Tetë ditë përpara 30 qershorit opozita po angazhon strukturat e saj jo më në realizimin e protestës të radhës kombëtar, por në aksionin për të bllokuar procesin zgjedhor si edhe protesta çdo ditë në rrethe deri të dielen e zgjedhjeve. Pas protestës të së premtes, kryedemokrati Lulzim Basha ka mbledhur strukturat e partisë, anëtarët e Kryesisë dhe ish-grupin e deputetëve për të diskutuar mbi hapat që do të ndërmarrin.
Nga e hëna i është lënë porosi kryetarëve të Bashkive që drejton PD që të mos pranojnë të shpallin listat e zgjedhësve, por të revokojnë këtë proces. Sipas neneve të 45 dhe 56 të Kodit zgjedhor, listat e hartuara nga zyra e Gjendjes Civile shpallen nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore që ka në juridiksion zyrën përkatëse të gjendjes civile. Gjithashtu këto lista dërgohen në tre kopje. Gjithashtu janë pikërisht njësitë vendore që ia dërgojnë edhe KZAZ-ve 35 ditë përpara zgjedhjeve.
Në rast se kryetarët e njësive vendore refuzojnë një gjë të tillë, atëherë detyrimet përmbushen menjëherë nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Revokimi i kërkuar nga opozita nënkupton tërheqjen nga ana e organit administrativ të një akti të nxjerrë prej atij vetë në një kohë të mëparshme.
Lista e zgjedhësve në Qendrat e Votimit duhet të shpallen po nga krerët e bashkive, por kjo nuk pritet të realizohet, ndërsa ky proces pritet të merret nga strukturat e tjera shtetërore.

Opozita ka kontestuar edhe mënyrën e hartimit të listës së zgjedhësve, nëpërmjet audituesit të saj në KQZ. Pikërisht janë cilësuar si të dyshimta mënyra e pastrimit të 300 mijë rekordeve në lista, duke konstatuar edhe faktin se qindra zgjedhës ekzistojnë në një adresë banimi.
Gjithashtu një tjetër pretendim i opozitës që do të përdoret për kontestimin e këtyre zgjedhjeve është edhe fakti i skadimit të karta të identifikimit të mbi 1 milionë votuesve. Për kartat ID edhe pse të dala jashtë përdorimit, ministria e Brendshme ka nxjerrë një vendim për të shtyrje të afatit dhe pikërisht kjo gjë kontestohet të djathtët, si një mundësi për të manipuluar procesin.
Për të mos lejuar procesin e zgjedhjeve, opozita ka krijuar Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë, një strukturë e krijuar në të gjitha qytetet e Shqipërisë.
Pikërisht këto struktura të reja po organizojnë takime nëpër rrethe dhe synimin sensibilizimin e qytetarëve për të mos votuar në 30 qershor.
Ndërkaq një tjetër porosi e dhënë nga kryedemokrati Lulzim Basha për strukturat e PD-së është që të ketë protesta në çdo takim elektoral që zhvillon kryeministri Edi Rama. Kështu Tirana nuk do të jetë epiqendra e protestave, por çdo qytet ku kryeministri do të zhvillojë takimet elektorale. Kryetarët e bashkive të opozitës, të drejtuara nga PD dhe LSI, 27 të tilla gjithsej kanë kërkuar lirimin e ambienteve të KZAZ-ve nga institucionet që janë në administrimin e njësive të qeverisjes vendore, si shkolla, Pallate Sporti dhe të tjera. Prej disa ditësh janë jo të pakta sulmet e ushtruara ndaj KZAZ-ve në disa qytete të Shqipërisë, si në Tropojë, Kukës, Shkodër, Kamëz, Pogradec, etj ku drejtohen nga të djathtët. Gjithashtu të gjithë kryetarëve bashkive të opozitës kanë hartuar një letër ku kërkohet që të lirohen ambientet e KZAZ-ve, duke i paralajmëruar se do t’i kallëzojnë penalisht anëtarët dhe Policinë e shtetit.

Në letrën e tyre ata kërkojnë zbatimin e dekretit të presidentit Meta që anulon datën 30 qershor. Pikërisht te ky dekret po bazohet e gjithë beteja e opozitës, ku ka angazhuar strukturat partiake për të ndikuar në mos mbajtjen e zgjedhjeve.
Opozita është shprehur e vendosur se më 30 qershor nuk do të ketë zgjedhje. KQZ-ja nga ana e saj nisur nga fakti i tentativave të opozitës për të bllokuar ambientet shkollore ku janë ngritur pjesa më e madhe e Qendrave të Votimit apo dhe KZAZ-ve, po i kundërpërgjigjet kësaj strategjie bllokuese. Kështu në disa bashki vendore që administrohen nga opozita, disa QV-ve iu është ndryshuar vendndodhjen duke mos i lënë më në shkolla 9-vjeçare, por në Qendrat Shëndetësore dhe në Ambulanca. Pikërisht këto institucioneve nuk janë varësi të bashkive, por të ministrisë së Shëndetësisë.
Pas protestës, Basha ofron kushtet për zgjidhjen e krizës
Një ditë pas protestës së nëntë kombëtare të opozitës përpara Kryeministrisë, kryedemokrati Lulzim Basha me anë të një postimi në rrjetet sociale ka mbajtur një qëndrim duke ofruar edhe opsionin e opozitës për zgjidhjen e krizës politike.
“Oqeani i shpresës mbrëmë në Tiranë, ky bashkim madhështor i vullneteve të qytetarëve është besimi i çdo shqiptari tek ndryshimi që po vjen. Kjo krizë do të zgjidhet jo mbi pazare, por mbi parime. Rruga për të dalë prej saj kalon përmes standardeve europiane: Para drejtësisë hajdutët e votave, largimi i Edi Ramës, reformë e thellë politike, dhe zgjedhje të lira e të ndershme. 30 qershori është varreza politike e Edi Ramës dhe Organizatës Kriminale të Rilindjes. Largimi i tij është vetëm fillimi”, shprehet Basha.
Ndërkaq opozita pavarësisht se nuk merr pjesë në zgjedhjet lokale, ka udhëzuar strukturat e partisë që të angazhohen për zgjedhje të parakohshme.
“Ne duhet të ndryshojmë thellësisht politikën dhe ekonominë bazuar mbi vlerat dhe parimet e demokracive të Perëndimit, që kurrë më, askush të mos marrë peng të ardhmen e shqiptarëve dhe fëmijëve të tyre duke shkrirë në një shtetin me krimin dhe oligarkinë. Vetëm në këtë mënyrë do të garantojmë njëherë e përgjithmonë që Shqipëria të mos jetë më ajo që duan këta, Edi Rama, kriminelët, politikanët dhe oligarkët grabitqarë, por të jetë Shqipëria e të gjithë shqiptarëve, #ShqipëriaSiEuropa”, shkruan më tej Basha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





