Pas idesë për ndryshimin e kufijve, presidenti Hashim Thaçi ka hedhur në tryezë një tjetër skenar të bujshëm: bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Pas deklaratave të papritura nga Hasi, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka folur sërish për bashkim kombëtar mes dy vendeve, ide të cilën duket se e ka kthyer tanimë në qëllimin e radhës politik. Nga ceremonia e 20-vjetorit të operacionit “Shigjeta DO-2” presidenti tha se zgjidhja më e mirë për të dyja vendet është që Parlamenti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë të dalin me deklarata për të jetuar në një shtet të përbashkët dhe pa kufij.
Sipas Thaçit, tanimë po krijohen edhe rrethanat e reja, të cilat sipas tij, ofrojnë bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë si zgjidhjen më të mirë.
E ardhmja e jonë e sigurt është në NATO dhe në Bashkimin Europian. Por megjithatë po krijohen edhe rrethana të reja që zgjidhja më e mirë do të ishte që të dy parlamentet ai i Kosovës dhe Shqipërisë të nxjerrin deklaratat e nevojshme të vullnetit të popullit të Kosovës dhe Shqipërisë që të jetojmë në një shtet të përbashkët pa kufij”, tha Thaçi.

Edhe pse nuk ka dhënë detaje se cilat janë këto rrethana dhe nëse ka marrë “bekimin” e SHBA-së, edhe për idenë e bashkimit kombëtar, ashtu si për ndryshimin e kufijve, deklaratat e tij kanë shkaktuar një “tërmet politik” në Tiranë dhe Prishtinë.
Analisti nga Kosova Artan Muhaxhiri, thotë se deklaratat e presidentit Thaçi janë krejtësisht të pabazuara në realitetin politik të Tiranës dhe Prishtinës. Sipas tij, presidenti nuk ka marrë miratimin e “ndërkombëtareve” për realizimin e një skenari të tillë.
“Më shumë është një tendencë për të qenë i pranishëm në media dhe në biseda kafehanesh sesa një skenar serioz dhe konkret. Është absolutisht e qartë se si bëhen këto ndryshime të mëdha gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan dhe asnjëherë nuk janë bërë në këtë mënyrë. Pra, nevojitet një ndryshim i madh dhe një presion i madh ndërkombëtar për tu bërë të bërë të mundur ndryshime të tilla dhe deri tani nuk ka asgjë konkrete”, thekson ai.
Nga qeveria nuk ka ende asnjë reagim dhe asnjë nëse sinjal nëse deklaratat e Thaçit janë të koordinuara me kryeministrin Edi Rama, por reagimi i parë duket se ardhur nga radhët e opozitës.
Për ish-ministri i Jashtëm ,Tritan Shehu, tezat e Thaçit ndesh me interesat tona kombëtare e stabilitetin e rajonit. Ai ka akuzuar presidentin e Kosovës se po tenton t’i “veshë kostumin nacionalis” Tiranës dhe Prishtinës, duke zgjuar edhe ëndrrat e Beogradit për Serbinë e Madhe.

“Ai dje kërkoi përfshirjen e Parlamenteve të Kosovës e Shqipërisë në aventura të rrezikshme “bashkimi kombëtar”, që u shkojnë për shtat atyre që duan të na kthejnë në faktor destabiliteti, të na mbajnë ne dhe rajonin larg BE-se!”, shkruan Shehu. Me shkëmbimin e territoreve ai me bashkautorë ringjalli një aspiratë të dominimit serb në rajon, por që u shua në Berlin. Se fundmi në sinkron me ata që kërkojnë të na veshin kostumin nacionalist të ‘Shqipërisë së Madhe’, ky President u bën të tilla thirrje Parlamenteve, në kundërshtim me detyrat e juridiksionin e tij. Thaçi godet kështu edhe ‘Paketen Ahtisaar’, që është dokumenti bazë i lirisë së pavarësisë së Kosovës, i vendimit të Gjykatës së Hagës, i Kushtetutës së saj. Të tilla teori që rihapin edhe ëndrrat e Serbisë së Madhe nëpërmjet ndryshimit të kufijve, vetëm dëmtojnë imazhin e interesave shqiptare në këto periudha të vështira dhe na izolojnë”, thotë ish-ministri i Jashtëm
Shehu sugjeron se presidenti po përfshin Shqipërinë në të tilla aventura për të larë veten mbas “shuplakës” së Berlinit. “Çdo gjë është e mundur, por sidoqoftë përgjigja duhet dhënë e prerë: ne e kemi fytyrën vetëm drejt Europës, aty do të bashkohemi!”, thekson Shehu.
I pyetur sesi mund të bëhet i mundur bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës, Thaçi dha dy ide: bashkimit nën “ombrellën e Bashkimit Europian” dhe bashkimit “nën ombrellën shqiptare” në një territor të vetëm. Sipas presidentit të Kosovës, kjo ide është më e lehtë për t’u realizuar sesa largimi i Serbisë nga Kosova.
“Lugina e Preshevës duhet të bashkohet me Kosovën, njësoj sikurse Kosova që duhet të bashkohet natyrshëm me Shqipërinë, nën ombrellën e përbashkët të BE-së ose edhe vetëm nën ombrellën shqiptare, nëse BE-ja vazhdon t’i mbyll dyert për ne”, ka thënë Thaçi.
Deklaratat për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, si opsion, vijnë edhe në kohën kur Kosova dhe Shqiperia po përgatiten për takimin e radhës më 1 korrik, në Paris, i cili pritet të mbahet me ndërmjetësimin e presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Anglela Merkel.
Megjithatë, deklaratat e Thaçit duket se nuk janë mirëpritur as nga analistët politikë në Prishtinë, të cilët thonë se ai nuk ka asnjë plan konkret.
Politologu Ramush Tahiri, thotë se presidenti deri më tani nuk ka paraqitur ndonjë program apo plan konkret për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë në një shtet të vetëm.
“Presidenti Thaçi bën deklarata politike, duket së është i frustruar me gjendjen ekzistuese në Kosovë edhe me dallimet e brendshme rreth çështjes themelore, por edhe me procesin e integrimit europian si dhe me procesin e dialogut me Serbinë dhe për këtë po hedh opsionin që Kosova është krahinë e Shqipërisë dhe do të bashkohet me Shqipërinë”, tha Tahiri.
Sipas analistit, presidenti është i pakënaqur me politikën e Bashkimin Evropian karshi Kosovës, sidomos me procesin e liberalizmit të vizave dhe po përdor këtë ide për t’u hakmarrë ndaj Brukselit.

“Thaçi luan në një kartë kombëtare që më herët është konsideruar nacionaliste. Ai nuk thotë që do të realizohet me çdo mjet, por thotë se është një nga alternativat nëse Kosovës dhe kosovarëve u mbyllen dyert e Bashkimit e Europian. Presidenti Thaçi e konsideron bashkimin e Kosovës më Shqipërinë do të ishte një zgjidhje për paqe dhe stabilitet, por nuk po merr parasysh reagimet rajonale”, thotë Tahiri.
Ndërkohë për Muhaxhirin, deklaratat e Thaçit janë populiste dhe nuk dihet as kujt në fakt i drejtohen.
“Nuk e kuptojmë se kë dëshiron ta shënjestrojë me këto deklarata se të gjithë qytetaret e Kosovës e dinë se një gjë e tillë nuk mund të bëhet asnjëherë në ketë mënyrë tendencioze e pompoze”, thekson Muhaxhiri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





