Politike

Rama nga Ministria e Brendshme: Mirënjohje policisë për punën në zgjedhje

Kryeministri Rama së bashku me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj ka zhvilluar një takim me drejtuesit e policisë në ambientet e Ministrisë së Brendshme. Takimi vjen fill pas menaxhimit të sigurisë gjatë procesit zgjedhor.
Rama e nisi fjalën e tij duke falënderuar Policinë që e ka kryer me sukses misionin e saj si dhe ndau me ta shqetësimin e tij për periudhën e trazuar nga politika e rrugës, duke pasur parasysh opozitën.

“Dua t’ju rrëfej sot juve dhe publikut se një ndër shqetësimet e mia më të mëdha të gjithë periudhës së trazuar nga politika e rrugës, ka qenë impakti mbi kriminalitetin, stimulues për paligjshmërinë. Por më vjen mirë që me gjithë mbingarkesën e rëndë, prej sulmeve vandale, si edhe po ashtu për të garantuar një fushatë zgjedhore, policia arriti të bëjë mirë edhe detyrat e saj të përditshme”, u shpreh ndër të tjera kryeministri Rama.
Gjatë konferencës, kryeministri Rama dekoroi edhe policen Ina Nuku, e cila mbeti e dëmtuar gjatë protestës së opozitës. Rama i akordoi efektives Ina Nuku “Yllin e Mirënjohjes Publike”.
Kryeministri Rama theksoi duhet të rritet paprekshmëria ndaj uniformave blu dhe se duhet më shumë mbështetje ligjore për ta.
“Me ndryshimet që do t’i bëjmë këtë javë Kodit penal, sulmi ndaj policit, prekja me dorë do konsiderohen vepra që dënohen me burg dhe jo me gjobë. Edhe bllokimi i rrugëve nuk do tolerohet më”, tha Rama.
Po ashtu, kryeministri deklaroi se duhet të vendosen pensionet e parakohshme.
“Është e nevojshme vendosja e pensioneve të parakohshme, ulja e moshës mesatare. Ka ardhur koha për të parë edhe pagat. Në vijim do të ketë rritje pagash për Policinë e Shtetit. Jam i vetëdijshëm edhe për gjendjen ende të rëndë të shumë mjediseve të komisariateve në vend”, u shpreh kryeministri.
Ndërkohë, kryeministri Rama nuk bëri asnjë koment për deklaratat e forta të presidentit Ilir Meta, më herët në konferencën e mbajtur në Presidencë.
Edhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në takimin me drejtuesit e policisë vlerësoi punën e Policisë së Shtetit.
Duke pasur parasysh krizën politike, Lleshaj u shpreh se policia arriti të shmangë kaosin dhe përçarjen.
“Policia nuk lejoi krijimin e kaosit dhe frymën e një gjendjeje përçarëse në Shqipëri. Arritën të sigurojnë një nivel optimal të parametrave të sigurisë në vend”, u shpreh ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë