Gordana Siljanovska dhe VMRO kanë njohur rezultatin e balotazhit presidencial të së dielës, megjithëse ajo vetë dhe zyrtarë të partive opozitare folën për deformime shqetësuese të procesit zgjedhor, sidomos votimin kolektiv.
Siljanovska falenderoi votuesit e saj dhe hodhi dilema të mëdha nëse rezultati, ashtu sikundër pretendon LSDM e Zoran Zaev do të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm të Maqedonisë së Veriut. Ajo ironizoi edhe me sloganin e Stevo Pendarovskit dhe mbështetësve të tij në fushatë.
“Rezultati është i qartë, por dilema që përforcon ky rezultat është nëse vërtet çon drejt pajtimit dhe bashkimit, apo përforcon ndasinë ndëretnike në shtetin tonë në shumë aspekte dhe nëse slogani së bashku ecim përpara do ta çojë vërtetë vendin tonë përpara”, tha Siljanovska.
Siljanovska shtoi se ndjehej fituesja morale në të gjithë këtë proces dhe sa i takon frikës së shprehur se rezultati i këtyre zgjedhjeve rrezikon të përçajë edhe më tej Maqedoninë e Veriut në vija etnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve nënkuptoi shifrat e publikuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor.
Shifrat e publikuara nga ky institucion u japin të drejtë zërave që folën para, gjatë dhe pas procesit për rolin përcaktues të votuesve shqiptarë në zgjedhjen e presidentit të ri të Maqedonisë së Veriut. Pjesa më e madhe e votuesve shqiptarë nuk dolën në raundin e dytë. Kjo interpretohet si “votë” pakënaqësie ndaj të gjitha partive politike shqiptare në Shkup. Por, ata pak që dolën ishin vendimtarë.
Sipas të dhënave të publikuara nga KSHZ, Pendarovski u shpall fitues me një diferencë prej rreth 58 mijë votash në raundin e dytë të zgjedhjeve, një rritje me rreth 54 mijë vota, pasi në raundin e parë diferenca ishte vetëm 4 mijë vota mes dy kandidatëve.

Ajo që përcaktoi ishte vota e zgjedhësve shqiptarë, pasi në zonat me popullatë maqedonase, Siljanovska arriti që të ruajë rezultatet e raundit të parë. Por, ajo që penalizoi kandidaten e VMRO, sipas ekspertëve, ishte trashëgimia e partisë që e mbështeti, një trashëgimi që penalizoi dhe diferencoi shqiptarët në të gjitha fushat.
Por, as vetë faktori shqiptar nuk ishte i njëzëshëm përballë kandidaturës maqedonase të propozuar nga Kryeministri Zoran Zaev dhe të mbështetur nga aleati i tij shqiptar në qeverisje, Ali Ahmeti. Ahmeti përshëndeti rezultatin dhe e vlerësoi atë si një hap përshpejtues drejt ambicies së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Europian. Por, partitë opozitare shqiptare e bojkotuan procesin.
Ahmeti shprehu keqardhjen për këtë vendim, që u reflektua edhe në regjistrimin e pjesëmarrjes më të ulët në komunat dhe zonat me popullsi shqiptare. Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim nuk flet me shifra të sakta se sa shqiptarë kanë votuar për Pendarovskin, por thotë me përafërsi se bëhet fjalë për numra që shkojnë nga 100 mijë deri në 130 mijë.
Gjithsesi, pjesëmarrja ishte e mjaftueshme jo vetëm për të shpallur fitues Pendarovskin, por edhe për ta cilësuar të gjithë procesin e zgjedhjes së tij si të ligjshëm. Tani, sfida e Pendarovskit mbetet bashkimi i vendit nga një karrige që deri më tani ka penalizuar shqiptarë. Presidenti në largim, Gjorge Ivanov, i sponsorizuar në këtë detyrë nga Nikolla Gruevski do të mbahet mend për refuzimin e firmosjes së ligjit që zyrtarizonte gjuhën shqipe dhe përplasjes që pasoi.
Si shenjë të parë se do të kishte një qasje krejtësisht tjetër ndaj shqiptarëve, Stevo Pendarovski mesazhin e parë falenderues për votëbesimin e përcolli edhe shqip. Tani, ai duhet të provojë përmes akteve konkrete pas 12 majit, kur do të përurohet në detyrë se do të jetë vërtet President mbi palët dhe i të gjitha palëve.

Humbja është kapërdirë me vështirësi nga kreu i VMRO-DPMNE, Hristjan Mickoski. Ai nuk foli për mosnjohje të rezultatit në daljen e parë për mediat pas përfundimit të procesit të numërimit, por akuzoi se kandidatja e tyre, Gordana Siljanovska kishte humbër si pasojë e manipulimit dhe shantazhit të partisë në pushtet ndaj zgjedhësve.
Mickoski është i bindur se opozita maqedonase është shumicë. Ai nuk foli për arsyet se përse nuk e besojnë shqiptarët, por sfidoi Zoran Zaev me mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare. Skenari sesi mund të zhvillohen këto zgjedhje duket se është “kopjuar” nga Tirana. Lideri i VMRO-DPMNE-së kërkoi një qeveri teknike.
“Maqedonisë i nevojitet një qeveri teknike që do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




