Politike

Edit Harxhi sulmon Bashën: Lideri që nuk u bë kurrë, po shkatërron PD-në

Qëndrimet e opozitës për zgjedhjet lokale, bojkoti i tyre madje kritikat e ashpra të ndërkombëtarëve kundër linjës që po ndjek Partia Demokratike po shkaktojnë reagimet e para brenda radhëve të opozitës. Ish-zëvendësministrja e Jashtme, Edit Harxhi ka mbajtur një reagim të fortë në rrjetet sociale dhe ka akuzuar kryedemokratin Lulzim Basha për politikën që po ndjek, që sipas saj, po e dëmton PD-në në arenën ndërkombëtare. “PD organizate e dhunshme? Kurrë nuk ka ndodhur diçka e tillë madje edhe në ditët më të vështira për PD dhe vendin, që Partia që solli pluralizmin në Shqipëri të mund të futet në këtë listë të SHBA. Paska qenë projekt i madh ky për shkatërrimin e PD. Fajtor kryesor për shkatërrimin e PD është kryetari që s’u bë kurrë lider. Por fajtor jemi edhe ne që e lamë të bënte me investimin tonë sikur të ishte malli i tij. Ne u ngritëm kundër diktaturës me mbështetjen e USA, ndërsa sot PD u rrënua e bashkë me të vendi!”, shkruan Harxhi në Twitter.

Reagimi i Harxhit, që dikur ish numri dy i diplomacisë shqiptare në kohën e qeverisjes Berisha vjen në një kohë në media kanë qarkulluar lajmet se SHBA i ka dhënë një paralajmërim të fortë drejtuesve të PD-së dhe LSI-së në rast se ushtrojnë dhunë në ditën e zgjedhjeve dhe në protestën që u zhvillua më 21 qershor.
Harxhi gjithashtu njihet edhe si kundërshtare e kryedemokratit Lulzim Basha, gjatë zgjedhjeve brenda PD-së, ajo u tërhoq nga gara për në Këshillin Kombëtar vitin e kaluar.
Sa i përket zhvillimeve më të fundit politike, ajo i fton demokratët që të reagojnë ndaj situatës së krijuar në PD, pasi sipas saj në të kundërt do të jetë vonë. “Ju bëj thirrje gjithë demokratëve të mos shohin se si po ndodh shkatërrimi i tyre nga një Kryeministër i marrë dhe një kryetar i padenjë, por të ngrihen dhe t’i bëjnë ballë këtij kurthi e të ringrejnë shpresën te shqiptarët. 1 korrik do te jete vonë”, shkruan Harxhi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë