Presidenti Ilir Meta po konsideron shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Përmes një komunikate publike kreu i shtetit përshëndet reagimin e grupit parlamentar gjerman CDU/CSU dhe duke iu referuar Kushtetutës sugjeron shtyrjen e datës së zgjedhjeve nëse palët politike bien dakord.
“Shpreh gadishmërinë time institucionale, që në përputhje me kompetencën që më jep shkronja “gj” e nenit 92 të Kushtetutës, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike”, thotë Presidenti.
Sipas kreut të shtetit, fryma dhe përmbajtja e Kushtetutës e mundësojnë rishikimin e datës së zgjedhjeve, ndryshe nga sa mendon Kryeministri Edi Rama, që 30 qershori është afati i fundit kushtetues dhe çdo shtyrje e zgjedhjeve do ta shkelte atë.
“Kam përgjegjësinë kushtetuese të respektoj dhe mbroj parimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, duke evidentuar gjithashtu çdo rast kur këto parime rrezikojnë të kërcënohen. Vlerësoj faktin që edhe Parlamenti Gjerman, ky institucion kyç i partnerit tonë strategjik, ka paralajmëruar se zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik, duke u pamundësuar qytetarëve shqiptarë zgjedhjen mes alternativave konkuruese. Neni 3 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ndër të tjera, përcakton qartë detyrimin kushtetues për mbrojtjen e pluralizmit politik nga të gjithë. Kjo nënkupton jo vetëm ekzistencën e partive të ndryshme politike, por edhe mundësinë e tyre reale për të konkurruar, në kushte të barabarta dhe pa pengesa, në zgjedhje të lira dhe të ndershme, si mundësia e vetme për të respektuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve shqiptarë për të zgjedhur”, deklaron Presidenti Meta.

Meta thotë se askush nuk duhet t’i trembet votës së lirë dhe u rikthye dy muaj pas në kohë për të përsëritur zotimin se është i gatshëm që të dorëhiqet nëse kjo i shërben zgjidhjes së krizës.
“Ashtu siç deklarova me përgjegjësi më 20 mars nga Pogradeci, mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mire, stabilitetit dhe demokracisë së vendit, të vendos në dispozicion edhe mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qyetetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë”, shton ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





