Dita e tretë e botërorit provoi edhe më fort se koha kur skuadrat ndaheshin me thikë në dy grupe, si të forta dhe të dobëta në një kompeticion ndërkombëtar ka marrë fund.
Në orën 12:00 Franca luante me Australinë. E para bën pjesë në grupin e favoritëve për të fituar kompeticionin, e dyta renditet mes ekipeve që kanë më pak shanse, jo vetëm për ta fituar, por edhe për të kaluar grupin.
E nisur nga kjo, në letër francezët duhet të kishin fituar lehtësisht, por në fushë djersitën deri në fund, madje iu desh edhe ndërhyrja e teknologjisë për të marrë tri pikët dhe gjithçka ndodhi në 45 minutat e dyta të takimit.
Griezman shënoi nga pika e bardhë e penalltive pasi gjyqtari kryesor u konsultua me sistemin VAR për vlerësimin e një ndërhyrjeje brenda zonës. Zhbllokimi i rezultatit çliroi francezët, por ata nuk e pritën që australianët, që nuk kishin ç’të humbnin më të kundërpërgjigjeshin me të njëjtën mënyrë. Ata barazuan gjithçka po nga pika e bardhë e 11-metërshave.
Sa më shumë kalonin minutat, aq më shumë shtohej presioni i skuadrës franceze. Rastet nuk munguan, por herë fati dhe herë rreshtimi i dendur para zonës i australianëve ja mohuan golin. Përpjekjet do të shpërbleheshin në minutat e fundit. Një parabolë e fortë e Pogba përplaset në traversë dhe kalon vijën fatale.
Gjyqtarët nuk ishin të bindur nëse topi e kaloi apo jo vijën dhe sërish u thirr në ndihmë teknologjia. Pasi u pa në përsëritje, fërshëllima e aprovimit shpërtheu në gëzim për herë të dytë francezët e mbetur me gjakun e ngrirë.
Franca fitoi dhe e bëri me “gjuhë nëpër dhëmbë”, përballë një skuadre, që renditet shumë poshtë saj në listën e FIFA-s. Por, tri pikët janë tri dhe në një Kupë Bote pak rëndësi ka se si i merr dhe kujt ja merr.
Në orën 14:00 në fushë zbriste Argjentina. Për të kuptuar se çfarë skuadre kishte përballë mjafton të përmendim faktin se 12 për qind e popullsisë së Islandës ka udhëtuar drejt Rusisë për të mbështetur skuadrën e tyre. Në shifra më konkrete, bëhet fjalë për 40 mijë tifozë nga 330 mijë që ka popullsinë totale vendi ishullor.
Edhe këtu në letër favorizohej bindshëm Lionel Messi me shokët dhe sërish edhe këtu fusha provoi të kundërtën. Argjentina dominoi në të gjitha aspektet, por jo në atë që ka më shumë rëndësi në një ndeshje futbolli; golat.
Aguero shënoi shpejt dhe gjithçka u mendua e lehtë për amerikano-jugorët. Por, kur atyre nuk u ishte larguar ende nga fytyra buzëqeshja e golit të gjetur, islandezët barazojnë gjithçka me Finnbogason.
Messi me shokët shtojnë presioni, provojnë me të gjitha mënyrat që të çajnë korracën e ngritur prej kundërshtarëve. Në pjesën e parë nuk ja dolën mbanë. E dyta nis me të njëjtën melodi, Argjentina sulmonte me të gjithë arsenalin e saj, ndërsa Islanda provoi të habisë me kundërsulmet.
Në minutën e 64-t, gjyqtari drejtoi gishtin nga pika e bardhë e penalltisë për argjentinasit. Messi merr përsipër ekzekutimin. Vihet përballë portierit Halldorson. Ky i fundit i kuptoi krahun e gjuajtjes dhe e priti goditjen e “Pleshtit” pa shumë vështirësi.
Argjentina përpiqet sërish, ndërsa islandezët mbyllen në zonën e tyre. Strategjia e ndjekur edhe në europian prej ishullorëve u provua e suksesshme edhe në ndeshjen debutuese për ta në botëror. Sulmet e Messi dhe Agueros përplaseshin njëri pas tjetrit në mbrojtjen e organizuar mirë dhe të shumtë në numër.
As pesë minutat shtesa nuk e ndihmuan Argjentinën që të gjente golin e shumëdëshiruar dhe në fund u detyrua që të dorëzohet dhe kënaqet me një pikë të marrë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.