Politike

Ish-ministri Bushati i vetmi socialist që uron Micotaqis për fitoren

Në Greqi do të ketë një rotacion pushteti, ku partia e qendrës së djathtë Demokracia e Re (Nea Demokratia) ka fituar zgjedhjet e 7 korrikut dhe lideri i kësaj force politike, Qirjakos Micotaqis (Kyriakos Mitsotakis) do të jetë kryeministri i ri shtetit fqinj.
Fitorja e kësaj force politike ka sjellë entuziazmin e të PD-së në Shqipëri, pasi një parti e grupimit të djatthë, pjesë e PPE-ve është në pushtet pas katër vitesh.
Edhe pse tashmë është fakti i kryer dhe do të ketë një ndryshim të pushtetit, Tirana zyrtare akoma nuk ka shprehur një mesazh urimi për fituesin e zgjedhjeve që do të jetë edhe kryeministri i Greqisë për katër vitet e ardhshme.
Asnjë nga qeveria, as kryeministri Edi Rama dhe as ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj nuk ka bërë ndonjë mesazh në rrjetet sociale për të uruar liderin e Demokracisë së Re.
Për këtë ka menduar ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i cili rezulton që është edhe socialisti i vetëm që ka uruar fitoren e të djathtëve në Greqi.
“Urime @kmitsotakis & Demokracia e Re për fitoren elektorale. Si anëtare me përvojë të BE-së, Greqia ka një rol të rëndësishëm për të luajtur për integrimin europian të rajonit tonë. I sigurt se lidhjet mes Shqipërisë dhe Greqisë do të forcohen më tej në dobi të vendeve dhe popujve tanë”, shkruan Bushati në Twitter.


Deputeti socialist shpreh konsideratat e tij edhe për bashkëpunimin që ka pasur me Aleksis Tsipras dhe Niko Kotzias, kryeministrin dhe ish-ministrin e Jashtëm grek, gjaë kohës që ka qenë në krye të diplomacisë shqiptare. “Mirënjohës për Tsipras dhe Kotzias të cilët ndihmuan në përmirësimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe kanë sjellë stabilitet shumë të nevojshëm në Ballkanin Perëndimor përmes marrëveshjes së Prespës. Diçka për t’u ndërtuar”, shkruan ish-ministri.

Tritan Shehu, Lulzim Basha dhe lideri i Demokracisë së Re gjatë një takimi


Kryedemokrati Lulzim Basha do ta uronte menjëherë Micotaqis për fitoren e arritur. “Urime Micotaqis dhe Nea Demokracisë për fitoren e tyre të jashtëzakonshme dhe dërrmuese! Vota e sotme shënon një fillim të ri për Greqinë dhe është një shembull frymëzimi për ndryshim dhe triumf i vlerave evropiane në Shqipëri dhe për pjesën tjetër të rajonit tonë”, shkruan Basha në Twitter.


Ndërsa ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu fitorja e Demokracisë së Re shihet si një kambanë ndryshimi që po ndodh afër Shqipërisë. “ Fitorja e ND në këto zgjedhje duke siguruar e vetme shumicën qeverisëse, ka rëndësi të madhe, jo vetëm për Greqinë, por dhe për BE e Rajonin. Greqia kthehet përsëri në rrug♪n e europeizmit të Qendrës së Djathtë, duke u larguar përfundimisht nga e majta populiste. Një mesazh ky shumë i rëndësishëm nga populli grek, në mbrojtje të vlerave të mëdha, bashkëjetesës, paqes e forcave zhvilluese të BE. Kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme dhe për Rajonin tonë, që aspiron veçse rrugën e integrimit, ku pa dyshim roli pozitiv i Greqisë tashmë do të forcohet. Fitorja e ND është një eveniment pozitiv edhe për Shqipërinë, qofte ne planin bilateral, qofte dhe në mbështetjen ndaj procesit tonë të integrimit ne tërësi. Marrëdhëniet tona pa asnjë dyshim do të dalin nga ngërçet apo aventurizmat politike të të majtave populiste shumë shpejt, kur edhe në Shqipëri të largohet kjo Rilindje shkatërrimtare e vendi të qeveriset nga Qendra e jonë e Djathtë si në Greqi prej sot”, shprehu ish-deputeti demokrat Tritan Shehu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë