Koreografia e ceremonisë së hapjes është gati, rregullat janë të qarta dhe masat e sigurisë në ekstrem, ndërsa Vladimir Putin kërkoi një ditë më parë që politika të qëndrojë larg futbollit.
Por, një deputete e Parlamentit rus, anëtare e partisë së shefit të Kremlinit ka dashur që të përcjellë një këshillë për të gjitha vajzat ruse në këtë fillim të botërorit.
“Vajzat ruse duhet të shmangin marrëdhëniet seksuale më të huaj më ngjyrë gjatë Kupës së Botës, se përndryshe rrezikojnë që të jenë nëna të vetme të fëmijëve me racë të përzier”, deklaroi gjatë një emisioni radiofonik deputetja Tamara Pletnyova.
Ligjvënësja ruse mohon që deklarata e saj është raciste dhe nacionaliste.
“Duhet të lindim fëmijët tanë. Fëmijët me racë të përzier kanë vuajtur që prej kohës së Bashkimit Sovjetik. Është tjetër gjë të lindësh një fëmijë me të njëjtën racë dhe tjetër të lindësh me një racë tjetër. Nuk kam raciste dhe as nacionaliste, por unë e di që fëmijët e lindur nga një baba me ngjyrë vuajnë shumë në Rusi. Ata braktisen nga i ati dhe e ëma duhet të përballojë e vetme rritjen e tyre”, shtoi ajo.
Deklarata lindi pasi u pyet nga moderatorja e radios në lidhje me atë që njihet si “Fëmijët e Olimpikeve” në Rusi. Pas lojërave olimpike të vitit 1980 në Rusi lindën një numër i madh fëmijësh frut i marrëdhënieve të grave ruse me sportistët dhe tifozët e pranishëm në eventin sportiv. Origjina e etërve të tyre ishte nga Afrika, Azia dhe Amerika Latine. Pikërisht këta fëmijë u përballën me një valë diskriminimi racor të madh në Bashkimin Sovjetik të asaj kohe.
Pletnyova nuk është e vetme që lëshon një deklaratë të tillë. Me herët një deputet rus deklaroi se të huajt mund të sjellin shumë viruse dhe të infektojnë rusët gjatë zhvillimit të Kupës së Botës.
Mijëra tifozë nga 31 vendet pjesëmarrëse në finalet e Kupës së Botës kanë mbërritur dhe vazhdojnë të mbërrijnë në Rusi për të ndjekur skuadrën e tyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.