Politike

A po tërhiqet opozita nga qeveria tranzitore?

Krijimi i qeverisë tranzitore dhe zgjedhjet e parakohshme janë dy nga kushtet e opozitës, e cila ka vendosur djegien e mandateve, si akt ekstrem politik i ndërmarrë në këto 30 vite tranzicion politik.
“Zgjidhja është largimi i Edi Ramës, një qeveri e përkohshme tranzitore dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë rruga për rikthimin e legjitimitetit politik të institucioneve në mënyrë që të zgjidhen nga njerëzit dhe të punojnë për njerëzit”, do të deklaronte kryedemokrati Basha pas takimit me 7 europarlamentarët.
Një ditë më pas eurodeputetët do të rrëzonin qëndrimin e opozitës për qeveri tranzitore dhe deklaruan me forcë e se zgjedhjet e fundit parlamentare ishin të legjitimuara, të certifikuara, e si e tillë edhe qeveri aktuale është legjitime, duke mos pranuar idenë për zgjedhje të parakohshme.
Ky qëndrim i prerë u shoqërua edhe me thirrjen e që opozita të jetë në Parlament, duke nënkuptuar zëvendësimin e mandateve nga listat partiake të PD-së dhe LSI-së. Që nga takimi i 27 shkurtit deri në ditën e sotme, duket se qëndrime e demokratëve janë më të lëkundura sa i përket kushteve të tyre.
Kjo duket se është edhe qëndrimi i prerë i PS-së, ku eksponentët e saj janë shprehur pro uljes në dialog, duke mos e pasur si çështje primare krijimi një qeveri teknike.
Ideja e një qeverie tranzitore, po modifikohet me kushtin e një qeverie pa Edi Ramën, por me kryeministër dhe ministra socialistë, që do të mund të ishte si garant për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kjo është artikuluar kohët e fundit nga numri dy i Partisë Demokratike, Edmond Spaho. “Jemi të gatshëm që të pranojmë dhe një qeveri të majtë por pa Edi Ramën kryeministër, që të përgatisë zgjedhjet të lira dhe kushdo që fiton, të qeverisë vendin”, do të deklaronte Spaho në një studio televizive.

Nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho


Por edhe brenda PD-së, duket se ka një qëndrim ende të saktë pas këtyre zhvillimeve, pasi ka zëra brenda demokratëve që shprehen se nuk janë tërhequr nga qeveria teknike, por nuk duan zgjedhjeve të parakohshme. “Fakti që kërkojmë qeveri tranzitore është tregues i dialogut. Ne flasim për qëndrimin tonë dhe japim një zgjidhje. Ne dhamë modelin e se jemi të parë që do sakrifikohemi. Ne kemi thënë qeveri tranzitore dhe nuk kemi thënë sot djegim mandatin dhe duam zgjedhje të parakohshme. Do të ishte radikale nëse themi një gjë të tillë se duam zgjedhje të parakohshme para zgjedhjeve lokale nuk ka dalë ndonjë tezë e tillë. Ajo që kemi shtruar ne sot është se shkak i lidhjes mes krimit dhe pushteti është Edi Rama”, do të deklaronte ish-deputetja Grida Duma.
Vetë kryedemokrati Lulzim Basha ndërkohë në takimin e fundit nuk i ka mëshuar idesë së krijimit të qeverisë tranzitore, por i ka mëshuar vetëm rrëzimit të Edi Ramës nga posti i kryeministrit.
“Ju jap fjalën se do të jem në krahun tuaj deri sa ta fitojmë këtë betejë. Na pret një qeveri me taksa të ulëta, me mundësi punësimi për të gjithë shqiptarët. Sepse Shqipëria i ka mundësitë të ulë taksat. Ne e kemi planin. Uljen e çmimit të naftës me 300 lekë, uljen e taksës së biznesit të vogël 0.5% e xhiros në vit dhe asnjë taksë tjetër, as lokale as qendrore. Të gjitha do të shkojnë për pushtetin lokal. Do ta heqim taksën e “Rrugës së Kombit”. Duhet larguar kjo qeveri. Kjo qeveri nuk e ka lidhur fatin me shqiptarët, por me kriminalët”, do të theksonte Basha në takimin e fundit në Paskuqan.

Kryedemokrati Lulzim Basha dhe kreu i Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu


Por siç duket demokratët janë duke dhënë sinjale edhe në organizimin e zgjedhjeve lokale, duke konkurruar përballë socialistëve. Vetë Basha do të konfirmonte kryebashkiakun e Kamzës si një kandidatët për zgjedhjet lokale sërish për këtë njësi të qeverisjes vendore.
Të gjitha këto sinjale tregojnë se mes mazhorancës dhe opozita po tentohet drejt një mundësie për të gjetur një dialog, edhe pse deri më tani mungon emri i negociatorit që mund t’u ulë në tryezë.

Në skenën politike ka dalë ideja e përfshirjes së presidentit Ilir Meta si negociator për tryezën politike mes PS-së dhe PD-së. Socialistët e kanë mbështetur një ide të tillë, duke pranuar që Meta të luajë rolin e tij, por duke vendosur kushtin kundër krijimit të qeverisë tranzitore.
Vetë figura emblematike e PS-së, ministri i Shtetit, Pandeli Majko ka theksuar se “ne jemi ulur në një tryezë kur Berisha ka qenë president dhe pse jo tani kur është Meta në krye të shtetit shqiptar”.
Nga opozita nuk e ka rrëzuar zyrtarisht një ide të tillë, për të negociuar në kushtet kur ndërkombëtarët kanë refuzuar që të marrin rolin e mediatorit.

Protesta e opozitës më 16 mars do të tregojë lëvizjet e radhës mes dy palëve dhe tentativat konkrete për uljen në një tryezë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë