Mentor Kasa – Tiranën e pret një fundjavë proteste e feste. Opozita është duke u dhënë dorën e fundit përgatitjeve për tubimin e së shtunës para Kryeministrisë dhe njëkohësisht me të, policia e Garda nga ana tjetër po përforcojnë sigurinë për të garantuar moscenimin e institucioneve. Në mes të kësaj përplasjeje është Bashkia e Tiranës, që po i bën truket e fundit qytetit për festimet e shtyra të Ditës së Verës, që do të mbahen një ditë pas protestës së opozitës.
Opozita e ka njoftuar protestën e 16 marsit fill pas asaj të zhvilluar më 21 shkurt, kur dorëzoi në grup dorëheqjet nga mandatet e deputetëve. Kjo datë u paralajmërua nga Lulzim Basha si kulmimi i asaj që ai e quan “revoltë popullore” kundër Edi Ramës.
Ato ditë, Bashkia e Tiranës nuk e kishte në mendje shtyrjen e festimeve të Ditës së Verës. Por, pak ditë para 14 Marsit, e shenjuar që prej 2004 si festë zyrtare kombëtare, përmes rrjeteve sociale kryebashkiaku Erion Veliaj kërkoi mendimin e qytetarëve për këtë ide. Arsyeja ishte moti i keq. Në fund tha se në sondazh kishin marrë pjesë mbi 10 mijë persona dhe shumica kishte votuar pro shtyrjes së festimeve për të shmangur “shiun me gjyma”.

Moti më 14 mars i dha pjesërisht të drejtë. Diell nuk pati, por as shi me gjyma jo. Kjo nxiti edhe më fort hamendësimet që po qarkullonin se arsyeja e vërtetë e shtyrjes së festimeve të Ditës së Verës nuk ishte moti, por protesta e opozitës, ose një rrugë e mesme, që me një gurë vret dy zogj; edhe festimet zhvillohen nën rrezet e diellit, edhe opozita sfidohet me “ofertën e pakërkuar” se kush mbledh më shumë njerëz në shesh.
Arsyet e mbledhjes së njerëzve janë krejt të kundërta. Opozita i ka thirrur për të protestuar ndaj situatës ekonomike, sociale e politike në vend, ndërsa bashkia i fton për të festuar ardhjen e verës e dhe bashkë me të për të paraqitur një situatë më shumë se normale, ku gjërat ecin vaj nën sloganet e “drejtimit të duhur” dhe “të gjithë vëmendjes tek ju”.
Nga Bashkia e Tiranës askush s’e thotë se misioni i festimeve të së dielës është “matje force se kush mbledh më shumë njerëz” e ku të tregohet se pas protestës, që parashikohet të jetë e dhunshme, Tirana ka jetën e saj normale, por mesazhi i nënkuptuar është i qartë dhe i fortë.
Me sinjalet e dhëna në të dyja kahet ajo që është e sigurtë është pjesëmarrja e njerëzve, ndërsa pjesa tjetër e agjendave ndryshon. Të shtunën opozita pretendon që të dërgojë një sinjal më të zëshëm në kërkesën për të larguar Edi Ramën, ndërsa të dielën Bashkia do të organizojë disa evente festive, ku një pjesë e mirë e tyre do të mbahen në të njëjtën skenë…Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





