Shtyhet me dy muaj afati i komisionit të posaçëm hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Në këtë propozim të hedhur nga kryekomisioneri Ulsi Manja, dy deputetët e opozitë Halit Valteri dhe Adriatik Alimadhi dolën kundër zgjatjes së këtij afati, ndërsa 7 deputetët e tjerë ishin pro. I pari kërkoi që të mos ketë një zgjatje kaq të gjatë, pasi kjo duket si një tallje, ndërsa opozitari i dytë u shpreh se ky komision nuk duhet të ekzistojë, pasi sipas tij, Meta nuk ka kryer shkelje të rëndë kushtetuese. “Janë zhvilluar zgjedhje dhe nuk prodhuan një situatë të rëndë politike. Ose kthejini 61 bashkitë ose ktheni komisionin hetimor. Kjo nuk është shkelje e rëndë e Kushtetutës. Asnjëri nga ne mund të pretendojë se presidenti ka bërë ndonjë marrëveshje që prek interesat e këtij vendi, apo prek interesat e shqiptarëve”, theksoi Alimadhi.

Gjithashtu deputeti i Ballit Kombëtar kërkoi që të thirren edhe krerët e tjerë të institucioneve për të dëshmuar, pasi në të kundërt kjo mund të cilësohet si diskriminim. Kjo u kundërshtua nga socialistët, pasi theksuan se Presidenti u thirr për të dëshmuar, pasi e gëzon një të drejtë të tillë. Propozimi që të shtyhet me dy javë apo dhe me vetëm një muaj i hedhur nga opozita u duk i papërshtatshëm, pasi sipas tyre, raporti i komisionit të Venecias do të publikohet pas datës 12 tetor dhe se sipas kryekomisionerit Manja, nga praktika, ai do të jetë voluminoz dhe kërkon kohë që të përkthehet.

Ndërsa nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi u shpreh se kërkesa për shtyrje duhet të votohet në seancën e datës 19 shtator, pasi kjo nuk mund të realizohet më 3 tetor, sepse është në shkelje të Rregullores, e cila kërkon që propozimi të jetë të paktën shtatë ditë përpara. Por diskutimi nuk ka kaluar pa batuta dhe debate mes komisionerëve. “Shqiptarët përpara festës së nëntorit do ta kenë vendimin. Meqë është festa e madhe e çlirimit, ne do t’ia japim edhe këtë çlirim popullit shqiptar. Ishte batutë për ngacmuar mikun tim Alimadhi”, theksoi socialisti Alket Hyseni.
Por deputeti i Ballit iu kundërpërgjigj me batutën se “Sigurisht që kam probleme, faleminderit që më ngacmoni e thoni se Balli nuk ka bërë luftë. Prit pak. Nuk ka bërë luftë për të fituar pushtetin. Ju do të caktoni një datë çlirimi 29 nëntorin. Si e keni çliruar ju vendin, gjysmak, ne trojet shqiptar i kemi akoma të pushtuara, ju merreni me ditën e çlirimit”.
Meta dorëzon raportin sekret për djegien e Parlamentit
Pas votimit për shtyrjen e afatit, kryekomisioneri Ulsi Manja deklaroi se pas seancës dëgjimore të zhvilluar me kreun e shtetit, i është drejtuar me anë të shkrese Presidencës për të vënë në dispozicion raportin sekret, ku Meta informohej se më 8 qershor do të digjej Parlamenti dhe se kjo ishte një nga arsyet se pse vendosi që shfuqizojë zgjedhjet e 30 qershorit.

“I jam drejtuar Presidentit për këtë informacion të dhënë në seancën dëgjimore dhe se me mund të them se me 11 dhe 13 shtator ka përfunduar procedura e plotë e vënies në dispozicion e këtij materiali nga presidenca dhe që do të jetë pjesë e dokumentacionit dhe në bazë të ligjit për informacion të klasifikuar do të jetë pjesë e diskutimit, për të administruar të gjitha provat që ne kemi në dispozicion nga institucionet dhe do të jenë pjesë e diskutimit. Pasi kemi folur me DSIK, por edhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit, shumica janë të pajisur me certifikatë sigurie”, theksoi Manja.

Më tej ai theksoi se ato deputetë të tjerë janë në kohë për t’u pajisur me certifikatë sigurie. Sipas të dhënave paraprake deputetët pa certifikatë sigurie janë nga opozita e re. Vetë deputeti i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi kërkoi që të realizohet një procedurë e tillë, ndërsa Manja u shpreh se do të zbatohen të gjitha rregullat strikte të ligjit dhe do të bashkëpunohet me Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) për pajisjen me cetifikatën e posaçme. Presidenti Meta deklaroi se informacionin e kishin marrë nga institucionet e sigurisë, por pa dhënë ndonjë emër specifik. Por sipas burimeve të Gazeta Si, ky informacion i është vënë në dispozicion Presidentit nga ana e SHISH.
“Djegia e Parlamentit”, Siguria vendos se kur do të thirret kreu i SHISH
Komisioni i Sigurisë Parlamentare ka pranuar kërkesën e 9 deputetëve për të thirrur në seancë dëgjimore, kreun e SHISH, Helidon Bendo, për informacionin e Presidentit Meta se në datën 8 qershor do të digjej Kuvendi. Por thirrja e kryeagjentit shqiptar nuk mund të bëhet pa u mbyllur puna e komisionit të posaçëm hetimor i ngritur për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Të paktën këtë la të nënkuptojë kryekomisionerja e Sigurisë, socialistja Ermonela Felaj gjatë shqyrtimit të kërkesës së firmosur nga 9 deputetë për thirrjen për të dëshmuar kreun e SHISH, Bendo, nëse informacioni i dhënë nga presidenti në dëshminë e tij është i saktë ose jo.
“Pasi tee jenee administruar provat, ne do të theerrasim Helidon Bendon nee Komision. SHISH nuk eeshtee institucion qee informon Kuvendin, pasi raporton sa herë diskutohet për buxhetin e këtij institucioni. SHISH ka ligjin e vet organik, kreu i saj propozohet nga kryeministri dhe miratohet nga Presidenti. Informacionet e SHISH nuk ndahen me cilindo institucion, janee informacione te klasifikuara. Janë informacione konfidenciale që i shërbejnë sigurisë kombëtare dhe nuk mundet të shkojnë kudo”, deklaroi Felaj.

Socialistja deklaroi se nuk mund të ndërhyjë në këtë moment komisioni parlamentar të Sigurisë në një kohë kur është ngritur një komision hetimor i posaçëm që po hetohet në lidhje me këtë çështje.
“Komisioni hetimor është duke zhvilluar mbledhje tani. Është e qatë se komisioni duhet të hedhë dritë për këtë, e di që komunikimi mbi të këtë fakt është bërë publik. Ata janë duke hetuar. Çështja në fjalë është mbërthyer edhe SHISH. Që SHISH informon presidentin dhe kryeministrin nuk është gjë e re. Te ne raporton për veprimtari për buxhetin. Kërkesa pranohet por nuk mund të bëhet tani. Ne kemi rënë dakord që të hetojë ai komision, dhe nuk mund të futemi në mes. Ai është një komision i posaçëm i ngritur mbi bazën e një ligji të posaçëm, dhe ka një vendim me shumicë dhe në unanimitet në seancë. Është arsye procedurale e ligjore që nuk na lejon ne që të bëjmë një hetim paralel. Pasi ta kemi administruar ne si provë do të hetojmë”, theksoi Felaj.
Nëntë deputetët, anëtarë të komisionit të Sigurisë : Xhemal Qefalia, Sadri Vorpsi, Eljo Hysko, Antoneta Dhima, Anduel Xhindi, Lefter Maliqi, Myslim Murrizi, Luan Duzha, Elena Xhina firmosën kërkesën ku theksohej se “Të thirret në Komision e Sigurisë Kombëtare, Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Elidon Bendo, për të dhënë informacion më të detajuar në lidhje me sa më sipër”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




