Kolumbia zbriste me petkun e favorites në sfidën ndaj Japonisë, por një ndërhyrje e gabuar e Sanchez që në minutat e para të ndeshjes, përcaktoi fatet e këtij takimi.
Sanchez u ndëshkua me karton të kuq për pengim të kundërshtarit brenda zonës së rreptësisë dhe u dhuroi një 11-metërsh japonezëve. Me avantazhin e një goli dhe një lojtari më shumë, gjërat për aziatikët u bënë më të thjeshta.
Por, kolumbianët nuk u dorëzuan dhe gjetën golin e barazimit në minutat e fundit të pjesës së parë. Barazimi 1-1 zgjati deri në minutën e 73, kur Osaka riktheu buzëqeshjen e të tijëve. Në shkallët e stadiumit nisi festa japoneze pas fërshëllimës përfundimtare.
Ajo që ra në sy ishte se në fund të gëzimit, tifozët aziatikë treguan kulturën dhe disiplinën për të cilën shquhen. Të gjithë nisën të mbledhin nëpër qese të mëdha mbeturinat që kishin krijuar përgjatë 90 minutave lojë.
Aq përshtypje bëri kjo sjellje e tyre në mediat ruse sa u mor si ndodhi dhe u pasqyrua në të gjitha mediat ndërkombëtare. Pamjet e tifozëve të lumtur për tri pikët e marra dhe fitoren e befasishme duke mbledhur mbeturinat bënë xhiron e botës dhe u duartrokitën cep e më cep të globit.
Në orën 17:00 Polonia përballej me Senegalin. Me Levandovskin në sulm, polakët lexoheshin si pak favoritë, por fusha prodhoi të kundërtën. Afrikanët kaluan në avantazh fillimisht me anë të një autogoli të Cionek, ndërsa në pjesën e dytë Niang dha golin e qetësisë. Polakët e paqartë në lojë e gjetën golin vetëm në minutën e 86 me Krychowiak.
Edhe këtu, përfundimi i ndeshjes i dha Senegalit tri pikët. Tifozët afrikanë shpërthyen në festë në të gjithë shkallët e stadiumit, e ndoshta edhe të nxitur nga lajmi i përhapur se si japonezët pastronin këndin e tyre, edhe ata nisën të mbushnin qese të mëdha me mbeturinat që kishin krijuar, duke u kursyer punë mirëmbajtësve të impiantit.
Në mbrëmje luanin vendasit. Hynin në fushë me qetësinë e fitores 5-0 në ndeshjen hapëse me Arabinë Saudite. Përballë kishin Egjiptin e Mohamed Salah. Faraonëve u duhej me patjetër që të shmangnin humbjen për të mos hequr shpresat e kualifikimit. Por, ishte pikërisht humbja ajo që morën.
Fathy devijoi topin gabimisht në rrjetën e vet, ndërsa Cheryshev dhe Dzyuba çuan në tre numrin e golave për rusët. Egjiptianët shënuan golin e vetëm në minutën e 73 nga pika e bardhë e penalltive, ku Mohamed Salah nuk gaboi.
Në dy ndeshje me zero pikë, aventura ruse e egjiptianëve është mbyllur, ndërsa Rusia siguroi kalimin e grupit. Me këto rezultate u mbyll dita shtatë e botërorit, por që në qendër ishte gjesti i tifozëve japonezë dhe atyre senegalezë, që dhuruan një leksion qytetarie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.