Ndërkombëtarët e cilësojnë çështje të brendshme të Shqipërisë përshkallëzimin e përplasjes mes mazhorancës së drejtuar nga Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta, pas vendimit të këtij të fundit për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit.
Ambasadori i OSBE-së, Bernard Borchardt nuk komentoi as vendimin e Presidentit dhe as deklaratat dhe nismat e mazhorancës për shkarkimin e Ilir Metës.
“Sa u takon zgjedhjeve është çështje e brendshme e Shqipërisë. Kjo është çështje e debatit të brendshëm dhe kam shumë besim se institucionet shqiptare do të gjejnë se kush e ka argumentin më të mirë ligjor. Kjo është çështje e brendshme në Shqipëri, mes Parlamentit, Kushtetutës dhe më pas Gjykatës Kushtetuese", tha ai.
Ndërkohë, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca mblodhi në një takim diplomatët e tjerë ndërkombëtarë në Tiranë për të koordinuar qëndrimet dhe hapat që do të ndjekin mbi situatën e re të krijuar.
Asnjë koment nuk është dhënë deri më tani prej tyre. Në orën 11:00 një takim me ambasadorët e BE-së pati në Kryeministri edhe Edi Rama. Takimi zgjati një orë e gjysmë. Në përfundim të tij, përveç lajmeve që qarkulluan se Kryeministri kishte përforcuar bindjen se asgjë nuk do të ndalë zgjedhjet e 30 qershorit, asnjë deklaratë tjetër nuk u bë.
Ndërkombëtarët po tregohet të vetëpërmbajtur, ndërkohë që burime për gazetën “Si” thonë se janë shpeshtuar kontaktet si me Presidencën, ashtu edhe me mazhorancën, në përpjekje për të zgjidhur ngërçin e krijuar.
Ndërkombëtarët, deri më tani kanë mbështetur zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, pavarësisht vendimit të opozitës për të mos marrë pjesë në to. Ambasadori i BE-së, ambasadorë të vendeve të Bashkimit Europian, përfshirë këtu ambasadorët gjermanë, italianë, britanikë e francezë kanë nxitur zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor, pavarësisht vendimit të opozitës. Të njëjtin qëndrim ka ndarë edhe ambasada amerikane, qëndrim i përforcuar nga vizita e zv.ndihmëssekretarit, Mattheë Palmer në Tiranë.
Vizita e tij në prill u interpretua si përpjekje për të ndërmjetësuar zgjidhjen e krizës, por në Tiranë vetë zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit e mohoi këtë. Përpjekje të vakëta për zgjidhjen e krizës zhvilloi Parlamenti Europian dhe përfaqësues të Komisionit për Zgjerimin. Pasi thirrjet e tyre ndaj opozitës për të hyrë në zgjedhje dështuan, edhe zyrtarët e Brukselit u dorëzuan dhe lanë në dorë të politikës shqiptare zgjidhjen e krizës së radhës.
Mbetet për t’u parë tani nëse me përshkallëzimin e krizës politike, që tashmë ka marrë të tjera përmasa dhe nuk është më mes dy palëve, pozitës dhe opozitës, por ka marrë trajtën e një krize të përgjithshme institucionale dhe kushtetuese se çfarë qëndrimi do të mbajnë ndërkombëtarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.