Pasi sqaroi se në Berlin nuk kishte vajtur me misionin për të marrë vendimin e Angela Merkel për hapjen, ose jo të negociatave dhe pasi foli për keqpërdorimet dhe keqinformimet politike e mediatike, që sipas tij pasuan samitin me Presidentin francez dhe Kancelaren gjermane, Kryeministri Edi Rama përçoi një mesazh të fortë në drejtim të opozitës.
Mesazhi nuk ishte një ftesë për dialog, por përforcim i qëndrimit të mazhorancës për të vazhduar e bindur drejt 30 qershorit dhe një paralajmërim për opozitën për aksionin e ndërmarrë prej saj me bllokimin e akseve kryesore kombëtare.
Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Rama kujtoi Kodin Penal. Për parashikimet e ndëshkimeve që ky Kod jep për prishjen e procesit zgjedhor, mes të cilave edhe burgu, Kryeministri u shpreh i kënaqur dhe se nuk ka nevojë për ndërhyrje.
“U gënjen mendja se do të ndalojnë Shqipërinë që të bëjë zgjedhje vendore në datën e përcaktuar nga Kushtetuta, sepse ende mendojnë se do të gjejnë budallenj që të shkojnë nëpër burgje pasi të sulmojnë qëndrat e votimit”, tha ai.
E nevojshme në këtë pjesë, sipas Kryeministrit, është informimi i publikut mbi pasojat ligjore për cenimin e procesit zgjedhor.
“Për zjarrvënës të zgjedhjeve ka një kapitull të veçantë në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Është e nevojshme që ta informojmë në vijimësi publikun për përmbajtjen e këtij kapitulli për t’i dalë borxhit kujtdo që mund të bjerë pre e padijes së vet duke shkuar pas berihait në ditën e zgjedhjeve”, shtoi ai.
Por, disa nene të tjera që kanë të bëjnë me rendin dhe qetësinë publike i cilësoi si të zbutura. Mes këtyre neneve është edhe ai që përcakton ndëshkimin për bllokimin e qarkullimit, pikërisht forma e protestës javore që po zbaton opozita.
“S’e pranojmë dot si normalitet sportiv bllokimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe për më tepër organizimin e bllokimit të qëllimshëm në mënyrë sistematike të rrugëve të transportit. Nuk e pranon askush dhe s’ka pse e pranon Shqipëria”, tha ai.

Për këtë pjesë Rama nuk përmendi fjalën burg, por e nënkuptoi atë, ndërkohë që për një sërë propozimesh të tjera, “burgu” ishte kryefjalë. Ndëshkim me burg Rama propozoi që nga vjedhja e pronësisë intelektuale, siguria ushqimore, dhuna ndaj mjekëve e deri tek dhuna në fushat e futbollit dhe dhuna ndaj kafshëve.
“Është domosdoshmëri një përgjigje e prerë ligjore mbi dhunën dhe ndaj të zgjedhurve dhe funksionarëve publike, që nga salla e Parlamentit e në çdo metër katror të Shqipërisë. Dhunën ndaj punonjësve të policisë, që nga kundërshtimi me forcë deri tek prekja me gishtin e vogël të uniformës blu. Dhuna ndaj bluzave të bardha, dhuna në aktivitetet sportive posaçërisht në fushat e futbollit ku në vend se të jepen shfaqje e përbotshme të edukimit dhe argëtimit, jepen në vijimësi shembujt më të shëmtuar të dhunimit që shkon përtej fushës dhe futet në çdo shtëpi do të adresohet pa asnjë ekuivok në paketën e re të Kodit Penal. Parashikimet aktuale, siç tregojnë qartë edhe krahasimet me vendet e BE nuk e garantojnë mjaftueshëm reagimin ndaj dhunës”, tha Rama.
Kryeministri propozoi burg edhe për ata që shkelin sigurinë ushqimore, megjithëse u shpreh mosbesues se niveli i shkeljeve është në përmasat që përfliten nëpër media.
“E vërteta është se kemi bërë jo pak progres në drejtim të sigurisë ushqimore dhe për këtë mjafton fakti që në 300 mijë tonë produkte bujqësore të eksportuara në 2018 në BE, asnjë kamion nuk është kthyer për shkak të cenimit të standardeve europiane të sigurisë ushqimore. Por, ka fatkeqësisht individë dhe subjekte që për fitimet e tyre kryejnë krime kundër shëndetit të njeriut. Ja kanë hedhur 30 vjet me gjoba të papërfillshme dhe kjo nuk mund të vazhdojë dhe s’duhet të vazhdojë më”, propozoi Rama.
Burgu u propozua edhe për personat që organizojnë në mënyrë të paligjshme lojëra fati, për ata që dhunojnë kafshët dhe për prishësit e qetësisë publike përmes zhurmave.
“Opozita më e izoluar se kurrë!”
Duke iu përgjigjur kritikave dhe artikujve se në Berlin Shqipërisë iu mbyll dera e negociatave, Kryeministri Edi Rama thotë se objektivi i këtij samiti nuk ishte tema e zgjerimit, por ajo e bashkëpunimit rajonal dhe dialogu mes Serbisë dhe Kosovës.
“Deklarata, që sipas praktikës na u dha si draft nga franko-gjermanët nuk kishte asnjë fjalë për temën e zgjerimit të Bashkimit Europian, sepse temë ishte bashkëpunimi rajonal dhe një pikë e veçantë dialogu Kosovë-Serbi”, u shpreh ai.
Kjo nuk do të thotë se kjo temë nuk u cek. Rama tha se për këtë është folur me kancelaren Merkel në dy takimet që ajo pati me Kryeministrin shqiptar dhe atë të Maqedonisë së Veriut. Rama kujtoi se nuk priste një premtim nga Angela Merkel, pasi ishte i qartë që vendimi i takon Bundestagut.
“Kam besim se Franca dhe Gjermania nuk do të na mbyllin këtë derë të paradhomës së integrimit këtë vit. Në takimet që kam patur, edhe me përfaqësues të Bundestagut është vlerësuar qartësisht dhe shumë pozitivisht progresi i bërë në rrugën e integrimit”, tha ai.

Interpertimin që opozita u bëri rezultateve të prodhuara nga ky samit, Rama i cilësoi shprehje ekstreme të dëshpërimit të njerëzve që duan të marrin me vete Shqipërinë në rrugën e theqafjes politike që kanë zgjedhur.
Sipas Rama, opozita sot është më e izoluar se kurrë.
“Kujtuan se do të trumbetonin Amerikën dhe Europën me djegien e mandateve, por në këmbim kanë marrë vetëm refuzimin dhe po vazhduan kështu do të marrin edhe izolimin total nga e gjithë bota demokratike. Kujtojnë se do të ngrenë njerëz për të shkatërruar e djegur godinat e institucioneve duke shpresuar që do të prodhojnë heronj të revolucioneve të tyre imagjinare”, deklaroi Kryeministri.
Rama menjanoi një koment të dytë në lidhje me përplasjen me Ramush Haradinajn. Kryeministri i Kosovës e akuzoi se i kishte ushtruar presion për heqjen e taksës ndaj Serbisë në sy të përfaqësuesve ndërkombëtarë, ndërsa Kryeministri i Shqipërisë iu përgjigj duke e akuzuar se po gënjente për të dalë “burrë i mirë” në sy të popullit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




