Deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari, e cila ka refuzuar bojkotin e Parlamentit, ka bërë thirrje që qytetarët shqiptarë të shmangin dhe të distancohen nga dhuna në zgjedhjet e 30 qershorit.
Në një deklaratë për median, Hajdari ka theksuar se pa patur zgjedhje të lira dhe paqësore, vendi nuk është asgjëkundi.
“Kushtetuta është e shenjtë dhe nuk dënohet. Ne duhet të mbrojmë vullnetin e atyre që luftuan që Shqipëria sot të jetë një anëtare e NATO-s prej 10 vitesh dhe të vazhdojmë të ndërtojmë një shtet që ka të gjitha premisat për t’u futur në BE. Politika nuk duhet të bëhet pengesë e integrimit të Shqipërisë të ndikojë në jetën e çdo qytetari. Ndaj bëj thirrje për distancim ndaj dhunës nga të gjitha palët për hir të interesit të Shqipërisë”, deklaroi Hajdari.
Demokratja theksoi se shqiptarët nuk mund ta pranojnë një situatë të tillë, duke i ftuar braktisjen e këtyre politikanëve që janë shkaktarë gjendjes që po përjeton vendi. “Ne nuk mund të lejojmë që lufta mes politikanëve që shohin vetëm interesat e tyre të ngushtë të shkatërrojnë Shqipërinë. Distancohuni nga dhuna dhe mos u bëni pjesë e atyre politikanëve, që nuk ju shërbejnë ju dhe as vendit. Të dashur qytetarë ka ardhur koha që ne vërtetë të distancohemi nga këta politikanë që po e thellojnë krizën çdo ditë e më shumë, e të vazhdojmë rrugën tonë evropiane për një anëtarësim sa më të shpejtë në vendet e BE-së”, theksoi Hajdari.
Për Hajdarin fajtorët të kësaj situate janë të dyja kampet politike si opozita që prej asaj cilësohet e jashtëparlamentare, e cila dogji mandatet e deputetit dhe nuk pranoi të hynte në zgjedhjet e 30 qershorit dhe po pengon rrugën e integrimit në BE me protestat e dhunshme, ashtu edhe mazhoranca, ku qeveria Rama ka dështuar këto 6 vite të rimëkëmbë ekonominë, të mbjellë shpresë dhe të forcojë institucionet dhe shtetin e së drejtës.
“Korrupsioni i lartë është burimi i çdo të keqe në këtë vend që nga zbrazja e Shqipërisë e deri te mosndëshkimi i atyre që janë mbi ligjin sot dhe nuk mbajnë përgjegjësi, përkundrazi mbrohen nga drejtësia e kalbur. Mazhoranca e ka zvarritur zbatimin e reformës në Drejtësi. Reforma në Drejtësi dhe Lufta kundër Korrupsionit deri më sot ka mbetur vetëm në letër. Ky konstatim vërehet qartazi sepse nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka Gjykatë të Lartë, nuk ka procedime dhe gjykime për zyrtarë të lartë shtetëror”, theksoi Hajdari.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.