Analize

Pas Berlinit, Thaçi-Vuçiç në Tiranë, a do të rihapen kufijtë?

Nga Xhuliana Toçi - Dhjetë ditë pas samitit të Berlinit, presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç do të përballen sërish, por kësaj radhe në Tiranë. Shqipëria do të jetë mikpritësja e samitit të Brdo-Brionit, më 8 dhe 9 maj, duke bërë kështu së bashku krerët e shteteve nga mbarë Ballkani.

Burime nga presidenca thonë për Gazeta Si se deri më tani, presidenti serb, ai slloven, kreu i shtetit kroat dhe kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi kanë konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen.

Ashtu si në Berlin, edhe në Tiranë tema qendrore pritet të jetë dialogu Kosovë-Serbi. Vetë presidenti serb ka pranuar se ideja e tij për shkëmbimin e kufijve ka dështuar, por Thaçi vazhdon të këmbëngulë për bashkimin e Luginës së Preshevës më Kosovën, duke rritur frikën se kjo ide mund të ringjallet në Tiranë.
Vuçiç pritet të përballet me një “terren” të ashpër edhe në Tiranë, duke marrë parasysh faktin se mikpritësi i këtij samiti, presidenti Ilir Meta është shprehur kundër diskutimeve që përfshinë sovranitetin territorial të Kosovës.

Kjo është vizita e tretë e Aleksandër Vuçiç në Shqipëri, pas një vizitës shtetërore në Tiranë si kryeministër në vitin 2015 dhe një takimi informal në Durrës. Por ndryshe nga vitet e kaluara, Vuçiç vjen në Shqipëri më i dobët se kurrë, mes protestave masive në Beograd dhe mes presionit ndërkombëtar për të arritur një marrëveshje më Kosovën. Në Berlin Beogradi dhe Prishtina u zotuan të rikthehen në tryezën e bisedimeve, por si do të jetë përballja Thaçi-Vuçiç në kryeqytetin shqiptar dhe a do të “gatuhet” marrëveshja Serbi-Kosovë në Tiranë?

Zyra e Federica Mohgerinit ka konfirmuar të premten se pas Berlinit, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së do të mbajë kontakte të vazhdueshme me presidentin e Kosovës dhe Serbisë gjatë samitit në Tiranë më qëllim uljen e të dyja palëve në bisedime.

"Mogherini është e gatshme të organizojë takime të reja brenda kornizës së dialogut, me tetë dhe nëntë maj gjatë samtit të Brdo-Brionit, por Kosova duhet të pezullojë tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnja, në mënyrë që dialogu mund të rifillojë sa më shpejt", deklaroi zëdhënësja e saj, Maja Kocijanciç.

Sipas saj, samiti i Ballkanit Perëndimor në Berlin ishte një kontribut, por BE-ja do të vazhdojë të ndërmjetësojë dialogun. Sipas Maja Koçiançiç, çdo takim si ai në Tiranë mund të kontribuojë në këtë proces, por dialogu është i ndërmjetësuar nga BE.

Aleksandër Vuçiç gjate vizitës shtetërore në Tiranë si kryeministër në vitin 2015

Vuçiç, një tur për Kosovën

Përpara se të ulet në Tiranë, presidenti serb do të udhëtojë në Romë për të takuar zëvendëskryeministrin e Italisë, Matteo Salvini dhe përfaqësuesen e lartë të BE-së Federicad Mogherinit, më të cilën duket se do të fluturojë më pas drejt kryeqytetit shqiptar. Gazeta serbe “Blic” raporton se tema qendrore e diskutimit me kryeministrin “defacto” të Italisë fqinje do të jetë zgjidhja e problemeve me Kosovën, bisedime që kanë gjasa të zhvendosën më pas në Tiranë në 8 dhe 9 maj. Më pas, në datë 10, kreu i Serbisë do të marrë pjesë në paradën ushtarake të Nishit. Zyra e presidentit Vuçiç njofton se pas kësaj parade, ai do t’i njohë serbët e Kosovës me rezultatet e samitit të Berlinit dhe ato të bisedimeve Prishtinë-Beograd.

Duke iu referuar takimit në kryeqytetin shqiptar, shefi i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç ka konfirmuar se pjesëmarrja e Vuçiçit në këtë samit vjen si pjesë e përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje me Kosovës.

Nga ana tjetër, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq parashikon një presion edhe më të madh ndaj Serbisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Duke folur pas samitit në Berlin, kreu i diplomacisë serbe deklaroi të enjten se në rajon është duke u përgatitur terreni për presion të organizuar ndaj Serbisë në mënyrë që Beograd t’i humbasë të gjitha, kurse Kosova të fitojë të gjithçka.

“Deri në korrik, kur do të zhvillohet një samit i ri në Paris, Serbia dhe presidenti Vuçiç do të jenë nën presion të madh. Ata do të mundohen të na bindin të kthemi në dialog edhe pa hequr taksën, por duhet ta kenë të qartë se Serbia nuk do ta pranojë kurrë”, u shpreh ai në një intervistë për mediat serbe.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi

A u varros në Berlin ideja e “shkëmbimit të territoreve?

“Dështimi” në Berlin duket se nuk e ka ndaluar presidentin Hashim Thaçi të këmbëngulë për arritjen e një marrëveshjeje deri në fund të 2019-ës. Pavarësisht presionit në kryeqytetin gjerman, Thaçi ka theksuar se nuk do të tërhiqet nga premtimi për bashkimin e Luginës së Preshevës dhe zonave përreth saj më Kosovën, duke e bërë kështu të paqartë nëse çështja e ndryshimit të kufijve u “ varros” në Berlin.

“Presheva, Medvegja dhe Bujanoci mund të jenë pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, duke mos e cenuar asnjë centimetër të territorit të saj”, thekson presidenti Thaçi duke kundërshtuar një version të Kancelares Merkel për kthimin e Veriun të Kosovës në një asociacion të ngjashëm komunash me Republikën Srpska. “Kam theksuar edhe në Berlin se nuk do të lejojmë asnjë ide për ndonjë sovranitet të dyfishtë për Kosovën, apo ndonjë ide për ndonjë asociacion sipas modelit të Republikës Srpska, sepse kjo nënkupton ndarjen e Kosovës”, këmbënguli ai.

Në një intervistë të dhënë të enjten për “Radio Europa e Lirë”, Presidenti Hashim Thaçi konfirmoi se tarifa e vendosur për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk do të hiqet. Ai foli edhe për pritshmërinë pas samitit të Berlinit, duke thënë se e sheh si të pashmangshme arritjen e një marrëveshjeje. Thaçi sinjalizon se ideja e ndryshimit të kufijve është ende “gjallë”, duke u shprehur se është kundër shkëmbimit të territoreve, por se është i bindur që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, duhet t’i bashkëngjitet territorit të Republikës së Kosovës.

“Them që takimi Berlinit, nuk ka nxjerrë ndonjë konkluzion të qartë, por jam optimist se në takimet e ardhshme do të mund të kemi një qartësi dhe një dinamikë të re për gjetjen e një mundësie për përmbylljen e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, tha ai. “Unë gjithmonë kam qenë kundër dhe do të vazhdoj të jem gjithmonë kundër shkëmbimit të territoreve, sepse është pazar dhe një gjë të tillë nuk do ta lejoj që të ndodhë. Kam qenë, jam dhe do të vazhdoj të jem në favor të korrigjimit të padrejtësive historike në rastin e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Punoj fuqishëm që shqiptarët atje që t’i bashkëngjiten territorit të Republikës së Kosovës. Diçka të tillë kam prezantuar edhe në Samitin e Berlinit. Ai nuk ka sjellë ndonjë ide të re, por nuk ka mbyllur asnjë ide të diskutuar deri më tani, pra edhe atë të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit”, përfundon presidenti.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçi

Megjithatë, pas Berlinit, Vuçiçi nuk duket aq optimist. Ai deklaroi të premten se ideja e shkëmbimit të territoreve kishte dështuar.

“Ideja ime ka dështuar. Kjo do t’i kushtojë kombit tonë për 20 apo 30 vitet e ardhshme”, deklaroi presidenti serb, duke shtuar se i vjen keq qe plani i tij për të vendosur paqe mes serbëve dhe shqiptarëve ka dështuar.

“Kjo ide u rrënua sepse njerëzit në Serbi kishin menduar ndryshe dhe pretendonin se një gjë e tillë do t’i kushtojë shtrenjtë Serbisë për vitet ardhshme. Të gjithë ata që e kanë bërë Kosovën të pavarur, e kanë kundërshtuar një ide të tillë. Kancelarja Angela Merkel është angazhuar për një gjë të tillë”, ka shtuar Vuççi.

Pas Samitit të Berlinit pati reagime të shumta nga deputetë të Bundestagut gjerman. Ata kishin thënë se janë të lumtur që Kosova dhe Serbia do të vazhdojnë dialogun, duke lënë anash idenë e korrigjimit të kufijve. Por duke parë kontradiktat e deklaratave të presidentëve Thaçi dhe Vuçiç vjen natyrshëm pyetja; A u “varros” vërtet kjo tezë në Berlin dhe a ka gjasa të “ringjallet” në Tiranë?

Shqipëria palë në dialogun Kosovë- Serbi?

Për ekspertët në Kosovë, Serbia ka pasur gjithnjë qëllim që të “fusë në lojë” edhe Shqipërinë, sepse sipas tyre përfshirja e Tiranës në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare mes Beogradit dhe Prishtinë ka qenë vazhdimisht e nevojshme për lehtësimin e bisedimeve.

Hashim Thaçi dhe kryeministri Edi Rama

Vera e vitit 2018 shënoi fillimin e ciklit të ri në dialogun Kosovë-Serbi, i cili do të përfshinte jo vetëm Beogradin dhe Prishtinën, por edhe Tiranën zyrtare. Që atëherë presidentët Thaçi dhe Vuçiç janë takuar në një sërë samitesh, me bisedime para dhe pas kuintave, në përpjekje për t’i dhënë fund armiqësisë shekullore mes shqiptarëve dhe serbëve nëpërmjet ndryshimit të kufijve.

Për Thaçin kjo ide erdhi edhe si një mjet për të rikthyer dominimin e tij mbi skenën politike dhe mori mbështetjen e Uashingtonit, por edhe atë të kryeministrit Edi Rama, i cili e ka pozicionuar tanimë veten si një faktor i rëndësishëm në këto bisedime.

Për analistin Shkumbin Beqiri, presidenti Vuçiç ia ka arritur qëllimit të tij për ta futur Shqipërinë në “lojë”. “Deri në një masë, kjo i është mundësuar nga dëshira e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për të qenë protagonist në politikën rajonale. Dhe është pikërisht intensifikim i takimeve mes Ramës dhe Vuçiçit ajo që po shfrytëzohen nga presidenti serb për ta bërë Shqipërinë palë në procesin e zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, shkruan Beqiri në një analizë të gjatë dedikuar këtyre zhvillimeve.

Në një debat televiziv, Daçiç do të deklaronte që në maj të vitin 2011 se “çështja e kufirit Kosovë-Serbi duhet të diskutohet me Tiranën”. Po ashtu pas vendosjes së 100 për qind të taksës së Kosovës ndaj produkteve Serbeve, Beogradi nuk ngurroi t’i kërkonte Tiranës zyrtare të ndërhynte pranë qeverisë së Kosovë për tërheqjen e vendimit.

Qëllimi i presidentit serb për të përfshirë edhe Tiranën, u tregua edhe para takimit me presidentin Thaçin më 7 shtator të vitit 2018 në Bruksel, ku në mesin e shumë çështjeve deklaroi se është i interesuar të vendosë paqe me shqiptarët në përgjithësi. Për Beqirin, kjo dëshmon se Beogradi kërkon që palë në negociata të jetë edhe Shqipëria.

Ilir Metas dhe Edi Rama

Por ndryshe nga vizitat e mëparshme, Vuçiç nuk do të pritet nga kryeministri Rama, por nga presidenti Meta, i cili është bashkuar zërave kundër ndryshimit të kufijve, duke deklaruar vazhdimisht se çdo diskutim për ndryshimin e realitetit do të provokonte emocionet e populistëve që nuk sjellin dobi për Ballkanin.

Përgjatë muajve të fundit, qëndrimet e kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta për sa i përket idesë së nënshkrimit të një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë janë diametralisht të ndryshme. Edhe pse nuk është konfirmuar ende, përveç takimit me presidentin Meta, Vuçiç pritet të ketë një takim edhe me kryeministrin Rama. Megjithatë, dy qëndrimet e ndryshme të drejtuesve të shtetit shqiptar flasin qartë – në rastin më të mirë – për një mosrakordim mes tyre. Nga ana tjetër, kjo tregon se faktori shqiptar nuk ka një strategji të unifikuar si do t’i paraqitet në arenën ndërkombëtare përballë këtyre zhvillimeve që kanë ndikim të dukshëm në rajonin e Ballkanit.

Ish-ambasadori Agim Nesho, në një reagim për Gazeta Si e cilësoi të dëmshme një sjellje të tillë, çka mund të ndikojë jo pak përpara faktorit ndërkombëtar apo dhe vetë aleatëve tanë.

Ish ambasadori i Shqipërisë në OKB, thekson se për çështjet kryesore të politikës së jashtme kërkohet gjithmonë që të ketë një qëndrim të unifikuar, që pasqyron edhe seriozitetin e institucioneve të shtetit. Qëndrimet e politikës se jashtme sidomos për çështje kryesore që kanë të bëjnë me kombin shqiptar dhe të ardhmen e tij, vijnë si rezultat i hartimit të një strategjie dhe zbatimit të një platforme të unifikuar dhe konsensuale.

“Fatkeqësisht në Shqipëri pushteti monopolizon politikën e jashtme, e cila më shumë i shërben pushtetit të kryeministrit. Në këtë rast kemi një pëlqim nga kryeministri për një projekt të veçantë që është hartuar dhe shtyhet nga udhëheqësit e Serbisë, Kosovës, projekt i cili ka krijuar reagime të shumta jo vetëm në Ballkan, por edhe në botë”, pohon Nesho.

Gjithsesi java e ardhshme do të rikthejë në vëmendje sërish dialogun, marëveshjen e mundshme përfundimtare Kosovë-Serbi dhe çështjen e kufijve, por këtë herë në Shqipëri. Protagonistë të samitit të Brdo-Brionit në Tiranë janë Hashim Thaçi, Aleksandër Vuçiç dhe Federica Mogherini. Jashtë godinës ku do të ulen liderët europianë dhe ata të rajonit, i pret Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. E sigurt është që në zyrë ai do të presë Mogherinin, por pse jo Thaçin dhe Vuçiçin, edhe pse këta dy të fundit janë mysafirë të Ilir Metës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë