Presidenti Ilir Meta kthen mbrapsht ligjin për Vettingun në radhët e policisë së shtetit, duke i kërkuar rishikimin nga ana e Parlamentit.
Presidenca në dekretin e publikuar me argumentimin për kthimin e ligjit “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme” ngre dyshime të forta se me këto ndryshime qeveria po synon që të kontrollojë procesin që do të fusë në lupë 12 mijë punonjës të policisë.
Kreu i shtetit konteston pikërisht mekanizmin e ri, sipas të cilit punonjësit e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) do të kryejnë vlerësimin kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe të Gardës së Republikës në fazën e dytë dhe të tretë, duke theksuar se kjo nuk garanton standardin e vendosur për realizimin e këtij procesi me objektivitet, pavarësi dhe paanshmëri.
Ai thekson se këto ndryshime cenojnë standardet e vendosura dhe pavarësinë e procesit të vlerësimit kalimtar të parashikuar me ligjin nr. 12/2018, si dhe krijon terren që ky proces të ketë ndikim politik.

Arsyetimin e qeverisë se realizimi i procesit të vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë së Shtetit nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme kursen buxhetin e shtetit, duke zvogëluar kostot shtesë, për Metën nuk është i mbështetur dhe nuk është aspak në koherencë me interesin e lartë publik që paraqet ky proces, për të garantuar një polici me integritet, profesionale dhe të paanshme.
“Këto ndryshime në ligj krijojnë bindjen se, qëllimi real i qeverisë në ndërmarrjen e kësaj nisme ligjore nuk është zvogëlimin i kostove financiare për realizimin e këtij procesi, por vullnet i shprehur i saj, për ta kontrolluar këtë proces nëpërmjet një strukture vlerësuese në varësi të saj, siç është Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, strukturë aktuale kjo drejtpërdrejt në varësi të funksionit politik të Ministrit të Brendshëm, pra të qeverisë. Argumenti i Këshillit të Ministrave se ky mekanizëm i ri garanton të njëjtin standard për të gjithë procesin, pasi punonjësit e SHÇBA-së do t’i nënshtrohen të njëjtit proces në fazë të parë dhe se nuk ndryshojnë kriteret dhe procedurat e vlerësimit, nuk qëndron ligjërisht”, thuhet në dekretin e Presidentit.

Edhe nëse punonjësit e Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave do të kalojnë vlerësimin kalimtar gjatë fazës së parë në cilësinë e subjekteve përparësore, sërish nuk ndryshon fakti ligjor i statusit të kësaj strukture, ku në nenin 8 të ligjit nr. 70/2014, “Për Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Punëve të Brendshme” ku citohet: “Shërbimi është person juridik publik, strukturë e veçantë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në varësi të drejtpërdrejtë të ministrit”, duke sjellë kështu sipas Presidentit dhe ndikimin e drejtpërdrejtë politik në këtë strukturë.
Që prej marrjes së postit të Presidentit, Meta i ka kthyer mbrapsht disa ligjeve qeverisë. Kujtojmë këtu debatet për ligjin për prishjen dhe ndërtimin e Teatrit Kombëtar i kthyer dy herë për rishqyrtim, buxhetin e shtetit, si dhe së fundmi ligjin për Kadastrën.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




