Dalja nga Tirana, rruga për në Gjirin e Lalzit, segmenti rrugor nga Durrësi për në Vlorë, por edhe trafiku brenda për brenda Vlorës dhe qarkullimi për në bregdet, janë segmentet dhe pikat e nxehta këtë fundjavë, kur policia e qarkullimit rrugor është përqendruar me forca të shtuara për të shmangur jo vetëm aksidentet, por edhe radhët e gjatë në trafik. Pikërisht për të shmangur këtë të fundit, drejtori i Policisë Rrugore, Mitat Tola është shprehur se drejtuesit e automjeteve duhet të përdorin edhe rrugët alternative.
“Sezoni turistik për policinë rrugore ka filluar herët me masa përgatitore në mars-prill-maj. Ndërkohë që sot është një ditë normale e monitorimit në akset rrugore, në zonat turistike. Në të gjithë këto segmente ka shërbime shtesë të policisë që monitorojnë, shohin shkeljet më të dukshme të tyre, dhe bëjnë kujdes që njerëzit të shkojnë të sigurt dhe të kthehen të sigurt. Akset më të ngarkuara të shtunën dhe të dielën, mbeten dalja nga Tirana, pjesa e Gjirit të Lalzit, pjesa e segmentit rrugor nga Durrësi në Vlorë, por edhe trafiku urban në qytetin e Vlorës deri në zonën e plazhit. Mbetet problem edhe Saranda”, tha Tola.
Sipas tij, problematik mbetet edhe akti Fushë-Krujë – Thumanë, ku për të shmangur trafikun e rënduar për shkak të punimeve në këtë segment, është bërë zhvendosja e kamionëve nga Vora në drejtim të Fushë-Krujës. Sipas Tolës, kjo ka bërë që trafiku të jetë i menaxhueshëm përmes rrugëve alternative.
Policia Rrugore ndërkaq bën me dije se përvec patrullave të lëvizshme që janë të pranishme me forca të shtuara në fundjavë, një tjetër mënyrë efikase kontrolli janë edhe radarët dhe kamerat.
“Në themel është kontrolli i shkeljeve për shpejtësinë, që konsumojnë alkool, vendosja e rripit të sigurimit etj, shkelje që evidentohen nga kamerat, radari etj. Edhe në momentin kur nuk ndalet dot shoferi vendoset gjoba dhe i dërgohet në adresën e banimit të pronarit të makinës. Gjoba e tyre shkon me postë në shtëpi. Normalisht ky sistem ka filluar të funksionojë dhe do të përmirësohet më tej me përsosjen e sistemit të adresave”, tha Tola.
“Krahasuar në numrin e aksidenteve, është trend ulës. Por normalisht për policinë rrugore cdo aksident është i rëndësishëm në aspektin që duhet vlerësuar në marrjen e masave”, tha Tola.
“U bëj thirrje shoferëve mos të ecin me shpejtësi, të lidhen gjithmonë me rrip sigurimi, të sigurojnë fëmijët në sediljet e tyre, të respektojnë distancën e sigurisë, të mbajnë gjithmonë vëmendjen në timon dhe jo në celular. Kjo sjellje është ndëshkuar më shumë. Janë 90 mijë masa vetëm për 6 muajt e parë”, tha Tola.
“Çfarëdo rregullimi që të bëhet (në infrastrukturë) duhet të respektohet sinjalistika dhe në rrethrrotullim duhet të shkosh me shpejtësi drejt zeros. Nëse vjen me shpejtësi 140 km/h nuk ka rrethrrotullim që të të mbajë. Përmirësimi, pa sjelljen e shoferit, nuk ka mundësi të shmangë aksidentet”, përfundoi drejtori i përgjithshëm i Policisë Rrugore.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




