Para

Zhvlerësimi i euros, Konfindustria: BSH po favorizon qeverinë dhe grupe të tjera!

Konfindustria akuzon Bankën e Shqipërisë se me mosanalizimin e faktorëve të zhvlerësimit të euros në tregun e brendshëm dhe gjetjen e zgjidhjeve të mundshme, tregon se po favorizon qeverinë dhe grupe të tjera e si rrjedhojë ka dështuar në rolin e saj institucional.

“Mungesa e plotë e analizës institucionale së shkaqeve, pasojave në ekonomi, mosveprimet dhe/ose politikat e gabuara të Bankës së Shqipërisë në problematikat e zhvleftësimit të thellë të Euro-s, në mjaft raste cënojnë pavarësinë e siguruar me ligj të institucionit, duke ndihmuar ekzekutivin dhe/ose grupe të caktuara importuesish dhe operatorësh të tregut, në kundërshtim me interesin publik në afatgjatë. Rasti i fillimit të politikës së“de-euroizimit” të ekonomisë, që përkoi pikërisht në kulmin e zhvleftësimit të monedhës europiane ndaj Lek-ut, është shembull i qartë i paaftësisë dhe deri subjektivizmit të Bankës së Shqipërisë.”- citon Konfindustria.

Pasojat e mbivlerësimit të Lek-ut kundrejt monedhës europiane, sqaron ajo, godasin drejtpërdrejt fuqinë konkuruese të vendit për investime prodhuese, ndihmojnë hapur lobet importuese në dëm të prodhimeve të markës “ Made in Albania”, prekin ndjeshëm deri në falimentim kompanitë shqiptare, që prodhojnë për eksport dhe tregun vendor, zhveftësojnë ashpër kursimet dhe mbijetesën e një mase dërrmuese të qytetarëve me burim të ardhurat nga emigracioni.

Sipas Konfindustrisë politika monetare e BSH-së ka qenë e gabuar përderisa situata rezulton me rënie të rendimentit fiskal të ekonomisë shqiptare, me pasojë edhe nërënien e vazhdueshme të të ardhurave në buxhetin e shtetit, shprehur dhe në fushatën e fundit të ekzekutivit kundër informalitetit.

“Gjatë muajit gusht 2019 Euro ka arritur nivelin më të ulët historik të vlerës së saj kundrejt Lek-ut në 12 vitet e fundit. Gjatë gjithë kësaj kohe, megjithë kërkesat në vazhdimësi të bizneseve vendore të prekura rëndë, ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor kanë qenë krejtësisht të paqarta dhe me ndikim tepër afatshkurtër, duke marrë më shumë pamjen e spekullimeve për përfitime të aktorëve të ndryshëm, sesa të një politike të mirëmenduar dhe afatgjatë nëinteres të ekonomisë kombëtare.”- thotë Konfindustria.

Konfindustria propozon se nëse “Banka e Shqipërisë është e paaftë të plotësojë detyrat e saj të përcaktuara në ligj, sic janë politikat monetare për të shmangur spekullimet dhe ndihmuar ekonominë kombëtare, atëherë është koha për të riparë në themel gjithë legjislacionin në fuqi, përfshi edhe vlerësimin e mundësisë së zëvendësimit të Lek-ut nga Euro si mjet pagese në ekonomi.”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë