Lajme

PD publikon pasaportën: Agim Kajmaku është Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi

Partia Demokratike, nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, vijon sërish me akuzat ndaj kryebashkiakut të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit në Vorë, Agim Kajmakun.
Bardhi ka publikuar sot të dhënat e sistemit TIMS për kryebashkiakun Kajmaku, që sipas tij, janë një provë e pakontestueshme se kryebashkiaku socialist ka qenë i arrestuar në vendin fqinj.
“Në vendimin e publikuar dje, thuhet se shtetasi i arrestuar për krimin që dënohet me jo më pak se 10 vjet burgim, është shtetasi shqiptar Jorgo Toto që posedon pasaportën me nr. Z 0148497. Sipas rregullave në fuqi, kur një shtetas pajiset me pasaportë, të dhënat e tij hidhen menjëherë në sistemin shtetëror TIMS. Këtë dokument autentik ne e posedojmë dhe, nëpërmjet tij, provojmë në mënyrë të pakundërshtueshme se Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është Jorgo Toto, i arrestuar në vitin 2003 në Greqi. Sipas sistemit shtetëror TIMS, Agim Kajmaku (që është ekzaktësisht personi që shikoni në foto), kur ka pasur emrin Jorgo Toto, i datëlindjes 06.07.1971, i biri i Imer dhe Maxhe, ka qenë posedues ekzaktësisht i pasaportës me Nr. Z 0148497. Kjo është një provë e pakontestueshme që Jorgo Toto i arrestuar në Greqi me pasaportën me nr. Z 0148497, është Jorgo Toto, që ju shikoni në foto, me pasaportën me nr. Z 0148497, dhe që sot mban emrin Agim Kajmaku”, shprehet Bardhi nga selia blu.
Gjatë deklaratës, Bardhi rikujtoi edhe njëherë pesë faktet që PD publikoi dje për Agim Kajmakun.


“Partia Demokratike paraqiti dje 5 fakte.
Agim Kajmaku me emrin Jorgo Toto është arrestuar në Greqi në vitin 2003 për një krim që dënohet deri në 10 vjet burg.
Agim Kajmaku e ka fshehur arrestimin në Formularin e Dekriminalizimit.
Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, sot e kësaj dite, është me masë arresti me burg në fuqi në Greqi.
Agim Kajmaku me emrin Jorgo Toto, me proces penal të hapur në Greqi, është në kërkim kombëtar nga drejtësia greke.
Agim Kajmaku ndalohet nga ligji i dekriminalizimit të jetë kandidat për kryetar
bashkie. Për fshehjen e krimit, ligji parashikon humbjen e menjëhershme të
mandatit dhe burg deri në 4 vjet”, tha ndër të tjera Bardhi.
Sekretari Përgjithshëm i PD-së thekson heshtjen e kryeministrit Rama pas publikimit të dokumenteve që tregonin përfshirjen e Kajmakut me botën e krimit.
“Megjithëse provat janë publike, Edi Rama vazhdon të heshtë për t’i dhënë kohë strategjisë së tij prej burracaku, që nuk i mbron direkt kriminelët e vet në bashki, por përdor mercenarët në media për të thënë se Agimi Kajmaku nuk është Jorgo Toto, i arrestuar në Greqi. Me pseudo alibinë se Jorgo Toto i arrestuar në 2003-shin është një person tjetër dhe se emri është thjesht një rastësi me atë që ka përdorur dikur Agim Kajmaku, Edi Rama synon të mashtrojë qytetarët, duke mbrojtur pushtetin e vet kriminal. E vërteta është ajo e deklaruar nga Partia Demokratike që dje”, përfundon Bardhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë