Politike

Kryemadhi: Deri në 13 tetor kryebashkiakët janë legjitimë

Edhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në një deklaratë jashtë selisë së PD-së, deklaroi se 30 qershori është ilegjitim.
“Unë mendoj që 30 qershori është ilegjitim. Kemi një dekret presidenti që është në fuqi, kemi një datë tjetër zgjedhjesh që është 13 tetori”, u shpreh Kryemadhi.
Kryemadhi theksoi se aksioni opozitar do të përqendrohet sërish te protestat, por do të jenë paqësore.
“Protesta e ditës së hënë do të jetë si të gjitha të tjerat, paqësore. Unë mund t’ju them diçka, provokatorët e Edi Ramës dhe Sandër Lleshajt nuk do të mund të provokojnë më shqiptarët dhe aq më shumë opozitën. 30 qershori ishte referendum plebishitar, ku tregoi dhe njëherë që Edi Rama është minoranca e minorancës.
Në qoftë se mendoni se buka e shqiptarëve, varfëria që ka pllakosur te shqiptarët, kapja e shtetit dhe çdo gjë tjetër për të cilat Edi Rama kërkon që të vendosi karriget e disa njerëzve, unë mendoj që është shumë më e rëndësishme lufta kundër varfërisë, kundër kapjes së shtetit, t’iu japim shqiptarëve atë që meritojnë, punë, arsim, shëndetësi, taksa të ulëta, kjo është më e rëndësishme se karriget e kryetarëve të bashkive dhe se karriget e deputetëve”, u shpreh ndër të tjera Kryemadhi.
E pyetur nga gazetarët nëse kryebashkiakët e LSI do t’i lirojnë karriget, kryetarja e LSI-së u shpreh se ata janë legjitim deri në zgjedhjet e 13 tetorit.
“Nuk diskutojmë çështjen e zyrave, kryebashkiakët janë legjitim deri në ditën e zgjedhjeve të 13 tetorit dhe emërohen ose zgjedhin shqiptarët kryetarët e tjerë të baskisë”, përfundoi kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë