Politike

LSI: Qytetarë, distancohuni nga dhuna. Rama të ndalë fyerjet

Lëvizja Socialiste për Integrim me anë një deklarate për median u ka bërë thirrje qytetarëve shqiptarë që të distancohen nga dhuna, madje ajo i ka dërguar në mesazh në mënyrë të drejtpërdrejt kryeministri Edi Rama, që sipas kësaj force politike po kërkon dhunë në procesin zgjedhor.

“Me përgjegjësinë si misionare e integrimit europian të Shqipërisë dhe për të kontribuar në mbrojtje të vlerave të demokracisë, të pluralizmit politik dhe të kushtetutshmërisë së veprimtarisë së institucioneve shtetërore; Vëren me shqetësim se mungesa e reflektimit të përgjegjshëm përballë interesave të vendit nga ana e qeverisë së Kryeministrit Edi Rama si dhe përpjekja e tij për t’ia kundërvënë pushtetin shtetit përmes komandimit politik të institucioneve ligjzbatuese; Po provokon një situatë tensioni politik, konflikti social dhe përplasjesh në mes të institucioneve, çka fatalisht mund të çojë në përshkallëzim të akteve të dhunës dhe cënim të sigurisë së jetës së qytetarëve”, thuhet në deklaratën për shtyp.

Nisur nga kjo situatë, LSI-ja kërkon ketë qetësi dhe qytetarët të shmangin aktet e dhunës.

“LSI u bën thirrje anëtarëve, simpatizantëve dhe veprimtarëve të saj në të gjithë Shqipërinë, që të mos bien pre e provokimeve të cilat do të vijnë duke u shtuar, pasi makineria kriminale e pushtetit të votave të krimit, e përfshirë prej panikut e frikës së ndëshkimit të afërm, do të përpiqet me çdo mjet dhe me çdo mënyre të krijojë kaos, konfuzion dhe konflikt, për të përligjur përpjekjen kriminale të Edi Ramës për të rrëzuar Republikën dhe për të marrë peng shtetin. Në këto kushte, LSI i drejtohet drejtpërdrejt Kryeministrit Edi Rama, të ndalë gjuhën e urrejtjes dhe të përçarjes mes shqiptarëve, të heqë dorë nga përgojimi, shpifjet dhe fyerja që janë bërë refren i veprimtarisë së tij, të ndalë makinën e tij të krimit dhe procesin e kundërligjshëm të 30 qershorit, sepse në të kundër ai do të jetë përgjegjësi kryesor për gjithë sa mund të ndodhë!”, thuhet në këtë deklaratë.

https://www.facebook.com/levizjasocialisteperintegrim/photos/a.509203425759587/2625837854096123/?type=3&theater

Sakaq kjo forcë politike thekson se po dokumenton gjithë veprimtaritë në kundërshtim flagrant me ligjin që po përgatitin, sipas saj, falangat e krimit shtetëror dhe do t’i denoncojë ato me forcë publikisht, siç ka bërë e do të vazhdojë ta bëjë edhe pranë institucioneve ndërkombëtare dhe misioneve të tyre të vëzhgimit dhe monitorimit. Një mesazh LSI-ja ka edhe për policinë e shtetit, duke i kërkuar që ajo të mos jetë në shërbim të urdhrave politikë. “Përpjekja për të imponuar zgjedhjet partiake të partisë së Kryeministrit si zgjedhje lokale në kundërshtim flagrant me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, është provokimi më i rëndë që po ju bëhet sakrificave dhe ëndrrës së shqiptarëve për Shqipërinë si Europa, ndaj me Shqipërinë të parën dhe mbi gjithçka; Jo dhunës! Jo përçarjes! Jo konfliktit!”, mbyll deklaratën LSI-ka.

Reagimi i kësaj force politike vjen menjëherë pas qëndrimit të fortë zv/ndihmës sekretarit amerikan të shtetit, Palmer, i cili nuk përjashtoi se ato parti apo persona që shkaktojnë dhunë në procesin e 30 e qershorit të futen në listën e zezë të SHBA-ve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë