Në Poznan të Polonisë vijoi dita e dytë samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve kryesore të Bashkimit Europian.
Kryeministri Edi Rama, ka postuar në faqen e tij në “Facebook” një video nga Samiti i Poznanit, teksa shihet së bashku me homologun maqedonas, Zoran Zaev, duke biseduar me kancelaren gjermane, Angela Merkel.
Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe kryeministri Edi Rama nuk duan të kthehen në shtëpi nga ky samit pa marrë një konfirmim nga shtetet e BE-së për hapjen e negociatave në muajin tetor të këtij viti.
Ndërkohë Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda kritikoi Bashkimin Evropian për shtyrjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe i bëri thirrje bllokut që t’iu ofrojë vendeve të Ballkanit një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në BE. “Shteteve të Ballkanit nuk duhet t’iu kërkohet të marrin pjesë në një garë “ku nuk mund të shohin vijën e finishit”, tha Duda gjatë një samiti në Poznan të Polonisë. Duda tha se të dyja vendet kanë kaluar nëpër “reforma të vështira”, për të përmirësuar shanset e tyre për anëtarësim në BE.
Maqedonia e Veriut, nxënësja shembullore e rajonit
Samiti i Poznanit që është shoqëruar me takime të shumta mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe homologëve të tyre nga vendet e BE-së që marrin pjesë në nismën “Procesi i Berlinit”.
Sipas “Deutsche Welle” një gjë mund të thuhet që tani, Maqedonia e Veriut është cilësuar si nxënësja shembullore e rajonit, prandaj edhe vitin e ardhshëm ajo do të jetë organizatore e samitit të shtatë, së bashku me Bullgarinë.
Dy shtetet do të kenë rastin të dëshmojnë më së miri në praktikë, atë që mbështet procesi i Berlinit: aftësinë bashkëpunuese mes vendeve të rajonit dhe BE-së.
Komisioneri i zgjerimit, Johannes Hahn gjatë fjalës së mbajtur me rastin e hapjes së Forumit të Shoqërisë Civile dhe të Bizneseve, kërkoi sërish nga BE-ja që të mbajë premtimin dhe të hapë negociatat për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Unë vazhdoj të qëndroj prapa rekomandimit tim për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe e pres që në tetor Këshilli i BE-së të ndjekë rekomandimin tonë dhe për çeljen e negociatave”, është shprehur Hahn.
Edhe ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth gjatë një konference shtypi në Poznan, ka theksuar në mënyrë të veçantë arritjet e Maqedonisë së Veriut dhe ka kërkuar që ajo të shërbejë si shembull për të zgjidhur edhe problemin kryesor aktual të rajonit: normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
“Ka shumë gjëra që mund të bëhen, nëse politikanët e kanë vullnetin dhe janë në gjendje të tejkalojnë stereotipet”, është shprehur Roth.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.









