Lajme

Palmer e nis sot me Ramën, e mbyll vizitën në Tiranë me gazetarët

Matthew Palmer mbërrin këtë të hënë në Shqipëri në një vizitë që nga Ambasada Amerikane thanë për gazetën “Si” se ishte pjesë e një turi ballkanik dhe pa lidhje me krizën politike në Tiranë. Por, agjenda e zv.ndihmës Sekretarit të Zyrës për Çështjet Europiane dhe Euroazisë në Tiranë nënkupton të kundërtën.

Me të zbritur në Shqipëri, takimin e parë zyrtar Palmer do ta ketë me Kryeministrin Edi Rama, pas orës 15:00. Ky do të jetë takimi i vetëm me politikanët shqiptarë në ditën e parë të vizitës.

Të martën, Palmer e nis ditën me një takim rreth mesditës me Lulzim Bashën, për të vazhduar më vonë me Monika Kryemadhin dhe mbyllur turin e takimeve me politikën me Presidentin Ilir Meta. Në fund, ai do të zhvillojë një takim me një grusht gazetarësh, ku pritet që të jepen më shumë detaje në lidhje me objektivin dhe rezultatet e vizitës, nëse ajo synon zgjidhjen e krizës politike në vend.

Vizitës së Palmer i parapriu ndalesa e Jonathan More, ndihmëssekretar i Përgjithshëm në Departamentin Amerikan të Shtetit për Organizatat Ndërkombëtare, i cili zhvilloi disa takime, por dy u bënë publike, një me deputeten Rudina Hajdari, që refuzoi vendimin e grupit të PD-së për të djegur mandatet dhe një me ish-Kryeministri Berisha, ideatori kryesor i djegies së mandateve.

“Të dashur miq, unë pata një takim me ambasadorin Johnathan Moore, zëvendësi kryesor i ndihmës sekretarit të DASH, Zyra e Çështjeve të Organizatave Ndërkombëtare. Me ambasadorin Moore, që më parë ka drejtuar drejtorinë për Europën Jug-lindore në Departamentin e Shtetit dhe ka vizituar disa herë Shqipërinë, patëm një diskutim të zgjeruar dhe shkëmbim të hapur të pikëpamjeve për gjendjen dhe zhvillimet në Shqipëri”, shkruan Berisha në rrjetet sociale.

Përshtypjet nga takimi i ndau po përmes rrjeteve sociale edhe Rudina Hajdari.

“Aktorët politik kanë përgjegjësinë që të angazhohen një orë e më parë në mënyrë serioze, të sinqertë dhe profesionale për të orientuar një zgjidhje politiko-institucionale afatgjatë në frymën e Kushtetutës që të jetë e gjithëpranueshme për t’i dhënë fund krizës së paprecedentë në cilën gjendet sot Shqipëria, me objektiv për të siguruar një zgjidhje që garanton në radhë të parë interesin e qytetarëve dhe të kombit për forcimin demokracisë dhe aspiratës Europiane”, shkruan ajo ndër të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë