Analize

I dërguari i “Buldozerit” për krizën, një “deja vu” e majit 2017

Mentor Kasa - Uashingtoni pritet t’u japë një tjetër marsh përpjekjeve për të ndërmjetësuar në krizën politike shqiptare, duke nisur që nga data 8 prill, ditë kur do të mbërrijë në Tiranë zv.ndihmës Sekretari i Shtetit në Zyrën për Europën dhe Euroazinë, Matthew A. Palmer.

I kontaktuar nga gazeta “Si”, një zëdhenës i Ambasadës Amerikane në Tiranë nënkupton se zv.ndihmës Sekretari Palmer nuk vjen në Tiranë javën e ardhshme për të negociuar krizën, por si pjesë e një vizite rutinë në Ballkan. Por, vështirë se me klimën aktuale në Tiranë, vizita do të arrijë që në diskutimet me Ramën, Metën e Bashën të shmangë temën e krizës.

Palmer, një njohës i mirë i Ballkanit dhe çështjeve ballkanike, që flet rrjedhshëm serbisht dhe greqisht, pritet të takohet me Kryeministrin Edi Rama, kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Presidentin Ilir Meta. Katër ditë nga vizita e tij, pra më 13 prill, opozita ka paralajmëruar protestën e radhës masive, të cilën ndryshe nga herët e tjera e ka thirrur për t’u zhvilluar në mbrëmjen e 13 prillit.

Vizita e Palmer është një “deja vu” e dy viteve më parë, kur më 15 maj të 2017 mbërrinte në Shqipëri, Hoyt Brian Yee, që në atë kohë udhëhiqte Zyrën e Çështjeve për Europën dhe Euroazinë. Diplomati amerikan, i njohur me nofkën “Buldozeri”, mbërriti në kohën kur Partia Demokratike ishte ende në çadër. Ajo nuk kishte hequr dorë nga mandatet, por tensioni politik ishte po kaq i lartë. Dy ditë pas vizitës, pra më 17 maj 2017, Rama dhe Basha gjetën gjuhën e përbashkët dhe nënshkruan një marrëveshje, që shpëtoi zgjedhjet e qershorit dhe nxorri PD-në nga çadra.

“Buldozeri” Hoyt Brian Yee nuk është më në Zyrën për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, që mbulon edhe Ballkanin në Departamentin e Shtetit. Ai u dorëhoq në fillim të këtij viti. Në vend të tij u vendos Philip Reeker, po aq “buldozer” kur flitet për Ballkanin dhe Europën Lindore.

I rikthyer në këtë post, që e ka mbajtur edhe më herët, Reeker është njohës i mirë i rajonit tonë, ku ka shërbyer si ambasador dhe ndërmjetësues në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë në fund të viteve ’90. Sa i takon Shqipërisë, Reeker ka vizituar vendin tonë me statusin që mban aktualisht në shtator të 2012.

Në një analizë të 28 shkurtit, Gazeta “Si” ngriti pyetjen nëse kriza politike do të rikthente Philip Reeker në Shqipëri? Vizita e Matthew Palmer është një gjysmë konfirmim. Palmer, që është vartës i Reeker, edhe pse nuk ka statusin e tij, e as atë të Hoyt Brian Yee të dy viteve më parë, çon në një tjetër nivel përpjekjet amerikane në zgjidhjen e krizës.

Vizita e zyrtarit amerikan të shtetit mbërrin pas përpjekjeve të vakta, të cilat kanë dështuar njëra pas tjetrës të Bashkimit Europian për të luajtur rolin e ndërmjetësuesit në Tiranë. Dy përpjekjet më serioze të Brukselit ishin vizita e një grupi eurodeputetësh dhe ajo e Drejtorit të Zgjerimit në Bashkimin Europian, Christian Danielson. Të dyja përpjekjet dështuan me sukses, madje në të parën, Knut Fleckenstein, pjesë e grupit të eurodeputetëve që u ndalën në Tiranë foli me një gjuhë të drejtpërdrejtë ndaj udhëheqësve të opozitës dhe tha se ishte i zhgënjyer prej tyre.

Me terma më të zbutur dhe me më shumë diplomaci foli edhe Christian Danielsson ditën që do të largohej nga Shqipëria. Tani mbetet për t’u parë se me ç’shije do të largohet Matthew A. Palmer nga Tirana. A do t’ja dalë mbanë, që ashtu si Hoyt Brian Yee 2 vite më parë që të ulë palët në tryezë dhe kriza të marrë një rrugëdalje?

Koha do ta provojë këtë, por e sigurtë është që do të ketë zhvillime të reja, pasi vizita e Palmer është ndërhyrja e parë e Uashingtonit, që deri më tani ka folur me zërin e Ambasadës Amerikane në Tiranë, e cila nga ana tjetër nuk ka ende një titullar të sajin.

Mungesa e një titullari ka zbehur këtë zë, e për më tepër është vendosur shpesh në dyshime nga ana e opozitës, nëse qëndrimi i amerikanëve në Tiranë përfaqëson linjën e qëndrimit të Uashingtonit zyrtar sa i takon zhvillimeve në Shqipëri. Si shembull, opozita sjell raportin e Departamentit të Shtetit mbi strategjinë kundër drogës dhe korrupsionit, të publikuar së fundmi e ku dozat e forta të kritikave ndaj vendit tonë nuk mungojnë.

Një hap të vogël pas, që sinjalizon se hapësirat për dalje nga kriza ekzistojnë dhe ato mund të zgjerohen në ditët në vazhdim edhe më shumë, edhe si pasojë e presionit të amerikanëve, e dha mazhoranca. Damian Gjiknuri, që tashmë drejton Komisionin e Reformës Zgjedhore për socialistët përjashtoi mundësinë që të çohet përpara kjo reformë me deputetët e rinj të opozitës.

Hoyt Brian Yee pas takimit me Lulzim Bashen ne maj te 2017

Në maj të 2017, Hoyt Brian Yee vizitonte Tiranën pas dështimit të përpjekjeve të Ambasadorit Donald Lu dhe zyrtarëve të tjerë të përfaqësisë diplomatike amerikane në Shqipëri për të ulur në një tryezë Ramën e Bashën.

Përveç përfaqësive diplomatike ndërkombëtare të stacionuara në Tiranë dështimin në negociata e provuan edhe zyrtarë e të dërguar të posaçëm të Brukselit në Shqipëri, mes të cilëve edhe David Mcallister, që mbante postin e kreut të Komisionit për Politikën e Jashtme të PE-së.

Yee mbërriti në Tiranë më 15 maj. Pasi u takua me Ramën, Metën e Bashën nënkuptoi para mediave se nuk priste dështim. “Veshët” ia tërhoqi si Kryeministrit, ashtu edhe opozitës, kur tha se nuk priste që Rama të hynte në zgjedhje pa opozitën që protestonte në çadër. Kërkoi nga Qeveria që të jepte të gjitha garancitë e nevojshme për një proces zgjedhor të lirë e të ndershëm dhe më pas, zgjedhjet të zhvilloheshin edhe nëse Partia Demokratike vendoste bojkotin.

Dy ditë pas këtyre deklaratave të tij, Rama-Basha nënshkruan marrëveshjen e famshme të 17 majit. Ujdia bazohej në paketën e propozuar fillimisht nga David Mçallister, por që ajo të pranohej nga të dyja palët duhej ndërhyrja e “Buldozerit”.

Zgjedhjet u zhvilluan më 25 qershor të atij viti dhe ironikisht sot burimi i konfliktit janë po ato zgjedhje, që PD i cilëson të manipuluara përmes blerjes së votës dhe lidhjeve të qeverisë me krimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë