Politike

Pas kërcënimit të Tsipras, qeveria tërhiqet nga shtetëzimi i pronave të Himarës

Kërcënimet e Greqisë ndaj Shqipërisë sa i përket vendimit për pezullimin e regjistrimit të pronave bujqësore në zonën e Himarës dhe të kalimit të këtyre pasurive në administrimit shtetëror me qëllimin për zhvillimin e turizmit kanë dhënë efekte të menjëhershme te qeveria shqiptare.
Qeveria “Rama” është tërhequr nga procesi i pezullimit të dhënies së titujve të pronësisë për zonat e Vlorës, Himarës dhe Sarandës. Në mbledhjen më të fundit është vendosur që të mos bllokohet procesi i dhënies së titujve të pronësisë për tokat bujqësore, përpara se këto prona të kalojnë në administrimin e ministrisë së Turizmit.
“Pronat e paluajtshme sipas pikës 1, që ndodhen në zonat në të cilat nuk ka përfunduar regjistrimi fillestar, do të regjistrohen në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin, pasi të ketë përfunduar procesi i regjistrimit fillestar të pronave private në zonat kadastrale të përfshira në këtë vendim. Ngarkohen ministria përgjegjëse për turizmin dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi”.
Kjo është përmbajtja e vendimit që do t’i shtohet si formulim në pikën 1 të VKM-së nr.708, e miratuar më 27 nëntor të vitit 2018 “Për regjistrimin dhe kalimin në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin të disa pronave të paluajtshme shtetërore, në vijën bregdetare Vlorë–Sarandë”.

Faksimile e VKM-së nr.708, e datës 21.11.2018

Kjo tërheqje e qeverisë duket se vjen pas “kërcënimeve” të hapura që marrë në mënyrë direkte kryeministri Rama nga homologu i tij grek, Tispras sa i përket VKM-së së 27 shkurtit të marrë më parë “Për pezullimin e përkohshëm të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në mbështetje të projekteve investuese në turizëm”. Në këtë VKM që u botua në Fletoren Zyrtare me nr 43, të datës 29 mars, parashikonte pezullimin e procesit të dhënies së certifikatave të pronësisë, AMTP në të gjithë vijën bregdetare, përfshirë që nga Shkodra deri në Sarandë.
Ky lloj shtetëzimi i pronës pati reagimin e menjëhershëm të Athinës zyrtare. Kryeministri grek gjatë një vizite në Rumani, shprehu hapur rezervat mbi vendimin e dhënë nga qeveria shqiptare duke paralajmëruar se Greqia mund të vendoste veton ndaj Shqipërisë sa i përket procesit të integrimit, çeljes së negociatave me BE-në.
Deklarata e tij u bë pikërisht më 29 mars, në ditën kur në Fletoren Zyrtare, qeveri shqiptare kishte publikuar VKM-në për “shtetëzimin” e pronave.

VKM e botuar në Fletoren Zyrtare, por që nuk ekziston më ne sitin e QBZ-së


“Kohët e fundit po shikojmë zhvillime që nuk na pëlqejnë. Sot mësova që ka pasur një zhvillim negativ në lidhje me minoritetin grek. Nëse është e vërtetë, do të jetë një zhvillim shumë negativ. Një çështje që fatkeqësisht neve nuk na jep optimizëm drejt perspektivës europiane. Nëse informacioni që kemi është i vlefshëm, nuk ekzistojnë parakushte për të ecur në këtë drejtim. Shpresoj të jem i gabuar. Sepse dëshira e të gjithëve është që hapat drejt perspektivës evropiane të bëhen realitet. Por, ne çdo shtet e shikojmë veç e veç”, do të deklaronte Tsipras.
Menjëherë pas kësaj deklarate Qeveria zhduku nga qarkullimi VKM e miratuar në shkurt të këtij viti, duke e fshirë atë nga Fletorja Zyrtare.


Pjesë e zonës kadastrale në Himarë, me nr.1952 që bllokohet nga qeveria për dhënien titullit të pronësisë. Siç shihet toka ë pranë vijës bregdetare

Telefonata mes Tsipras e Ramës

Pas këtyre zhvillime, mediat greke bënë publik lajmin se mes dy kryeministrave Tsipras dhe Rama kishte pasur një telefonatë, ku në fokus kanë qenë pikërisht për çështjen e minoritetit grek në Shqipëri, si dhe për reformat ne nevojshme për të filluar procesin e pranimit të Shqipërisë në BE.

Sipas burimeve diplomatike të cilat iu referuan mediat greke, kryeministri Tsipras, në me homologun e tij shqiptar, u përqendrua në ligjin mbi pronën në bregun e Jonit dhe në Aktin e Minoriteteve. Ata diskutuan gjithashtu zhvillimet rajonale dhe marrëdhëniet ekonomike dypalëshe.

Por ministria e Jashtme shqiptare, sipas burimeve, shprehet se telefonata mes dy kryeministrave kanë qenë të planifikuara. “Biseda telefonike mes kryeministrit Edi Rama dhe homologut të tij grek, Aleksis Tsipras, ka qenë e planifikuar për t’u kryer prej kohësh”, kështu shprehen burime nga ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë lidhur me bisedën mes dy kryeministrave.

Por burimet e MEPJ-së e cilësojnë lajmet e përhapura si presione “Spekulimet politike e mediatike, janë shumë larg realitetit të fakteve e të përpjekjeve pozitive mes dy vendeve”.

“Çështja e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri është e përhershme në bisedat mes dy kryeministrave dhe çështja e lidhur me pronësinë ka qenë e mbetet e qartë. Nuk ka pasur asnjë vendim të posaçëm lidhur me pronat e minoritarëve dhe vendimi i marrë nga qeveria për të tërë vijën bregdetare, i ka shërbyer një analizë të gjendjes së pronës në bregdet dhe identifikimit të pronave shtet përgjatë bregut. Vendimi i ri çel procesin e regjistrimeve, tanimë mbi një bazë më solide të krijuar nga ndalimi i përkohshëm i regjistrimeve. S’ka qenë s’është e s’do të jetë asnjëherë në interesin a në veprimet e qeverisë shqiptare, cenimi i të drejtave të asnjë minoriteti, përfshirë edhe minoritetin grek që gëzon respekt e të drejta të plota në Shqipëri.” -theksuan burime nga MEPJ.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë