Politike

OSBE cakton Glover, kryevëzhguesja e proceseve të vështira zgjedhore

OSBE/ODIHR është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për misionin vëzhgues në zgjedhjet e 30 qershorit, në krye të të cilit pritet të jetë një emër që i njeh mirë proceset zgjedhore në Shqipëri, por edhe i kontestuar nga opozita e sotme.

Bëhet fjalë për Audrey Glover. Top Channel raporton se britanikja do të kryesojë misionin afatgjatë, pra atë që do të vëzhgojë fushatën elektorale, procesin e votimit dhe periudhën postzgjedhore.

“ODIHR do të ketë 18 vëzhgues afat gjatë dhe ne kemi kërkuar 250 vëzhgues afat shkurtër të cilët do të monitorojnë zgjedhjet në të gjithë vendin. Ne jemi të mirëinformuar për zhvillimet e fundit dhe po bëjmë një monitorim të kujdesshëm të zhvillimeve”, citohet zëdhënësja e OSBE/ODIHR, Katya Andrus.

Për herë të parë, Glover do të vëzhgonte zgjedhjet shqiptare në vitin 1996, kur Partia Socialiste, në atë kohë në opozitë nuk e njohu rezultatin duke akuzuar Partinë Demokratike për orkestrimin e një manipulimi masiv të procesit zgjedhor. Glover dhe misioni i udhëhequr prej saj konfirmoi këto akuza të socialistëve në atë kohë dhe në raportin e publikuar, zgjedhjet e atij viti i konsideruan skandaloze, duke çuar në një përplasje të drejtpërdrejtë mes përfaqësueses së OSBE/ODIHR dhe qeverisë së asaj kohe.

Pas 1996 vendi pati edhe një sërë procesesh të tjera zgjedhore, por Glover do të rikthehej në krye të një misioni vëzhgues ndërkombëtar vetëm në zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2009. Emri i saj u pa me skepticizëm nga ana e Partisë Demokratike, që ashtu si 1996 ishte sërish në pushtet.

Përplasja e atyre pas raportit të 1996 bëri që PD ta kundërshtojë emërimin e ambasadores Glover. Madje eksponentë të PD-së në 2009 deklaronin se raporti i atëhershëm i ODIHR-it u kritikua edhe nga faktorë të tjerë ndërkombëtarë dhe jo vetëm nga qeveria shqiptare.

Kundërshtimin e Glover në 2009 si kryembikëqyrëse e kundërshtoi Arben Ristani, në atë kohë kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ai tha përmes një interviste telefonike me Zërin e Amerikës se qeveria e kundërshton shefen e misionit të ODIHR-it për problemet e lindura në 1996.

Por për vetë Glover, përplasjet me autoritetet shqiptare të 1996 i përkisnin të shkuarës. “Kam dëshirë të theksoj se nuk kemi mbërritur këtu me ndonjë paragjykim apo ndonjë axhendë të fshehur. Si gjithnjë do të lemë që faktet të flasin vetë”, deklaronte ajo për mediat.

Megjithatë, pavarësisht “mërisë” së shfaqur në distancë, Glover mbikëqyri procesin zgjedhor dhe kryesoi misionin që hartoi më vonë raportin. Zgjedhjet këtë herë u vlerësuan si brenda standardeve, megjithë problematikat e zakonshme që karakterizojnë këtë proces në vendin tonë.

Ambasadorja e OSBE do të rikthehej në Shqipëri në 2015, këtë herë për zgjedhjet e pushtetit vendor. Nga Partia Demokratike, që tashmë kishte kaluar në opozitë, emri i saj nuk u kundërshtua aq fort sa në 2009, por nuk u prit as me entuziazëm.

Vëzhgimi i zgjedhjeve të 30 qershorit do të jetë misioni i katërt për zyrtaren britanike të OSBE/ODIHR. Ndryshe nga 2009 dhe 2015, këtë herë, të paktën për nga retorika e klasës politike, ajo pritet që të gjejë situatën më të vështirë që prej 1996.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë