Habilajve është aq e fortë sa ata të akuzohen për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe trafik droge.

Si përfundim, ashtu si për Saimir Tahirin, edhe për Jaeld Çelën, gjykata vendosi ta dënojë vetëm për akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërkohë që për dy ish-zyrtarë të tjerë të policisë, Gjergji Kohila dhe Sokol Bode dosja është ndarë. Çela mori të njëjtin dënim si Saimir Tahiri, me ndryshimin e vetëm që dënimi me 3.4 vite burg në një burg të sigurisë së zakonshme nuk iu konvertua në shërbim prove për shkak se ai i është shmangur përballjes me drejtësinë dhe ndodhet në arrati që prej nisjes së hetimeve ndaj tij.

Dështimi i prokurorisë

E gjithë dosja voluminoze e organit të akuzës ndaj Saimir Tahirit dhe Jaeld Çelës bazohej në katër episode trafiku droge në periudhën 2013-2015, përgjimet telefonike dhe ambientale të palës italiane, makinës Audi dhe të skafit të përdorur si nga ish-ministri ashtu edhe nga Habilajt.

Por, gjatë gjithë procesit gjyqësor, që nga marsi e deri në shpalljen e vendimit më 19 shtator, organi i akuzës nuk ishte në gjendje që të paraqiste prova bindëse para gjykatës që të tregonin lidhjen e Saimir Tahirit me grupin e Habilajve, përveç lidhjes farefisnore të tyre.

Jo vetëm kaq, por në seancën e parafundit, kur organi i akuzës dha edhe pretencën, pati një “mosmarrëveshje” mes treshes së prokurorëve Arenc Çela, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara. Në momentin kur njëri prej gjyqtarëve të trupës gjykuese kërkoi nga organi i akuzës saktësimin se për çfarë episodesh akuzohej ish-ministri i Brendshëm, njëri prej prokurorëve foli për tre episode, ndërsa prokurori Vladimir Mara përmendi edhe bllokimin e katër tonëve drogë në fshatin Babicë të Vlorës në tetor të 2017. Por, për këtë sasi droge është arrestuar dhe është në gjykim shtetasi Armand Koçeli.

Për të vazhduar më tej, organit të akuzës iu rrëzuan një nga një të gjitha episodet që pretendonte se lidhnin Saimir Tahirin me grupin e Habilajve. Në volumin e përgjimeve të organit të akuzës veçohej episodi ku Moisi Habilaj flet me trafikantë të tjerë dhe në një moment del në pah “shefi i madh”, madje thuhet se ishin dhe në drekë me “shefin”. Prokuroria thotë se me “shefi i madh” trafikanët i referoheshin Saimir Tahirit.

Por, koha kur është bërë biseda është rrëzuar nga alibia e fortë e Saimir Tahirit, që tha se atë ditë ka qenë në Bruksel me Klajda Gjoshën, Nasip Naçon dhe ka dalë edhe në një konferencë me Komisionerin e Zgjerimit. “Nuk ka si të isha edhe në konferencë, edhe në drekë”, tha Tahiri. Prokuroria e akuzoi edhe se ka pritur në zyrë njërin nga vëllezërit Habilaj, por atë ditë Tahiri tha se ka qenë në zyrë me Adriatik Llallën, Visho Ajazin dhe ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço, pasi ishin arratisur 7 persona nga burgu i Drenovës.

Edhe për radarët, prokuroria nuk arriti që të provojë lidhjen mes Saimir Tahirit dhe fikjes së tyre, aq më tepër që sistemi i tyre ishte në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilën, ish-ministri i Brendshëm tha se e ka vënë në dijeni përmes të paktën gjashtë shkresave.

Ajo që bie në sy është se në dosjen e organit të akuzës, të paktën tek ajo pjesë që është bërë publike e kësaj dosjeje, mungon emri i Dritan Zaganit. Ish-oficeri i antidrogës, tashmë i shpallur në kërkim dhe që ka përfituar azil në një nga vendet e Bashkimit Europian ishte i pari që denoncoi trafikun e drogës së Habilajve dhe po i pari që foli për një lidhje të tyre me Saimir Tahirin.

Pavarësisht këtyre mangësive në dosje, prokuroria është e pakënaqur me vendimin e gjykatës dhe njoftoi se do ta apelojë atë. I pakënaqur është edhe Saimir Tahiri, që gjithashtu paralajmëroi apelimin. Dosja pritet që brenda 15 ditësh të kalojë në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda, por nëse të dyja palët shkojnë me të njëjtat prova, vështirë se produkti final që do të dalë prej andej do të jetë i ndryshëm nga ai i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.

Kush ishin gjyqtarët që e dënuan?

Trupa gjyqësore që dënoi Saimir Tahirin me akuzën e shpërdorimit të detyrës përbëhej nga tre gjyqtarët, Ardit Mustafaj, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj. Kryesues i trupit gjykues ishte Ardit Mustafaj, që në korridoret e sistemit të drejtësisë njihet për “dorën e rëndë”, si autor i disa vendimeve me burg përjetë që ka marrë.

Mos dosjeve që ka hetuar ai është edhe ajo e Dritan Dajtit, madje pikërisht për këtë dyshohet se është kërcënuar në vitin 2012, përmes një letre ku i kërkohej që të hiqte dorë. Vetë gjyqtari ka denoncuar në prokurori kërcënimin në fjalë dhe është menjëherë është marrë në mbrojtje familjarisht.

Emri i Saimir Tahirit është vendosur edhe herë të tjera në tryezën e gjyqtares Flora Hajredinaj. Ajo është gjyqtarja që ka dhënë masën e arrestit të sigurisë me burg në mungesë për Dritan Zaganin, ish-oficerin e policisë së shtetit, që akuzoi i pari grupin e Habilajve dhe Saimir Tahirin për lidhje me ta.

Gjyqtarja tjetër, Irena Gjoka ishte pjesë e trupës së gjyqtarëve që mori vendimin e dënimit me burg përjetë për Dritan Dajtin, për vrasjen e 4 efektivëve të policisë në ngjarjen e rëndë të ndodhur në gusht të 2009.

Mesazhet e koduara

Më 1 nëntor të 2018, pak ditë pas dorëheqjes së Fatmir Xhafajt si ministër i Brendshëm Saimir Tahiri doli me një deklaratë për mediat, ku njoftonte pushimin e hetimeve nga pala italiane për akuzat e ngritura ndaj tij. Një pjesë të shkurtër të atij mesazhi të përcjellë në atë kohë, ish-ministri i Brendshëm e ka rikujtuar pas vendimit të gjykatës që e gjeti fajtor për shpërdorim detyre.

“Unë jam Saimir Tahiri që kam qenë dhe do të vazhdoj të jem po njëlloj, me të njëjtën forcë për të luftuar për të vërtetën dhe kush ka rënë e nuk është ringritur?! Kush ka vuajtur dhe nuk ka pritur?! Një ditë më e mirë vjen”, thuhet në mesazhin e tij.

Në të shkuarën, Saimir Tahiri ka lëshuar disa mesazhe, që janë perceptuar si të koduara në adresë të Fatmir Xhafajt dhe Kryeministri Edi Rama. Kjo u përsërit edhe në seancën e fundit të gjyqit ndaj tij. Por a fshihet pas kësaj videoje një mesazh i ngjashëm i koduar, përmes të cilit ish-ministri i Brendshëm nuk kërkon as më pak dhe as më shumë përveç pafajësisë? Vetë Tahiri e mohon këtë.

“Është fyese për mua të thoni që jap mesazhe të koduara. Jam aq burrë sa ta bëj drejtpërdrejtë, sa nuk lodhem fare me mesazhe të koduara. Të jesh i bindur për këtë. Mos më fyeni më me këtë historinë e mesazheve të koduara, sepse hyj tek ata burra që e bëj drejtpërdrejtë”, deklaroi ai në një prononcim të shkurtër telefonik me emisionin “Opinion”.

Megjithatë, kjo deklaratë e ish-ministrit të Brendshëm bie ndesh me disa deklarata të tij. Gjatë seancës gjyqësore ai nuk përmendi emra, por dukshëm nga përmbajtja i referohej Fatmir Xhafajt.

“E vetmja gjë që më implikon mua është shitja e makinës te Artan Habilajt, një person i cili nuk është as nën hetim, as i dënuar dhe unë po mbaj përgjegjësi për vëllezërit e këtij personi, kur ka njerëz që nuk mbajnë përgjegjësi për vëllezërit e tyre. Jam i sigurt që të gjithë kemi nga një kushëri budalla, kriminel në fis, por askush nuk mban përgjegjësi”, tha ai.

Kjo ishte e fundit dhe më e freskëta, por jo e vetmja. Në të shkuarën, Saimir Tahiri ka vënë në gojën e tij fjalë dhe togfjalësha të ish-eprorir të tij dhe ka përsëritur shpesh se “do të flasë edhe ai”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë