E nëse në spital përpos mendimit të specialistit të kishte edhe një program të inteligjencës artificiale? Pyetja nuk është krejtësisht surreale, duke iu referuar zhvillimeve të fundit të publikuara nga Google në lidhje me një projekt të quajtur “truri mjekësor”. Një algoritëm që përdor një rrjet teknologjik nervor, një formë e inteligjencës artificiale që mund të parashikojë pothuajse me siguri vdekjen e një personi një ditë pas analizës së tij.
“Sipas të dhënave të publikuara nga Nature, “truri mjekësor” mendohet të ketë një besueshmëri prej 95%”
Duke futur në program disa të dhëna të pacientit, mund të mësohet se për sa kohë ky pacient do të qëndrojë në spital, nëse e kur do të vdesë dhe nëse sëmundja mund të rishfaqet në të ardhmen. Rrjeti nervor, i mbështetur nga Google, përditëson parashikimet, sipas gjendjes së pacientit, shumë më shpejtë dhe më saktë se ç’do të bënte një mjek human.
Një ndihmë për mjekët
Truri mjekësor nuk kërkon të zëvendësojë figurën e mjekut specialist. Roli i tij do të jetë ndihma ndaj doktorëve, që duke patur diagnoza të sakta në një kohë të shkurtër, mund ti dedikojnë më shumë kohë dhe kujdes kurës së të sëmurëve. “Sot, në fakt, rreth 80% e vizitave nëpër reparte mejkësore spitalore përqëndrohet në hartimin e dosjeve, në vend të vlerësimit aktual të gjendjes fizike të pacientit,” shpjegoi Nigam Shah, pjesë e ekipit që kreu studimin e botuar në revistën Nature në fillim të majit.
Kurse shpenzimet për të bërë analizat e detajuara janë shumë të larta. Falë programit të Google, mjekët mund ta harrojnë pjesën burokratike të punës, do të kenë të dhëna preçize (10% më shumë se ato tradicionale) dhe të marrin masa nëse ekziston rreziku i vdekjes së afërt).
Si funksionon “truri”
Algoritmi merr në konsideratë moshën, seksin, gjininë, gjendjen klinike të pacientit dhe shenjat jetësore të tij. Pasi mbledh të dhënat, ato përpunohen dhe truri do tia dilte, me 95 % vërtetësi të jepte një përgjigje me një propabilitet të caktuar për vdekjen ose jo të pacientit në 24 orët e ardhshme. Përveç kësaj, parashikohen projeksione për hospitalizimet e mundshme në të ardhmen brenda një muaji. Programi është testuar në 216,221 të rritur. Studimi nuk është çertifikuar nga autoritetet amerikane, por Google siguron se konkluzionet janë entuziaste. “Kur shkon në spital, i sëmuri kërkon të dijë se çfarë do ti ndodhë, ka një mijë pyetje — sqaron Alvin Rajkomar, një prej mjekëve që ka marrë pjesë në këtë studim. Puna e Inteligjencës Artificiale është pikërisht kjo, të japë parashikime për të ardhmen”.
Nëpër spitale “pas ndonjë viti”
Falë rezultateve të larta të marra nga testet, tashmë ekipi i Google kërkon të nisë prodhimin tregtar të algoritmit. “Më në fund kanë gjetur një aplikacion të Inteligjencës artificiale që ka qëllim tregtar”, është shprehur një pjesëtar i grupit të punës, por shtoi se duhen disa vite për tu përmbyllur e kompletuar si projekt. Përdorimi i Inteligjencës artificiale në disa fusha ka qenë një prej objektivave të Alphabet, kompania në të cilën bën pjesë Google, dhe dërgimi i trurit mjekësor në spitale në mbarë botën mund të jetë hapi i parë i madh. Nuk mungojnë sigurisht zërat kundër: një punonjës i Big G, që nuk deshi të identifikohej, ka deklaruar për Bloomberg që programi hera herës nuk merr në konsideratë të dhëna thelbësore të pacientit, si ato që kanë të bëjnë me ndërhyrjet e kaluara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.