Deputeti i opozitës së re, Alban Zeneli me anë të një deklarate për shtyp ka dalë kundër presidentit Ilir Meta, i cili ka nxjerrë disa dekrete për zhdekretim apo caktim datë të re zgjedhjesh. Në një deklaratë për median, Zeneli shprehet se 30 qershori është ditë zgjedhjesh ndaj u uroj gjithë shqiptarëve një proçes zgjedhor sa më transparent, të qetë e të lirë.
“Dekreti Antikushtetues i Presidentit Ilir Meta është pjesë e lëvizjes antizgjedhje dhe përbën krim elektoral. Ilir Meta nuk mund të lejohet më që të vijojë të udhëheqë lëvizjen antizgjedhje në Shqipëri. Gjithashtu, nuk mund të tolerojmë që krimet elektotale që janë bërë në të shkuarën sikurse janë edhe pasqyruar e bërë publike nga përgjimet e mediave vendase e të huaja, nuk mund të lihen e tolerohen pa ndëshkim ligjor, moral dhe politik”, thekson Zeneli.
Ndërsa shprehet se Parlamenti duhet të ndërmarrë me urgjencë reformën zgjedhore, duke ndryshuar Kodin Zgjedhor.
“Ripërsëris dhe ritheksoj kërkesën time se asnjë zhvillim parlamentar nuk mund të jetë më normal dhe frytdhënës pa shkarkimin e Damian Gjiknurit nga bashkëkryesimi i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Reformë Zgjedhore me delinkuentin elektoral Damian Gjiknuri nuk mund të ketë e nuk do të ketë. Nga ana tjetër, vërehet një trysni e shantazh nga Qeveri Rama ndaj administratës për zgjedhjet e së dielës. I bëjmë thirrje Kryeministrit Rama dhe Qeverisë së tij, se po mbajmë shënim gjithçka që po ndodh me këto zgjedhje”, theksoi Zeneli.
Mes presidentit Meta dhe përfaqësuesve të opozitës së re parlamentare, pati edhe një përplasje nëpërmjet deklararash. Të tilla ishin ato mes deputetes Rudina Hajdari dhe zëdhënësit të Presidencës, Tedi Blushi gjatë ditës së sotme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




