Politike

BE njeh 30 qershorin: Jo dhunë në zgjedhje, qytetarët të votojnë të lirë

Kur kanë mbetur edhe dy ditë nga votimet lokale, e kur situata politike është tejet e tensionuar përpara 30 qershorit, ndërkombëtarët po lëshojnë apele të forta duke kërkuar mos ushtrimin e dhunës të dielën dhe të lejohet që qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. Apeli i fortë erdhi sot nga Delegacioni i Bashkimit Europian dhe pritet të pasohet edhe selitë e tjera e diplomatike të shteteve të Unionit. “Qytetarët shqiptarë duhet të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në mënyrë të rregullt dhe paqësore. Duke pasur parasysh votimet që do të zhvillohen më 30 qershor 2019, është e domosdoshme që qytetarët që ushtrojnë të drejtat e tyre ta bëjnë këtë në një mënyrë të rregullt. Është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e të gjithë aktorëve politikë për të siguruar që veprimtaritë e votimit të mos pengohen”, thuhet në deklaratën e BE-së.


Ndërsa paralajmërimi i fortë vjen pas akteve të ndodhur ditët e fundit ku u dogjën edhe materialet zgjedhore në Vaun e Dejës të qarkut të Shkodrës.
“Demonstrata e zhvilluar në Tiranë më 21 qershor 2019 ishte e paqësore dhe të njëjtat parime dhe vlera demokratike duhen ruajtur këtë fundjavë. Çdo veprim i dhunshëm apo çdo formë nxitjeje për dhunë janë absolutisht të papranueshme në çfarëdo lloj rrethane. Të gjitha palët politike duhet të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin retorikën provokuese. Procesi i votimit do të vëzhgohet nga një mision ndërkombëtar i drejtuar nga OSBE/ODIHR që përfshin vëzhgues nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian”, theksohet në deklaratë.
Bashkimi Europian gjithashtu ka ftuar edhe palët që të nisin dialogun politik për të zgjidhur situatën aktuale. “Të gjitha palët duhet të angazhohen në një dialog të mirëfilltë, sa më shpejt që të jetë e mundur, për të kapërcyer situatën aktuale politike në mënyrë që t’i përqendrojnë përpjekjet e tyre në mbështetjen dhe konsolidimin e progresit të bërë nga Shqipëria deri më tani në procesin e reformave në rrugën e saj të integrimit në Bashkimin Evropian”, mbyllet deklarata. Qëndrimi i BE-së është mbështetur edhe nga ana e ambasadës së Suedisë në Tiranë.

Apeli i Gjermanisë: Zgjedhjet e lira, obligim i opozitës

Thirrjes për një proces zgjedhor të qetë dhe për të shmangur dhunën më 30 qershor lëshoi edhe ambasadorja e Republikës së Gjermanisë, Sussane Schutz.

“Duke pasur parasysh zgjedhjet vendore të ditës së diel, datë 30 qershor, u bëj thirrje të gjitha palëve të kontribuojnë në mënyrë aktive që të pengojnë çdo formë dhune. Është me rëndësi vendimtare, që zgjedhjet të zhvillohen të lira. Në këtë kontekst ky është një obligim i veçantë i partive opozitare. Gjermania ka sjellë në Shqipëri vëzhgues, që do të vëzhgojnë proceset në kuadër të misionit të pavarur të OSBE-/ODIHR-it”, shprehet ambasadorja gjermane.

Ajo theksoi se të gjitha palët duhet të tregojnë tani gatishmëri për dialog dhe të marrin përgjegjësitë e tyre për vendin, duke pasur parasysh edhe situatën pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Ambasadorët duke dalë nga takimi me Presidentin Meta

“Akuzat, që u referohen akteve eventualisht kriminale në kuadrin e zgjedhjeve të shkuara, duhet të sqarohen në mënyrë të menjëhershme nga agjencitë e zbatimit të ligjit sipas legjislacionit në fuqi. Për sqarimin e çështjeve të së drejtës kushtetuese të mbetura pezull deri më tani rëndësi vendimtare ka rivendosja e shpejtë në funksionalitet e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi ambasadorja, duke i dhënë një sqarim  edhe sa i përket qëndrimeve të opozitës për dosjen e përgjimeve.


Ky reagim vjen edhe si një kundërpërgjigje ndaj dekretit të presidentit Ilir Meta, i cili një ditë më parë me shpalli 13 tetorin si datë të re të zgjedhjeve lokale. Vetë ambasadori i BE-së, Luigi Soreca pati një konsultë me presidentin Meta ditën e djeshme përpara se kreu i shtetit të shpallte datën e zgjedhjeve. Në këtë takim në Presidencë, Soreca shoqërohej edhe nga ambasadorët e vendeve të Unionit, si të Gjermanisë, Francës, por edhe të Britanisë së Madhe.

Deklarata e ambasadës së Suedisë

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë