Politike

Fjala para mediave pak para nisjes së samitit të Presidentëve të rajonit e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi u karakterizua nga një lapsus. Thaçi po u shpjegonte gazetarëve përmbajtjen e një bisede, siç tha, shumë të hapur me Kryeministrin Edi Rama një ditë më parë duke shtuar se temë kishte qenë edhe mundësia e heqjes së tërësore të kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Por, dialogu me Serbinë dhe përplasjet e fundit me Beogradin dhe për atë se çfarë diskutohet me Beogradin në Prishtinë dhe Tiranë duket se e shpërqëndruan disi dhe në vend që të fliste për heqjen e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë, foli për heqje kufiri mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë kam diskutuar dje (të mërkurën) me Kryeministrin e Shqipërisë, zoti Rama. Një bisedë shumë të hapur. Kemi diskutuar për mundësinë e heqjes tërësisht të kufijve Kosovë-Serbi!!!, të një modeli europian, nën ombrellën e vlerave Euroatlantike. Askush nuk duhet t’i frikësohet komunikimit dhe integrimit kombëtar dhe të një hapësire kudo që jetojnë shqiptarët pa kufi, pra të një lëvizje të lirë”, tha ai.

Thaçi iu rikthye temës së kufijve dhe taksës ndaj produkteve serbe. Ai foli për ekzistencën e mundësive të gjetjes së një marrëveshjeje brenda këtij viti, por këmbëngul që në këtë marrëveshje të përfshihet edhe Presheva, Medvegja dhe Bujanoci.

“Theksoj edhe një herë me përfshirjen e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në territorin aktual, duke mos cenuar asnjë centimetër të Republikës së Kosovës. E theksoj edhe një herë që tarifa ka qenë në vendim i drejtë dhe legjitim dhe do të mbetet në fuqi. Duhet të vazhdojë dialogu i pakushtëzuar”, vijoi ai.

Sa i takon kësaj ideje, Hashim Thaçi thotë se në samitin e Berlinit nuk pati një qëndrim të unifikuar të Bashkimit Europian, ndaj përsërit se zgjidhje vjen vetëm me angazhimin e drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Shpresoj që Samiti i Parisit të jetë më mirë i organizuar dhe të prodhojë substancë dhe gjithashtu shpresoj, sepse kam qenë vetë i tmerruar kur u informova se në Berlin organizatorët nuk kanë qenë informuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prandaj e ritheksoj edhe një herë sot se, pa rolin udhëheqës të SHBA-së, nuk mund të ketë as dialog të suksesshëm dhe e lëre mos ndonjë marrëveshje të apo ndonjë zbatim të saj”, thotë Thaçi.

Presidenti i Kosovës zotohet gjithashtu se nuk do të ketë një “bosnjëzim” të Kosovës.

“Krijimi i një modeli të tillë do të ndikonte në ndarjen e Kosovës, gjë që ne nuk do ta lejojmë në asnjë rrethanë dhe nuk do lejojmë nga askush që të vihet në tavolinë”, zotohet ai. Thaçi deklaroi të mërkurën se ideja për korrigjim të kufijve është personale e tij, se kjo ide nuk u varros dhe as lindi në Berlin dhe se SHBA nuk ka vënë vija të kuqe në bisedimet me Serbinë, duke nënkuptuar se në këtë ide gëzon mbështetjen e Uashingtonit.

Jehona në mediat serbe

Qëndrimi i Milorad Dodik dhe Aleksandër Vuçiç në Tiranë u pasqyrua gjerësisht në mediat serbe, të cilat ende pa nisur samiti i presidentëve të rajonit gjetën “material” për të mbushur versionet e tyre online.

Lajmi i parë që qarkulloi me shpejtësi ishte ai që fliste për “kafen vëllazërare Vuçiç-Dodik” në kryeqytetin e Shqipërisë, ndërsa mes artikujve që pasuan ishte edhe ai i gazetës “Blic” mbi fjalimin e Presidentit serb gjatë samitit.

Sipas “Blic”, e njohur për qëndrimet antishqiptare tha se Vuçiç është shprehur i ngopur nga retorika e Hashim Thaçit, që ka përmendur sërish Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin për t’iu bashkuar Kosovës, por kjo e fundit pa i dhënë asnjë centimetër territor Serbisë si këmbim.

“U ngopa së dëgjuari se çfarë dëshiron Hashimi dhe çfarë jo. Ti, Hashim varesh nga ne. Kështu qëndrojnë gjërat, prandaj po të lutem që të dialogojmë dhe jo të flasim se çfarë dëshirojmë dhe çfarë nuk dëshirojmë. A do të të pëlqente që të dëgjojë vazhdimisht nga unë se çfarë nuk më pëlqen?”, citohet Vuçiç nga mediat serbe.

Sipas mediave në Beograd, Vuçiç u është përgjigjur edhe zotimeve të Presidentit Hashim Thaçi për të mos lejuar një Republika Srpska në territorin e Kosovës. Presidenti serb, sipas asaj që shkruhet në Beograd e ka këshilluar Thaçin që të mos e sjellë më në tryezë këtë temë.

“E di që e bën sepse amerikanët nuk e duan Republikën Srpska, por mund të them që as unë nuk do të lejoj një Republika Srpska brenda Serbisë, dhe ajo Republika Srpska brenda Serbisë është Kosova”, citohet Vuçiç.

Perfaqesuesja e Larte per Politiken e Jashtme dhe Sigurise te BE, Federica Mogherini, Presidenti i Kosoves, Hashim Thaci, Presidenti i Serbise, Aleksandar Vucic, duke u takuar perpara samitit te procesit te Brdo Brijunit

Pasqyrim ka gjetur edhe shtrëngimi i duarve mes Vuçiçi dhe Thaçit para nisjes së samitit. Në disa forume është interpretuar si “njohje” e Kosovës, por Presidenti serb citohet të ketë thënë se takimi ka qenë informal dhe jo gjatë samitit.

Një tjetër detaj që është kapur është edhe urimi, që Presidenti serb i ka bërë Vladimir Putinit nga Tirana me rastin e fitores ndaj nazizmit. Urimi është përcjellë përmes rrjeteve sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë