Motosport

Markez dominon në Argjentinë, mposhten Rosi dhe Doviciozo

Asnjë surprizë në çmimin e madh të Argjentinës në kampionatin e motorëve Moto GP. Ishte kampioni i botës në fuqi, Mark Markez, që e ka vazhduar aty ku e la këtë sezon, duke mposhtur dy rivalët më të mëdhenj të tij, Valentino Rosin dhe Andrea Doviciozon.
Markez nuk hasi asnjë vështirësi për ta fituar këtë garë në Argjentinë dhe u duk sikur kishte një marsh më shumë se rivalët, duke u shkëputur që në kthesat e para. Nëse për spanjollin kampion kjo garë ishte një formalitet për të marrë pikët e para të këtij sezoni, ndryshe ka ndodhur në prapavijë, ku është zhvilluar spektakli i vërtetë.

Dy pilotët italian Vale Rosi dhe Andrea Doviciozo që kanë ndarë me njëri tjetrin dy vendet e tjera në podium kanë dhuruar emocione të forta për të gjithë tifozët. Doivciozo dhe Rosi disa herë kanë shkëmbyer vendet me njëri tjetrin, por në fund “The doctor” ia ka dalë që të marrë vendin e dytë, duke treguar edhe një herë se ende nuk është plakur dhe mund të jap shumë në Moto GP. Për Rosin kjo ishte një arritje e veçantë pasi është kthyer në podium në moshën 40-vjeçare, 9 muaj nga hera e fundit.

Me triumfin në çmimin e madh të Argjentinës, piloti spanjoll ka marrë kryesimin në renditjen e përgjithshme, duke lënë pas Doviciozon me katër pikë më shumë dhe Rosin në vendin e tretë. Ndërsa në renditjen për konstruktorë, Dukati vijon të jetë në vendin e parë edhe pas kësaj gare, me 9 pikë më shumë se Honda dhe 21 më shumë se Jamaha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë