Politike

Shkarkimi i Metës, letra e Ruçit me 8 pyetje për Komisionin e Venecias

Në ditën kur Ilir Meta mbush dy vjet nga dita e betimit si presidenti i vendit, Parlamenti i ka publikuar i ka publikuar letrën që kryeparlamentari Gramoz Ruçi i ka drejtuar komisionit të Venecias për interpretuar nëse kreu i shtetit shkeli Kushtetutën me dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Mazhoranca iu përgjigj edhe në këtë mënyrë aktit të presidentit, i cili disa orë më parë trotiki në zyrën e Gjykatës Kushtetuese ku depozitoi kërkesën për shpalljen si antikushtuetuese të ligjit për "Teatrin". Në letrën drejtuar drjetuesit të Komisionit të Venecias, Gianni Buquiçhio kërkohet mendim mbi situatën në Shqipëri, duke e konsideruar të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme për mirëfunksioninim e demokracisë në Shqipëri. Ne letër Ruçi i drejton 8 pyetje Komisionit të Venecias lidhur me rolin e Presidentit Meta që ka në raport me dekretin e nxjerrë për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Faksimile e letres drejtuar komisionit te Venecias

Ruçi e vlerëson së tepëri rolin e komisionit të Venecias dhe raportet e dhëna kanë qenë gur themeli për demokracinë institucionale në Shqipëri. "Reputacioni i Komisonit të Venecias është i padiskutueshëm dhe kontributi i tij vazhdon të vlerësohet shumë nga populli shqiptar dhe nga institucionet shtetërore. Në emër të Kuvendit të Shqipërisë, po ju dërgoj këtë kërkesë për dhënie mendimi mbi situatë të ndjeshme dhe shumë të rëndësishme për mirëfunksonimin e demokracisë në Shqipëri", thuhet në këtë letër që mban datën 22 korrik.
Duke i sqaruar situatën që nga nxjerrja e dekretit dhe përgatitja e zgjedhjeve, sa i përket çështjes së anulimit të 30 qershorit, Ruçi thekson në këtë letër se "ai dekret u bë shkak për disa situata kaosi dhe dhune, si dhe shkaktoi pasiguri juridike në disa zona të vendit, kryesisht në ato bashki që drejtoheshin nga përfaqësues të opozitës jashtë parlamentare".
Kryeparlamentari vë në dijeni komisionin dhe faktin se mazhoranca ka ngritur një komision hetimor parlamentar për shkarkimin e presidentit pasi e cilëson arbitrare vendimin për anulimin e zgjedhjeve duke shkelur sipas tyre Kushtetutën dhe cenuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për t'u zgjedhur.

Ndërsa vë në dukje se dekreti i tretë i nxjerrë për zgjedhjet e 13 tetorit është pranuar deri më tani vetëm nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Ndër pyetjet e paraqitura kërkohet të dihet roli i presidentit në raport me regjimet parlamentare dhe pushetet e shtetit sa i takon proceseve zgjedhore, si dhe cilat janë detyrimet kushtetuese dhe konventore që i imponohen Presidentit të Republikës në regjimet parlamentar, siç është Shqipëria, në ushtrimin e kompetencës për caktimin e datës së zgjedhjeve.
"Nëse Presidenti i Republikës pasi ka caktuar datën e zgjedhjeve dhe organet e administrimit të zgjedhjeve janë duke kryer veprimet sipas ligjit, e anulon dhe cakton një datë tjetër, a kemi cenim të parimeve të së drejtës për të zgjedhur dhe të sigurisë kushtetuese, në funksion të respektimit të shtetit të së drejtës?", thuhet në pyetjen e pestë drejtuar Venecias.
Sakaq Ruçi vë në dijeni se në Shqipëri mungojnë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe thekson se brenda vjeshtës do të nisë emërimi i anëtarëve. Mazhoranca vendosi për t'ju drejtuar Venecias, pas një kërkesë të bërë në komisionin hetimor parlamentar, i ngritur për të vërtetuar shkeljet e presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.
Propozimi i deputetës Klotilda Bushka u miratua në mbledhjen e komisionit të posaçëm hetimor.
Kjo nismë e mazhorancës u cilësua si një tërheqje e mazhorancës, e cila po kërkon që përpara se të vendosë për shkarkimin e presidentit të ketë edhe një opinion të ekspertëve ndërkombëtarë, siç është edhe komisioni i Venecias, institucion që është në varësi të Këshillit të Europës.

Linku për kërkesën e plotë të Parlamentit për Venecian

Pyetjet e drejtuara Venecias për interpretim

  1. Cili është roli i Presidentit të Republikës bën regjimet parlamentare si Shqipëria, në raport me pushtetet e shtetit sa i takon proceseve zgjedhore?
  2. Cilat janë detyrimet kushtetuese dhe konventore që i imponohen Presidentit të Republikës në regjimet parlamentar, siç është Shqipëria, në ushtrimin e kompetencës për caktimin e datës së zgjedhjeve?
  3. A ka kufizime në ushtrimin e kësaj kompetence që rrjedhin nga e drejta demokratike e zgjedhësve për ta ushtruar këtë të drejtë sipas marrëveshjes kushtetuese, me siguri dhe parashikueshmëri?
  4. Kompetenca e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, është një e drejtë për të vendosur ushtrimin e sovranitetit të popullit, apo një detyrim i tij për të garantuar cilësisht ushtrimin e sovranitetit popullor nëpërmjet zgjedhjes së përfaqësuesve të tij, brenda kufizimeve që sovrani ka vendosur nëpërmjet Kushtetutës së miratuar prej tij?
  5. Nëse Presidenti i Republikës pasi ka caktuar datën e zgjedhjeve dhe organet e administrimit të zgjedhjeve janë duke kryer veprimet sipas ligjit, e anulon dhe cakton një datë tjetër, a kemi cenim të parimeve të së drejtës për të zgjedhur dhe të sigurisë kushtetuese, në funksion të respektimit të shtetit të së drejtës?
  6. Në rastin e mësipërm a kemi ndërhyrje të Presidentit të Republikës në procesin zgjedhor, duke cënuar të drejtën e subjekteve zgjedhore për të konkurruar në mënyrë të barabartë dhe të lirë?
  7. Nisur nga pranimi se qeverisja duhet të dalë nga një sistem zgjedhjesh periodike, që mbahen çdo katër vjet, nxjerrja e Dekretit të Presidentit që anulon datëen 30 qershor 2019 si datë të mbajtjes së zgjedhjeve vendore dhe që zgjat qëndrimin në detyrë të përfaqësuesve në këshilla bashkiakë dhe kryetarë të bashkive, tej mandatit katër vjeçar, a e respekton parimin e periodicitetit të zgjedhjeve?
  8. Duke patur parasysh se ndryshimi i datës së zgjedhjeve ndikon tek pritshmëritë ligjore për subjektet zgjedhore dhe zgjedhësit, a konsiderohet se cënohet siguria juridike në këto raste? A është i lidhur cënimi i sigurisë juridike me pasojat që vijnë apo mjafton shkelja e parashikimeve kushtetuese dhe cënimi konsiderohet i kryer?

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë