Politike

Çelja e negociatave? Rama refuzon Metën dhe i lutet Bashës: Lërë opozitën rrugore


Kryeministri Edi Rama në daljen në konferencën e përbashkët për shtyp së bashku me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Lugi Soreca, është shprehur i kënaqur për ripropozimin e Komisionit Europian për çeljen e pakushtëzuar të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Në këtë konferencë ku simbolikë ishte dorëzimin i progres-raportit vjetor të KE-së, Rama nuk ka ngurruar të tregojë “muskujt”, por në të njëjtën i ka dërguar një mesazh lutës kundërshtarit të tij politik, Lulzim Basha për të mos ndikuar në dhënien e ndonjë mesazhi negativ ndaj Këshillit Europian apo te vendet anëtare të BE-së që janë të lëkundura.
Tashmë edhe vetë Rama është i bindur se raporti i KE është në nivelin teknik dhe se beteja më e madhe është ajo politike, e marrjes së vendimit nga ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Unionit. Me qëllim marrjen e një vendimi sa më pozitiv, Rama i kërkoi publikisht ndihmë Bashës.
“Sot mos të flas për opozitën në gjuhë të huaj, pra përkthyesi mos të përkthejë asgjë për opozitën, ama kam një apel për Lulzim Bashën dhe atë pjesë e opozitës që është rrugëve, deri në momentin e vendimit të Këshillit Europian është mirë që të mendojmë për Shqipërinë, jo për partinë, të mendojmë për gjeneratën tjetër dhe jo për zgjedhjet e radhës. Të mos furnizojmë ato që janë të lëkundur ose me arsye për të thënë jo, me pamje të gënjeshtra që nuk pasqyrojnë realitetin nga Tirana, protesta që janë partiake dhe jo popullore”, deklaroi Rama.
Pas pyetjes së gazetarëve, kryeministri është shfaqur më i drejtpërdrejt duke i kërkuar opozitës që të lërë opozitën rrugore dhe të mos bëjë fushatë kundër çeljes së negociatave.
“Unë mendoj se edhe me ndihmën tjetër të opozitë rrugore ne mund t’ja dalim plotësisht, nëse unë nuk do të kisha dyshim se si do të precipitojë lëvizja e opozitë rrugore, sot do t’ju thosha se negociata do të hapeshin. Nëse opozita rrugore do të ndalonte dhe të merrte frymë Shqipëria, e them me bindje se negociatat do të hapeshin 100%. Mund të duket fare kollaj sepse ka edhe nga ato vende që kanë qëndrim më të ftohtë, por nëse Shqipëria me anë të opozitës rrugore i jep argumente, apo nuk u mban dorën kjo dorë mund të ngrihet”, theksoi Rama, duke shtuar se KE ka lënë edhe detyra për opozitën në raportin vjetor.

Rama në konferencën e sotme për shtyp


Kryeministri e cilësoi si një mekanizëm ferri Komisionin Europian, duke theksuar se pavarësisht se nuk ka vendim nga Këshilli Europian, Shqipëria e ka nisur procesin scrwning për legjislacionin me Komisionin Europian.
“Dua të falënderoj sinqerisht Komisionin Europian, që është një makineri ferri që financohet nga taksapaguesit europian për tua nxirë jetën të gjitha këtyre vendeve që janë në këto procese, por nga ana tjetër është lakmuesi me i sigurt për testin e çdo vendi. Dhe në këtë aspekt dua të falënderoj të gjitha ata që kontribuojnë këtu në Shqipëri, që duke punuar pa orar çdo ditë për të kuptuar deri në fund ecurinë në të gjitha prioritet na japin mundësinë që në të kemi një këndvështrim objektiv të arritjeve tonë. Kështu që KE është edhe ngushëllimi më i madh për dhimbjet e shkaktuara në gjithfarë lloj burimesh e kalesh që për arsye të tyre i bien Shqipërisë më qafë më shumë sesa e meriton”, u shpreh Rama.

Ambasadori Soreca dhe kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp


Rama refuzon Metën: PS nuk ka datë për shtyrje zgjedhjesh
Kryeministri e ka nisur me batutë sa i përket krizës politike, duke theksuar se mund t’i drejtojë edhe një letër të shtatë rivalit të tij politik, Lulzim Basha dhe se këtë mund ta marrë në ditët në vijim, por se ka hedhur poshtë çdo mundësi për të shtyrë datën e zgjedhjeve, duke refuzuar kështu edhe qëndrimin e presidentit Ilir Meta, i cili disa ditë më parë shprehur gatishmërinë për të ndërmarrë këtë vendim në dobi të krizës politike.
“Sa i përket presidentit të Republikës në këndvështrimin tim, ai ka shprehur një gatishmëri për t’iu vënë në dispozicion të një zgjidhjeje me pëlqimin e partive, se kështu u përcakton edhe kushtetuta rolin e tij, më lejoni t’jua përsëris, shumica qeverisë, PS nuk ka asnjë pëlqim lidhur me asnjë diskutim për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Kjo nuk ka lidhje me sforcon e respektueshme të presidentit, ka lidhje me qëndrimin tonë të qartë se me 30 qershor nuk është çështja se kush do t’i fitojë zgjedhje bashkiake, por Shqipëria institucionale dhe s’mund të merret peng dhe t’i nënshtrohet agjendave partiake të kujtdo qoftë. Në raport me presidentin kam që qenë i bindjes, i duhet dhënë “Çezarit ajo çfarë i takon Çezarit”, e vlerëson gatishmërinë dhe jam i bindur se nuk e keqkupton reagimin në raport me këtë pyetje se ne nuk kemi datë për negociuar dhe nuk kemi datë zgjedhjesh për të negociuar. Më 1 qershor që përkon në ditën e fëmijëve, PS do të fillojë fushatën për zgjedhjet e ardhshme të 30 qershorit, por në një betejë jo për kryetar bashkie se kush do të jetë, por si do të jetë Shqipëria e gjeneratës tjetër”, theksoi Rama.
Ndërsa ambasadori Soreca, duke iu referuar dhe qëndrimeve të mëparshme të Mogherinit e hodhi poshtë mundësinë e ndërmjetësimit të krizës nga Shqipëria, duke theksuar se kriza duhet të zgjidhet vetë mes partive.


Reagimet e opozitës
Opozita në përgjithësi e vlerësoi vendimin e Komisionit Europian, por shprehu rezerva për vlerësimet që jep raporti vjetor. Nënkryetari i LSI-së, Luan Rama theksoi se “përveç vullnetit të Komisionit që ne e përshëndesim, rekomandimi i sotëm nxjerr edhe njëherë zbuluar atë që në fakt ne e kemi denoncuar që një vit më parë, gënjeshtrën e para një viti kur qeveria me hipokrizi dhe pafytyrësi i gënjeu shqiptarët duke ua paraqitur atyre rekomandimin e 2018-ës si vendim për çeljen e negociatave me Shqipërinë”.

Luan Rama

“Mirëpo ja ku jemi prapë sot në rekomandimin e radhës që gjithashtu ka të bashkëlidhur edhe shumë “por”, por si kushtëzuese dhe duhet gjithashtu si kushte të cilat Shqipëria do duhet t’i përmbushë. Për koherencë, më lejoni t’ju bëj të qartë dhe të sjell në vëmendje tuaj se një vit më parë, pra përpara sesa Komisioni Europian në vitin e kaluar të bënte rekomandimin e radhës, opozita i ndërpreu protestat, ndërpreu reagimet demonstrative për të krijuar kushtet që rekomandimi i 2018-ës, të gjente miratimin e Këshillit dhe për rrjedhojë Shqipëria të meritonte çeljen e negociatave, gjë që nuk ndodhi. Mirëpo çfarë ndodhi?Qeveria, mazhoranca me arrogancë dhe me mospërfillje, me fyerje, refuzoi klimën e bashkëpunimit dhe të kompromisit. Sabotoi edhe Paktin Kombëtar për integrimin europian, duke e kthyer këtë prioritet kombëtar në një sfidë të egos së vet politike dhe duke demonstruar në këtë mënyrë jo thjesht dhe vetëm mungesë vullneti, por ç’është më e rënda duke e sabotuar me papërgjegjshmërinë në qeverisje të gjithë procesin e integrimit europian të Shqipërisë, çka dëshmohet tek dy nënvizime të rëndësishme që përmbajnë edhe rekomandimet e sotme dhe që kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të këtyre dy sëmundjeve endemike të shoqërisë shqiptare”, theksoi zyrtari i LSI-së.


Ndërsa nënkryetari tjetër i LSI-së, Petrit Vasili ka mbajtur një reagim më të ashpër. “Ne konferencën melankolike, të një lamtumire pa lavdi Mogerini dhe Hanh folën për rekomandimin e radhës dhe për reformën në drejtësi në Shqipëri e për suksesin e saj të “paparë” të kësaj reforme. Është vendi për t’i “falënderuar” pa fund për këtë vlerësim, sepse vërtet i paparë ishte suksesi i saj i madh i reformës në drejtësi sepse: -Shqipëria nuk ka as Gjykatë Kushtetuese, -nuk ka as Gjykate të Lartë, -nuk ka as Inspektor të Përgjithshëm të Drejtësisë, -ka një Veting me dy standarde të demaskuar edhe nga organizmat jo qeveritare, -ka anëtarë të vete komisioneve të Vetingut që janë pa asnje integritet e te kompromentuar; -ka mbi 50% te anëtarëve të KLGJ dhe KLP me standarde shumë të ulëta, që rrënojnë imazhin e drejtësisë së “re”. Të gjithë anëtarët e KLGJ dhe KLP të refuzuar nga ONM u miratuan nga rilindja; e që mbi 63% e shqiptareve nuk kane me besim te kjo reformë. Këto arritje të një reforme në drejtesi të abortuar i “meritojnë” lëvdatat e Mogerinit dhe Hahn. Edhe një falënderim përfundimtar. Faleminderit Mogerinit dhe Hanh për rekomandimet e përvitshme, por që nuk na i hapen asnjëherë negociatat për anëtarësim”, shkruan Vasili.


Nga PD nuk ka pasur ndonjë reagim zyrtar deri pasdite në lidhje me këtë raport të KE-së që kërkon që Këshillit t’i çelë negociatat me Shqipërinë. Ndërsa Bindja Demokratike e ka cilësuar si pozitive një vendim të tillë, duke e konsideruar si një lajm të mirë. “Ne e vlerësojmë atë si një stacion të rëndësishëm në procesin e integrimit europian të vendit, që është një përcaktim i qartë dhe i vendosur për aspiratën e shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Bindja Demokratike falënderon Komisionin Europian për rekomandimin, duke besuar fort se kjo është në radhë të parë një fitore për Shqipërinë, e cila nuk ka pasur asnjë mëdyshje për rrugëtimin e vet drejt Brukselit. Në këtë kontekst, çdo përpjekje e qeverisë për ta privatizuar këtë arritje dhe për ta shitur atë si sukses vetëm të vetin, veçse do ta minonte dhe do ta prishte atmosferën e kësaj ngjarjeje të rëndësishme për Shqipërinë”, thuhet në deklaratën e kësaj force të re politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë