“Rusi 2018” është Botërori i surprizave, që kanë filluar në fakt shumë më herët nga sa mendohej. Gjermania, kampione në fuqi, nuk kaloi grupin, ndërsa me nisjen e fazës me eliminim direkt u kthyen në shtëpi Argjentina, Portugalia dhe Spanja. Yje si Mesi, Kristiano Ronaldo, Iniesta e të tjerë nuk janë më në Botëror.
Por vazhdojnë të ecin përpara dhe të konfirmohen si pretendentët kryesorë për fitimin e trofeut brazilianët. Këtë herë me më pak yje, por me një futboll pragmatist europian, kanë kaluar pa problem Meksikën, me rezultatin 2-0. Sulmuesi më i shtrenjtë i historisë, Nejmar, më shumë se për golin e shënuar, ka marrë vëmendjen për simulimet e tij, duke u shndërruar në objekt talljeje të rrjeteve sociale, që janë treguar të pamëshirshme ndaj tij. Por edhe personalitet e futbollit vazhdojnë ta kritikojnë për egoizimin e tepruar.
Sidqoftë, Nejmar ka numra mbresëlënës, shënon më shumë se Mesi dhe Kristiano Ronaldo me kombëtaren. Goli i tij ndaj Meksikës, që zhbllokoi rezultatin, ka shënuar një rekord botëror: Brazili është ekipi që ka shënuar më shumë gola në histoinë e Botërorëve. Seleçao ka kaluar Gjermaninë, që ia kishte marrë rekordin pas fitores 7-1 në Botërorin e 4 viteve më parë, pikërisht në Brazil. Kurse goli i Firminos thelloi rekordin, duke e çuar Brazilin në kuotën e 228 golave, 2 më shumë se Gjermania. Vendi i tretë në këtë klasifikim, që mbahet nga Argjentina, është shumë larg. Argjentina ka shënuar 137 gola, Italia e vendit të 4-t ka shënuar 128 gola dhe Franca e vendit të 5-të 113 gola.
Gjatë ndeshjes së sotme mes Brazilit dhe Meksikës është regjistruar edhe një tjetër rekord botëror. Mbrojtësi i Meksikës, Rafael Markez, është lojtari i parë në histori që ka mbajtur shiritin e kapitenit në 5 Botërorë të ndryshëm. Ai luajti dje, në moshën 39-vjeçare, nga minuta e parë, por u zëvendësua nga trajneri Ozorio pas pushimit të ndeshjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.