Partia më e re “Bindja Demokratike” do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shqyrtoi këtë të shtunë kërkesën e paraqitur për të regjistruar këtë subjekt të ri politik që ka si drejtues ish-nënkryetarin e Partisë Demokratike, Astrit Patozi. Por kërkesa për regjistrimin e partisë ka hasur në kundërshtimin e kryekomisionerit Klement Zguri që e konsideroi këtë procedurë si një mbivendosje ligjore.
“Bindja Demokratike”, sipas Zgurit, nuk i plotëson kushtet ligjore për t’u futur në garën e 30 qershorit, si dhe nuk ka depozituar në kohë kërkesën në KQZ për t’u regjistruar. “Dëshiroj që ‘Bindja Demokratikë’ të garojë në zgjedhjet e 2019, dhe do doja që edhe subjektet e tjera të regjistroheshin në zgjedhje e 30 qershorit. Por kjo mbetet dëshirë. Unë si zyrtar i shtetit dhe administrator i zgjedhjeve s’mund t’ia lejoj vetes që dëshirat e mia t’ia mbivendos ligjit që është shumë i qartë duke vendosur afatet dhe është shumë procedural. Data 21 prill ka qenë data e fundit për të sjell të gjithë dokumentacionin e duhur ligjor. Në vlerësimin tim dhe tani që flasim vendimi i gjykatës nuk ka marrë formë të prerë dhe “Bindja Demokratike” nuk ka lindur ende në kuptimin juridik dhe nuk mund të bëjë veprime në gjykimin tim”, deklaroi kryekomisioneri Zguri.
Sekretari i KQZ-së, Ylli Merkaj theksoi se “Bindja” ka paraqitur dokumentacionin më 23 prill në KQZ, ndërsa pranoi që Gjykata nuk ka sjellë një vendim të formës së prerë sa i përket faktit që ky subjekt politik ka si kryetar të përkohshëm, Astrit Patozin. Gjithashtu bëhet e ditur se vërtetimi i Gjykatës mban datën 26 prill.

Gjithashtu edhe përfaqësuesi i “Bindjes Demokratike”, Fabian Topollaj në reagimin e tij në mbledhjen e KQZ-së e pranoi paraqitjen me vonesë të dokumentacionit për regjistrim, duke theksuar se “do të dëshironte që KQZ të regjistronte çdo parti politike dhe më 29 qershor”. Ndërsa i ka qëndruar faktit se pjesa tjetër është bazuar në nenin 64 të Kodit Zgjedhor, ku është paraqitur edhe vërtetimi i Gjykatës së Rrethit Tiranë.
Një tjetër pretendim që u ngrit ishin dhe paraqitja e fakteve të katër shtetasve që pretendonin se firma e tyre ishte falsifikuar, pasi nuk ishin pro krijimit të partisë së re. Topollaj bëri të ditur se këta shtetas figurojnë si punonjës të Bashkisë së Kavajës dhe se ndaj tyre është ushtruar presion nga demokratët për të deklaruar një gjë të tillë. “Do të jetë ligji që do të vendosë nëse janë falsifikuar firmat ose jo”, theksoi ai.

Kryekomisioneri Zguri si kundërpërgjigje ndaj qëndrimit të përfaqësuesit të këtij subjekti politik, theksoi se “dëshira është për të marrë pjesë në zgjedhe, por se ajo nuk mund të ketë mbivendosje të ligjit”. Ai solli në vëmendje një precedent të ndodhur në vitin 2015, një vendim me 7 vota pro të anëtarëve të KQZ-së. “Në zgjedhjet e 2015 ka pasur një vendim 7 me 0 nuk ka pasur asnjë argument. Një pjesë e anëtarëve aktuale kanë votuar në këtë mënyrë. Jemi në të njëjtat kushte, ose i kemi shkelur të drejtat brutalisht, ose po i bëjmë diskriminim pozitiv subjektit në fjalë”, theksoi kryekomisioneri.

Zguri në fakt e kishte fjalën për refuzimin e regjistrimit të subjektit politik “Forca Rinia”, ku 7 anëtarët në bllok votuan për mosregjistrim e saj; mes të cilëve ishin Klement Zguri, Denar Biba dhe Edlira Jorgaqi.
Kërkesa e Zgurit për mosregjistrimin e “Bindja Demokratike” u rrëzua nga ana e katër komisionerëve të majtë në KQZ me katër vota. Ndërsa po me katër votat e tyre u vendos regjistrimi i këtij subjekti politik në zgjedhje. Zguri ishte i vetmi që votoi kundër.
Ndërsa kërkesat e tjera për regjistrim të partive në zgjedhjet e 30 qershorit u votuan me 5 vota pro të anëtarëve të KQZ-së.
Jepet 1 mandat deputeti, 3 “tradhtarë” të tjerë nga PD
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë mandatin e deputetit për kandidatin e LSI-së, Klajdi Qama për qarkun e Beratit. Me këtë vendim, lista e LSI-së për këtë qark mbyllet. KQZ mori vendim për mospazgjidhshmëri për dhënien e mandatit për kandidatët Almer Toska, Artmir Krasniqi, Dashnor Visha, Erald Shulla, Erzen Laçi, Hysen Kadiu dhe Jolio Dine, të përfshirë në listat e PD-së. Shtatë subjekte të reja politike u regjistruan për zgjedhjet e 30 qershorit. Në mes tyre është edhe Partia e Ballit Kombëtar, parti që dikur ka qenë aleate e PD-së. Kreu i këtij subjekti politik, Adriatik Alimadhi disa ditë më parë pranoi të merrte edhe mandatin e deputetit.
Ndërkohë që mësohet se tre emra të tjerë në listat shumëemerore të PD-së pritet të marrin mandatin e deputetit. Indrit Hoxha, Kujtim Gjuzi dhe Koçi Tahiri, në listat për qarqet Tiranë, Durrës dhe Korçë kanë paraqitur formularin e Dekriminalizimit. Koçi Tahiri është aleat i PD-së, njëherësh dhe kryetar i Partisë Demokracia e Re Europiane, i 14-ti në listën e qarkut të Korçës.

Ndërsa Gjuzi është kreu i Partisë Konservatore, aleat i PD-së. Ai kërkonte me ngulm marrjen e mandatit, aq sa nuk mungonte në asnjë mbledhje të kqz-së duke pritur me padurim kërkesën për plotësimin e formularit. “Sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dorëzova formularin e Dekriminalizimit. Megjithëse me 20 ditë vonesë sipas llogarive te ne konservatorëve KQZ pranoi formularin në protokollin zyrear. Ne mbledhjen e radhës të KQZ për miratim mandatesh vakante. Shpresojmë që të merret vendimi për të qenë konservatoret të pranishëm të enjten në Kuvendin e Shqipërisë”, shkruan Gjuzi në Facebook.
Me pesë vota pro u kaluan partitë dhe një kandidat i pavarur
“Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrimin Europian”
Partia Balli Kombëtar
G 99
Aleanca Demokratike Shqiptare
Aleanca Arbnore Kombëtare
Partia Shqipëria e re
Parti Aleanca Popullore
Fran Molla- Kandidati i pavarur
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





