Partia Demokratike është e bindur se do t’ia dalë mbanë që të rrëzojë Edi Ramën dhe të dërgojë vendin në zgjedhje të reja të parakohshme dhe për këtë duket se ka nisur punën për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.
Lulzim Basha nuk e pranoi drejtpërdrejtë këtë, por foli për një proces që po ndihmohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë të opozitës.
“Dita ka filluar me partnerët tanë ndërkombëtarë që po ndihmojnë Partinë Demokratike për përgatitjen që të adopotojë sistemin perëndimor të primareve dhe zgjedhjeve të kandidatëve për deputetë me sistemin një anëtar një votë”, deklaroi para gazetarëve kreu i PD-së, pas një takimi me aleatët në selinë blu.
Basha tha se në përzgjedhjen e kandidatëve do të votojë e gjithë anëtarësia e Partisë, ndërsa më pas komentoi zhvillimet e fundit, sidomos nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ky institucion u dha mandatet disa emrave që kanë qenë në listat e PD dhe LSI-së në zgjedhjet e 2017. Emrat e zëvendësuar pritet që të betohen të martën në seancën e paralajmëruar plenare. Njëkohësisht me seancën, opozita ka njoftuar thirrjen e një proteste. Për Bashën, çdo vendim është nul, ndërsa kandidatët që pranuan mandatet i quan klonime të Edi Ramës.
“Çdo hap i këtij Kuvendi ilegjitim nuk njihet nga ne. Asnjë vendim dhe ligj i një Kuvendi që përfaqëson një grusht hajdutësh të kapur duke vjedhur paratë e shqiptarëve dhe një grushti kriminelësh të kapur duke vjedhur votat e shqiptarëve, nuk njihet nga opozita. Klonime të shëmtuara të Edi Ramës me fasadë-opozitë. Nuk ka fasadë-opozitë”, tha ai.
Megjithëse është lajmëruar protestë për të martën, ftesa e Bashës drejtuar qytetarëve ishte për 16 marsin para Kryeministrisë.
“16 marsi është një rrugëtim shprese, që do të mundë sistemin e frikës me të cilin ka sunduar Edi Rama këto 5 vite e gjysmë. Dhunë, përçarje dhe propagandë ka qenë makineria e Edi Ramës për të qeverisur. Tani kjo makineri u shkërmoq”, tha Basha.
Kreu i PD-së akuzoi se mes radhëve të policisë janë thirrur edhe forca të ushtrisë, që të maskuar si policë. Ai lëshoi një paralajmërim për Edi Ramën, një për dosjen 339 të Shijakut dhe 184 të Dibrës.
“Edi Rama, dosja 339 është makthi i yt, sepse përtej minutave që janë botuar, ajo dosje ka shumë më shumë dhe ti e di shumë mirë. Dosja 339 së bashku me dosjen 184, që të dyja do të zbardhen dhe drejtësisë do t’i zgjidhen duart”, paralajmëroi kryedemokrati.
Basha shprehet se aksioni opozitar ka mbështetjen e ndërkombëtarëve. “Ata që e duan vërtetë Shqipërinë në Europë dhe nuk e kanë vetëm fjalë goje, thonë që nuk vazhdohet kështu”, u shpreh ai.
Me parimin e kësaj fryme, komentoi më herët edhe Edi Paloka, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Do të jemi ca më shumë këtë herë dhe pak më “të gjallë” se ai gazi na ka ngacmuar ca nerva që na kishin mbetur të fjetura. Kam një thirrje vetëm për ata që kur njerëzit protestojnë, kanë qejf të sodisin nga televizionet e kafeneve; nëse nuk vini në protestë, po për arsyet tuaja keni qejfin të rrini në kafe, zgjidhini kafet sa më larg. Ndërsa ju biznesmenë, pronarë dyqanesh e baresh që e dini si shumica e shqiptarëve se kjo qeveri duhet larguar për të mirën e të gjithëve, mos mendoni atë ditë për ato pak lekë që nuk do merrni po mbyllët qepenat. Shihni më larg. Kjo është një rrugë pa kthim dhe sa më shumë të qëndrojë në atë karrige Rama, aq më shumë do të përkeqësohet situata”, shkruan ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




