Mazhoranca i vlerëson si prova shtesë për t’u shkarkuar deklaratat e Presidentit Ilir Meta. Taulant Balla përmes rrjeteve sociale e cilësoi aktin e shkarkimit si provë vendosmërie për socialistët për të zbatuar ligjet e këtij vendi. .
“Presidenti na ka dhënë një provë tjetër shumë bindëse të nevojës për lirimin e zyrës, ku ai ka humbur të drejtën të qëndrojë. Ai tanimë është një subjekt keqardhjeje njerëzore dhe vendosmërie ligjore nga ana jonë”, thotë kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Të enjten, Parlamenti pritet të mblidhet në seancë plenare për të ngritur Komisionin Hetimor. Balla shprehet i bindur se ky Komision do të dalë me një raport për shkarkimin e Metës. Për të hyrë në fuqi, shkarkimi duhet të vlerësohet nga Gjykata Kushtetuese.
“Ne po presim të votojmë Komisionin Hetimor për shkarkimin e tij dhe do të presim pastaj raportin e Komisionit për të miratuar shkarkimin, të cilin natyrisht do ta shqyrtojë Gjykata Kushtetuese, por deri atëherë jemi të vetëdijshëm se do të kemi një President që si njeri meriton keqardhje, si politikan meriton injorim, si president meriton vetëm shkarkim! Dhe për sjelljen prej gaztori cirku sot dhe gjatë gjithë këtyre kohëve, meriton vetëm përqeshje popullore!”, shtoi Balla.
Ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali ironioi me deklaratën e Metës.
“Salvador Haxhi Qametaj e ktheu deri javën e kaluar figurën e Presidentit të Republikës në një agresor ndaj Shqipërisë Evropiane, ndërsa qëkur nisi disfata totale është kthyer në shëmbëlltyrën e mëshirueshme të atij që qesh kot se i duket se po sheh dritë në fund të tunelit, që në fakt është treni tjetër që po i vjen përballë”, deklaroi ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




