Analize

Prokuroria Speciale aktakuzë Bukoshit, abuzoi me Fondin e 3 Përqindëshit

Prej vitesh kishte dyshime, akuza të rënda, madje edhe përbetime se ish-kryeministri në ekzil i Kosovës Bujar Bukoshi kishte shpërdoruar fondet që qindra mijëra kosovarë kishin mbledhur në të ashtuquajturin Fond të 3 Përqindëshit; por vetëm së fundmi Prokuroria Speciale në Prishtinë ka ngritur akt-akuzë zyrtare ndaj tij dhe dy të tjerëve. Mediat në Prishtinë konfirmojnë se për akt-akuzën e profilit të lartë ka rreth një vit që po punohet nga ana e kësaj Prokurorie për krim të organizuar dhe tjetërsim të fondeve, në ngarkim të Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Deputeti Naser Osmani

Vetë të akuzuarit e kanë mohuar ngritjen e një akt-akuze të tillë, por Prokuroria Speciale përmes një përgjigjeje zyrtare ka konfirmuar që në këtë rast përveçse është ngritur aktakuzë ka nisur edhe procesi gjyqësor. Akt-akuza është ngritur rreth një vit më parë nga ish-prokurori Faik Halilaj, i cili ka dalë në pension majin e vitit të kaluar. Të gjithë dosjen tashmë në gjykatë e përfaqëson prokurori special Atdhe Dema, të cilit ka marrë në dorë të gjithë lëndën gjyqësore që ka pasur ish-prokurori Halili.

Atdhe Gashi

Fondi i 3 Përqindëshit ka qenë aktiv nga viti 1992 deri në 2006. Raportet financiare të këtij fondi me para të qytetarëve, që ishin destinuar për të mbajtur gjallë sistemin paralel të shëndetësisë dhe arsimit, nuk janë bërë asnjëherë publike. Edhe sot e kësaj dite dyshohet se ish-kryeministri në ekzil, Bujar Bukoshi, përmes ish-këshilltarit të tij Atdhe Gashi e deputetit të LDK-së, Naser Osmani, kanë tërhequr qindra mijëra euro nga fondi.
Ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, në një intervistë të mëparshme ka treguar se sa para kishte në bankë Bujar Bukoshi; rreth 500 milionë. Deklarimin e tij ai e mbështet në përpjekjet gjermane në atë kohë për të ndihmuar në bashkimin e UÇK-së dhe FARK-ut. “Ajo që më kujtohet mirë është se ambasadori Pauls ka thënë që është edhe interesi i UÇK-së të bashkëpunojë dhe të merret vesh me Qeverinë e Bukoshit, se ata në fondin e tyre i kanë diku 500 milionë marka”, ka thënë Krasniqi.

Hetimet
Në verën e 2016-ës, ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi është marrë një herë në pyetje në Drejtorinë e Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës, lidhur me këtë çështje. Lajmin për intervistimin e Bukoshit e pati konfirmuar avokati i tij, Besnik Berisha. “Bukoshi është ftuar në Policinë e Kosovës për të sqaruar disa informata lidhur me veprimtarinë e UFORK-ut në Kosovë,” ka thënë shkurt avokati Berisha. Vetë Bukoshi ka refuzuar të komentojë lidhur me intervistimin e tij.

Fondi i Republikës së Kosovës ishte krijuar në fillim të viteve ’90 për të përkrahur institucionet “paralele” të Kosovës në atë kohë, si arsimi e shëndetësia. Fondi ka qenë një Organizatë Joqeveritare e regjistruar në Neë-Ulm të Republikës Federale Gjermane. Themelues dhe nënshkrues të statutit ishin: Bujar Bukoshi, Pjeter Coli, Isa Mustafa, Shaban Bobaj, Muhamet Bicaj dhe Begi Mazelxhin. Pas përfundimit të luftës, Isa Mustafa, që në atë koha ka shërbyer si ministër i Financave, ka thënë se nga ky fond pasluftës kanë mbetur pa shpenzuar rreth 50 milionë marka.
Sipas mediave kosovare, në vitet 2006-2011, qindra mijëra euro janë tërhequr nga Fondi i 3 Përqindëshit. Shuma prej 512 mijë e 936 eurove është nxjerrë nga bankat jashtë vendit nëpërmjet 16 transaksioneve të dyshimta. Bukoshi e ka pranuar se janë kryer këto transaksione, por nuk ka sqaruar se për çfarë qëllimesh. Disa ditë pas këtyre raportimve, Prokuroria Speciale pati nisur hetime ndaj tre personave, përfshirë këtu edhe Bukoshin. Për më tepër, hetimet për këtë fond janë shtrirë edhe në Shqipëri.
Prokuroria e shtetit në Shqipëri, me kërkesë të autoriteteve kosovare, ka ndihmuar në zhvillimin e hetimeve ndaj Bukoshit lidhur me keqpërdorimet e mundshme në Fondin e Tre Përqindëshit. Në këtë hetim, përveç Bukoshit janë të përfshirë edhe Naser Osmani e Atdhe Gashi, ish-këshilltar i Bukoshit. Vitin e kaluar mediat në Shqipëri kanë publikuar një dokument sipas të cilit Bukoshi ka prona edhe në Shqipëri, madje njërën prej tyre në bregdet. Dokumenti u publikua nga gazetari Flamur Vezaj, në profilin e tij në Facebook.

Dokument mbi një pronë të Bujar Bukoshit në Qerret të Kavajës

“Ja edhe Bujar Bukoshi, kryeministri i qeverisë në ekzil dhe me letra pronar i 3 % e që nuk ka dhënë llogari ndonjëherë për mbi 1 miliard marka të shqiptarëve! Na paska edhe ky një pronë në bregdet në fshatin Qerret të Kavajës me emrin e tij! Po me emër tjetër a thua ka prona të tjera në Shqipëri e gjetkë!?”, shkruante Vezaj.

Si u “zbrazën” llogaritë
Bujar Bukoshi e Isa Mustafa kanë vite që i kanë ndarë rrugët politike. Por, paratë e Fondit të Republikës së Kosovës, i njohur si 3 Përqindëshi, i kanë mbajtur gjithmonë bashkë, kanë raportuar mediat kosovare, të cilat kanë siguruar dokumente konfidenciale të Qendrës së Inteligjencës Financiare (FIC) që është hartuar gjatë hetimeve kundër Ilir Tolajt, Bujar Bukoshit dhe të tjerëve, në vitin 2012. Raporti hetimor i ishte dorëzuar Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Ai ishte përdorur vetëm gjatë hetimeve për tenderët e Ministrisë së Shëndetësisë. Por asnjë hetim nuk ishte kryer për këto transaksione, të cilat FIC i cilëson të dyshimta.

Bujar Bukoshi dhe Isa Mustafa

Dokumenti flet për tërheqje të mbi gjysmë milioni euro nga Fondi i Republikës së Kosovës gjatë viteve 2006-2011, me 16 transaksione në shuma që shkonin deri në 50 mijë euro. Këto para janë tërhequr nga bankat në Gjermani, Itali, Shqipëri dhe Belgjikë, ku janë të depozituara fondet e 3 Përqindëshit.

Faksimile e njërit prej transaksioneve bankare të kryera nga Bujar Bukoshi

Bukoshi ka refuzuar kërkesën për qasje në dokumentet e këtij fondi me arsyetimin se kjo çështje tashmë është e mbyllur për të. Ka thënë se paratë janë tërhequr nga Naser Osmani, deputet i LDK-së dhe Atdhe Gashi, ish-këshilltar i tij. Këta të fundit kanë mohuar se kanë pasur qasje në llogaritë bankare jashtë vendit.

Burimi: Koha Ditore, Zëri, Bota Sot, Insajder, AlbInfo.ch


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë