Komunitet

Sonte nata e vlefshme sa 1 mijë muaj për besimtarët myslimanë

Gjatë muajit të Ramazanit, që është më i rëndësishmi në kalendarin e besimit islam, një ditë është më e veçantë. E quajtur si ‘Nata e Kadrit’, kjo datë është nga më të shënuarat për besimtarët myslimanë. Kjo natë quajt Kadr që tregon për vlerën dhe pozitën e lartë që e ka, siç përdoret kur thuhet për dikë ka pozitë të lartë. Nga dijetarë islamë kjo ditë është cilësuar si “festë ndër më të respektuarat, natë e paqes, e mirësisë së përgjithshme, e shpërblimit të pashembullt”.

Një nga imamët më të njohur në Shqipëri, Ahmed Kalaja, në fjalimin e kësaj të premte para besimtarëve në xhaminë “Dine Hoxha” në “Rrugën e Kavajës”, ka treguar edhe disa nga vlerat që Nata e Kadrit bart. Kalaja u foli atyre për rëndësinë që ka kjo datë, duke thënë se Nata e Kadrit për besimtarët është vlefshme sa 1 mijë muaj. Në natën e Kadrit ka zbritur libri i shenjtë për myslimanët, Kurani. Pra nëse kryejnë ritualet fetare në këtë ditë, për praktikantët myslimanë, kjo ditë merr vlera sa për 1 mijë muaj kalendarik.

Kur është nata e Kadrit?

Nata e Kadrit ka një llogaritje specifike. Një nga dijetarët islam, Ibn Abasi ka qenë me mendimin se nata e Kadrit është në ditën e njëzeteshtatë, të muajit të Ramazanit. Ndërsa të tjerë dijetarë mysliman kanë rënë dakord se kjo natë është në dhjetë ditshin e fundit të muajit të Ramazanit në netët teke. Imami Ahmed Kalaja shpjegoi se kjo e premte është dita e 26 e muajit Ramazan, por pas faljes së ‘akshamit’ sipas kalendarit islam hyn dita e 27, që rrjedhimisht e bën këtë të premte Natë Kadri.

Nata e Kadrit ka edhe disa shenja dalluese sipas imamëve dhe teologëve. Dielli në këtë datë lind i zbehtë dhe pa rreze. Për besimtarët myslimanë në këtë natë, zbresin engjëjt në Tokë me mirësi, bereqet, mëshirë dhe falje. Është natë e pastër nga të këqijat e ndryshme si dhe nga lëndimet.

Në këtë natë të gjithë besimtarët myslimane kryejnë ritet e tyre gjatë gjithë natës, duke pritur zgjuar thirrjen e “ezanit të sabahut” që lajmëron lindjen e diellit. Muaji i Ramazanit këtë vit përkoi mes datave 6 maj dhe 3 qershor dhe në fund të tij është festa e Fiter Bajramit, në të cilën besimtarët myslimane kryejnë vizita tek të afërmit dhe miqtë e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë