Lajme

“Shtetëzimi” i fshehtë i pronave që solli irritimin e Greqisë

Qeveria shqiptare më 27 shkurt të këtij viti vendosi pezullimin e procesit të dhënies së titujve të tokave bujqësore të cilësuara si AMTP në të gjithë vijën bregdetare të Shqipërisë, të cilat njihen si zona që kanë përparësi turizmin.
VKM-ja me numër 172 është miratuar, por e mbajtur e fshehtë nga ana e qeverisë. Ai nuk është publikuar në faqen zyrtare te kryeministria.al. Gjithashtu kjo VKM që mban titullin “Për pezullimin e përkohshëm të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në mbështetje të projekteve investuese në turizëm”, u botua dy ditë më parë në Fletoren Zyrtare me numër 43, por po ta klikosh atë, vendimi nuk është i aksesueshëm.

Ky akt i qeverisë zhdukjes nga faqja erdhi menjëherë pas reagimit të ashpër që mbajti kryeministri i Greqisë, Aleksis Tsipras në lidhje me procesin e bllokimit të pronave të minoritetit grek në zonën e Himarës.

Vendimi i botuar në Fletoren Zyrtare, por i fshirë nga Qeveria


Çfarë përmban vendimi i qeverisë
Pika e kësaj VKM-je parashikon, pezullimin e përkohshëm të vijimit të procedurave të kalimit në pronësi të përfituesve të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në mbështetje të projekteve investuese në turizëm, sipas hartës bashkëlidhur këtij vendimi, publikuar edhe në Gjeoportalin Kombëtar, të administruar nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), deri në kalimin / regjistrimin e pasurive të paluajtshme shtetërore, në zbatim të nenit 34, të ligjit “Për turizmin”. Pikërisht kjo dispozitën i jep të drejtën ministrisë të realizojë një “shtetëzim” të pronës duke i kaluar në administrimin e ministrisë që aktualisht drejtohet nga ministri Blendi Klosi.

“Pasuritë e paluajtshme, në pronësi të shtetit, që ndodhen në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, me përjashtim të zonave të mbrojtura dhe objekteve të trashëgimisë kulturore, me vendim të Këshillit të Ministrave, brenda 2 muajve nga miratimi i zonës, kalojnë në administrim të ministrisë përgjegjëse për turizmin. Pasuritë e paluajtshme, në administrim të njësive të qeverisjes vendore, që ndodhen në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, me vendim të Këshillit të Ministrave, brenda 2 muajve nga miratimi i zonës, kalojnë në administrim të ministrisë përgjegjëse për turizmin. Këshilli i Ministrave, rast pas rasti, miraton me vendim të veçantë transferimin, në favor të shtetit, të pasurive të paluajtshme në pronësi të njësive të qeverisjes vendore, që ndodhen në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit”, thuhet në këtë nen të ligjit.

Pjesë e zonës kadastrale në Himarë, me nr.1952 që bllokohet nga qeveria për dhënien titullit të pronësisë. Siç shihet toka ë pranë vijës bregdetare

Vendimi më i fundit i qeverisë pezullon dhënien e titujve të pronësisë për ato prona që janë në proces. Ai përfshin komplet vijën bregdetare të Shqipërisë. Në të i kërkohet Njësitë e vetëqeverisjes vendore, territori administrativ i të cilave përfshihet në hartën shoqërohet te vendimi të pezullojnë procedurat e kalimit në pronësi të tokës së ish-ndërmarrjeve bujqësore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, pavarësisht nga faza procedurale, menjëherë me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.

I është kërkuar ZRPP-së dhe degëve të saj në Shkodër, Lezhë, Kurbin, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Fier, Vlorë, Himarë, Sarandë dhe Konispol për vijimin e procedurave të regjistrimit, sipas legjislacionit në fuqi për regjistrimin fillestar të pasurive të paluajtshme, bazuar në hartën bashkëlidhur këtij vendimi.
“Pasuritë e paluajtshme, që ndodhen në zonat në të cilat nuk ka përfunduar regjistrimi fillestar, regjistrohen në përgjegjësi administrimi të ministrisë përgjegjëse për turizmin, pasi të ketë përfunduar procesi i regjistrimit fillestar”, thuhet në pikën 4 të kësaj VKM-je.

Zonë e shënuar po në Himarë ku bllokohet dhënia e titujve të pronësisë


Vendimi më i fundit i qeverisë ka përcaktuar me foto dhe të seleksionuara zonat e pronave që i bllokohet procesi i kalimit të pronësisë. Sipas burimeve qeveria ka kërkuar prej kohësh që të bllokojë procesin e dhënies së AMTP-ve, të certifikatave të pronësisë së tokave bujqësore, e kjo lidhej me faktin se ishin konstatuar shumë abuzime, mbivendosje.

Qeveria ngriti një Task-Forcë ndërinstitucionale vitin e shkuar me qëllim për hetuar skandalet e ndodhura në zonat bregdetare në të gjithë Shqipërinë, por një nismë e tillë u mor pas rastit të ndodhur të ndodhur në Lezhë, për pronat e Shëngjinit dhe të Kunes, ku arrestuan edhe kryebashkiaku i Lezhës.
“Task Forca e ngritur nga qeveria, në bashkëpunim me policinë e shtetit dhe prokurorinë, do të hedhë dritë mbi abuzimet e bëra dhe do të ndihmojë në ndëshkimin e abuzuesve të çdo niveli.
Dhënia e sipërfaqeve në bregdet, përmes akteve të marrjeve në përdorim të tokës bujqësore, është në tërësinë e vet veprimtari e korruptueshme e dënueshme nga ligji”, do të deklaronte një vit më parë ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj në konferencën ku u shfaq dhe me drejtorin e Hipotekës dhe kreun e ALUIZNI-t në mars të vitit 2018.

Ministrja Gjonaj së bashku me dy drejtuesit e Hipotekës dhe ALUZINI-t ku shpallën ngritjen e Task Forcës për verifikimin e titujve të pronësisë

Reagimi i ashpër i Greqisë
Vendimi më i fundit i qeverisë shqiptare solli një reagim të ashpër të kryeministrit të Greqisë Aleksis Tsipras. Në mënyrë të drejtpërdrejtë ai paralajmëroi Shqipërinë se vendimi i marrë për pronat do të ndikojë në procesin e integrimit në BE.

“Për fat të keq, kohët e fundit shohim zhvillime që nuk ka kënaqin. Sot mësoj se ka një zhvillim negativ në lidhje me minoritetin grek në Shqipëri. Nëse kjo është e vërtetë, do të jetë një zhvillim shumë negativ dhe është një zhvillim që në këtë moment nuk na jep optimizmin për sa i përket ecurisë kritike europiane të këtij vendi, që përballon sfida të rëndësishme, ndaj të cilave duhet të përgjigjet. Parakushtet për të lëvizur në drejtimin e mbështetjes së kësaj ecurie, nëse informacioni që kemi është real, nuk ekzistojnë. Shpresoj të mos jetë i vërtetë, sepse vullneti ynë është që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të ndërmarrim hapa për ta bërë perspektivën europiane një realitet”, tha kryeministri i Greqisë në konferencën për shtyp të dhënë në Bukuresht së bashku me homologen rumune.

Kryeministri grek Aleksis Tispras


Shqipëria ynë është në pritje të vendimit të vendeve të anëtare të BE-së për hapjen ose jo të negociatave. Në qershor pritet të shpallet vendimi politik për këtë çështje.
Mediat greke raportuan se deklarata e Tsipras i referohet një informacioni që kishte marrë se konkretisht qeveria shqiptare ka konfiskuar prona të minoritetit grek në Himarë përmes një vendimi të botuar në Fletoren Zyrtare, por që ky vendim u fshi nga qeveria shqiptare.

Ky shtetëzim i pronave ka qenë një shqetësim prej vitesh i banorëve të zonës së Himarës. Shoqata “Omonia” në Himarë bëri të ditur se është në kontakte të avancuara me zyra avokatie për tu shërbyer pronarëve të prekur, të cilat kanë një aktivizim të suksesshëm në Shqipëri dhe kanë përvojë në lidhje me çështje qe janë atribute të Gjykatës së Strasburgut. Ajo ftoi banorët e Bashkisë së Himarës, pronat e të cilave përfshihen në VKM-në në fjalë, të procedojnë pa vonesë në ankimet individuale.

Zonë e bllokimit të pronës në Himarë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë